Dëshmitë: Dajti doli nga lokali gjatë kohës së rrethimit
Një nga pistat kryesore që “çojnë ujë” në variantin e mundshëm se Dritan Dajtit dikush i “pëshpëriti” se ishte i rrethuar janë disa dëshmi të njerëzve të thjeshtë, që ishin rastësisht në vendngjarje. Dajti është parë nga këta dëshmitarë që së bashku me tre shokë të tij t’i drejtohej fuoristradës së vet me shpejtësi vetëm pak çaste para se dy agjentët e vrarë tashmë t’i komunikonin arrestimin, ndërsa Dajti kishte hipur në makinë. Janë pikërisht këto dëshmi që i kanë bërë prokurorët të “mendohen dy herë” lidhur me rrethanat objektive që shkaktuan tragjedinë e rëndë në Durrës. Tashmë këto dëshmi dhe të dhëna të mbledhura duket se do të krahasohen me të tjera të dhëna ekzistuese apo me informacione të reja që mund të dalin nga hetimet, e sidomos nga kontrolli dhe këqyrja e aparateve të shumta elektronike që i superkërkuari përdorte për një komunikim të sigurt dhe të garantuar. Prokuroria e Krimeve të Rënda mori në zotërim kryerjen e këtyre hetimeve, ndërsa Prokuroria e qytetit të Durrësit zhvilloi zyrtarisht hetime deri mesnatën e së shtunës, për t’ia kaluar stafetën ekipit të mbërritur nga Tirana.
Droga
Katër policët e vrarë gjatë kasaphanës së ndodhur në Durrës nuk kanë pasur dijeni lidhur me “objektivin” e vërtetë të aksionit, Dritan Dajtin. Ata thjesht janë sjellë si në një rast normal të kapjes së personave që disponojnë substanca narkotike. Ky informacion konfirmohet nga vetë radhët e uniformave blu dhe nga policë që kanë ndjekur dhe janë angazhuar në këtë aksion. Ky detaj duket se i jep një tjetër nuancë rënduese operacionit policor, pasi të katërt efektivët policorë që bënë ndërhyrjen e parë duket se kanë qenë të pozicionuar dhe të përgatitur për një operacion rutinë të ndalimit të një ose disa narkotrafikantëve që në makinë kishin drogë, dhe jo të një grupi të strukturuar kriminal që udhëhiqej nga një prej personave më të kërkuar të vendit, Dritan Dajti. Nga ana e saj Policia shqiptare është treguar më e rezervuar se kurrë në detajimin e procesit të organizimit të këtij operacioni, duke mbajtur të fshehta thuajse të gjitha të dhënat operacionale që kanë lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Ndonëse zyrtarë të Policisë e justifikojnë mungesën e sqarimit nga ana e tyre me “hetimin zyrtar që po zhvillon Prokuroria”, ngelet fakti se institucionet shtetërore nuk kanë guxuar të përmendin sikur një emër të vetëm që ka qenë në krye të këtij operacioni, duke preferuar që informacioni zyrtar mbi këtë aksion të ngelet sa më i fshehtë të jetë e mundur.
Vetëm në media janë ofruar mbi pesë variante të mundshme të ngjarjes, si pasojë e mungesës së një varianti zyrtar të ngjarjes. Hetuesit kanë rindërtuar mekanizmin e krimit të pesëfishtë që ndodhi të premten në Plazhin e Durrësit, por ende nuk ka një publikim zyrtar të këtij varianti. Prokuroria e Krimeve të Rënda do të ketë objekt të hetimeve të saj dhe parregullsitë, në mos dekonspirimin e aksionit për kapjen e Dritan Dajtit. Masakra e Durrësit duket se nuk do të ketë në qendër të hetimeve vetëm Dritan Dajtin dhe miqtë e tij, të cilët, gjatë aksionit të policisë për kapjen e tyre ditën e premte, vranë katër punonjës policie. Pikërisht edhe ky aksion pritet të zbardhet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por, pavarësisht se grupi hetimor ka dijeni se Dritan Dajti ishte i rrezikshëm dhe operacioni për kapjen e tij ishte i vështirë për t’u realizuar paq, hetuesit po përpiqen të gjejnë përgjigjen e një tjetër pyetjeje që lidhet me operacionin e policisë.
12 Gusht 2009