E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, preket fëmija i parë me virusin A/H1N1



Emanuela Sako

Shfaqen dyshimet për fëmijën e parë të prekur nga virusi i gripit të derrit në vendin tonë. Bëhet fjalë për një fëmijë 4-vjeçar, mostra e të cilit është konfirmuar nga ISHP-ja si mbartës i virusit A/H1N1. Specialistët e ISHP-së kanë përmendur faktin se tashmë edhe fëmijët janë në listën e të rrezikuarve. Ky fakt ndryshon rrjedhën e përkujdesjes ndaj të gjitha kategorive që rrezikohen të preken, pasi deri tani më të prekurit kanë qenë të rinjtë. Ndryshe nga çfarë kishin deklaruar më parë specialistët, se gripi nuk është treguar agresiv te fëmijët dhe pleqtë në vendin tonë, tani gjithçka do të analizohet më me prioritet. Tashmë balancat kanë ndryshuar dhe specialistët bëjnë apel për një kujdes më të madh të prindërve për fëmijët, ku në rast të shfaqjes së simptomave të para ata të mos tregohen indiferentë, por të drejtohen menjëherë te specialisti.
Rastet
ISHP-ja ka kryer analizat laboratorike për mostrat e dorëzuara, rezultatet e të cilave kanë nxjerrë përfundimin për 5 persona të tjerë të prekur me virusin A/H1N1. Aktualisht këta persona po trajtohen nga mjekët me Tamiflu, por do të jenë rezultatet e laboratorit rumun që do të vendosin përfundimisht rezultatin. Të 5 mostrat e personave të dyshuar janë nisur për në Rumani, ku pritet që të vijë konfirmimi brenda një jave. Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, sqaroi se numri i mostrave që merren çdo ditë në poliklinika vazhdon të jetë i lartë. Personat që paraqiten më rëndë trajtohen në spital, ndërsa pjesa tjetër trajtohen në mënyrë të izoluar në shtëpitë e tyre dhe ndiqen nga mjeku i familjes. Autoritetet shëndetësore kanë pranuar se në evidentimin e rasteve të dyshuara me gripin e derrit ekzistojnë disa probleme, të cilat pengojnë kurimin në kohë. Pëllumb Pipero u shpreh se tashmë rritja e numrit të mostrave që analizohen në Laboratorin e Virologjisë në ISHP i ka kaluar kapacitetet. Një fakt i tillë ka sjellë vonesë në përgjigjen e analizave për personat e dyshuar dhe një problem për fillimin e kurës me Tamiflu, e cila e ka efektin brenda 48 orëve që nga shfaqja e shenjave të para. Specialistët shprehen se ka vonesa në kthimin e përgjigjeve të mostrave që janë dërguar edhe në laboratorët rumunë, edhe në ato të ISHP-së. Sipas tyre, në rast se medikamenti përdoret me vonesë, nuk jep efektin e duhur. Përgjigjja e analizave të personave të dyshuar nga laboratorët e ISHP-së del për tri ditë, duke bërë që të kalojë periudha prej 48 orësh e fillimit të medikamentit. Pipero shprehet se janë mjekët infeksionistë ata që duhet të vendosin për trajtimin e menjëhershëm të pacientëve, ku mbi bazën e shenjave klinike të përdorin apo jo Tamiflu që në kontaktin e parë me pacientin.
Vendndodhja Rastet e konfirmuara nga ISHP-ja janë banorë të kryeqytetit dhe vetëm dy prej tyre janë qytetarë të Sarandës dhe Lushnjës. Verifikimi i rasteve të dyshuara nga laboratori i Bukureshtit vjen kryesisht pas një jave, çka bën që mjekët shqiptarë të marrin vetë vendimin për mënyrën se si duhet t’i mjekojnë pacientët dhe për dhënien ose jo të ilaçit Tamiflu. Ky medikament mund të rezultojë i rrezikshëm për shëndetin nëse personat nuk janë prekur nga gripi i derrit, nga ndonjë virozë e stinës apo sëmundje tjetër. Pas konfirmimit të 4 rasteve të reja dy ditë më parë, ISHP-ja po analizon në laborator rreth 336 mostra të marra te pacientë nga i gjithë vendi. Këta pacientë kanë paraqitur shenja klinike të gripit të zakonshëm, por duke pasur parasysh që gripi i derrit ka simptoma të ngjashme me atë të zakonshmin, është e nevojshme që të trajtohen si të dyshuar deri në verifikimin e analizave. Aktualisht janë konfirmuar zyrtarisht 12 persona të prekur në vendin tonë, të cilët kanë lënë spitalin pas marrjes së kurës së nevojshme dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore. Për 12 rastet e konfirmuara, katër raste janë të grupmoshave 15-24 vjeç, 7 të tjerë të grupmoshës 25-44 vjeç dhe vetëm një rast i grupmoshës 45-59 vjeç. Është identifikuar dhe rasti i parë i fëmijës 4-vjeçar, që pritet verifikimi dhe qartësimi i rastit nga analizat.

Shkencëtarët: Mos përdorni Tamiflu për fëmijët

Shkencëtarët në Britani bëjnë të ditur për mospërdorimin e Tamiflusë te fëmijët nën moshën 12 vjeç. Ata shprehen se Tamifluja mund të shkaktojë probleme anësore më të theksuara te fëmijët e kësaj moshe. Sipas tyre, mjekët duhet të jenë më të rezervuar dhe të përdorin metoda të tjera për kurimin e fëmijëve. Ata bëjnë të ditur se vetëm vaksina mund të jetë një element i rëndësishëm për kurimin e të gjitha grupmoshave. Por, një dyshim tjetër është se vaksina po prodhohet me ritme të shpejta në Amerikë dhe efektet negative që mund të japë do të jenë më të mëdha. Shkencëtarët e pranojnë vetë këtë fakt, pasi Amerika do të prodhojë për të gjitha vendet e botës vaksinën kundër gripit të derrit dhe të gjitha vendet kanë hyrë në tratativa për të siguruar blerjen e dozave të mundshme për vaksinimin e pjesës më të madhe të popullatës, sidomos të disa kategorive që janë më të rrezikuara. Specialistët e OBSH-së bëjnë të ditur se vaksina po prodhohet me nxitim, prandaj ka shqetësime rreth rrezikut të efekteve anësore, ose për reaksionin alergjik që mund të shkaktojë në organizëm.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›