“Shqipëria model për shtetet e tjera, vazhdon të na befasojë me shifra pozitive të rritjes ekonomike”

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vlerëson rolin e qeverisë shqiptare përballë krizës ekonomike globale
Me rastin e publikimit të parashikimeve të korrigjuara për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore për vitin 2009 dhe 2010, BERZH-i thotë se efekti i krizës globale ka qenë modest në Shqipëri, në rend të parë falë një sistemi të shëndosh bankar dhe ekspozimit të kufizuar të ekonomisë shqiptare ndaj tregjeve ndërkombëtare.
Sipas BERZH-it, Shqipëria do të shënojë rritje më të lartë ekonomike këtë vit se sa që kishte parashikuar në maj të këtij viti.
Këtë e bën të ditur për BBC-në, Ivo Germann, nga zyra e kryeekonomistit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Cili është parashikimi i përgjithshëm për vendet e Evropës jug-lindore për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm?
Për të gjithë rajonin tani parashikojmë minus 6.2 për qind rritje të GDP-së reale për 2009, dhe pastaj 0.7 për qind rritje për 2010. Për 2009 ka pasur një përkeqësim të parashikimit tonë të rritjes për rreth 3 për qind ndërsa për 2010, tabloja është pak më e mirë dhe mendoj se ekonomisti kryesor tha se kjo është në rend të parë rezultat i disa efekteve të ripërtëritjes në Evropën Perëndimore në tërësi por definitivisht në 2009 disa shifra në tremujorin e parë e pjesërisht edhe në të dytin ishin më pak pozitive se sa që pritej. Por ka pasur vende edhe me befasi pozitive, si p.sh.:, Shqipëria.
Përse kjo befasi?
Shqipëria në një mënyrë vazhdon të na befasoj me shifra pozitive, dhe siç e keni parë ne e kemi bërë një korrigjim mjaft substancial duke ngritur parashikimin tonë për rritje për vitin 2009. Parashikimi ynë i korrigjuar tani do të jetë për një rritje prej 3 përqind gjatë këtij viti për dallim nga parashikimi i mëparshëm midis 1-2 për qind. Kjo në rend të parë vjen nga shifrat e realizuara, shifra preliminare por që ne i marrim si vlerësimet më të mira në dispozicion për dy tremujorët e parë, ku shohim se sektori i shërbimeve në veçanti ka shënuar rezultate të mira, dhe kjo përfshinë edhe shërbimet financiare. Kemi parë se sektori bankar në Shqipëri është relativisht i shëndoshë, bankat kane kapital të konsiderueshëm. Kemi parë edhe dyfishim të huave të pashlyera brenda afatit dhe kjo do të ketë në fund efekt negativ të ofrimit të huave për sektorin real. Por në përgjithësi sistemi bankar është në gjendje të mirë. Kemi parë pastaj rritje pozitive në ndërtimtari, mendoj se një pjesë e kësaj me siguri ka të bëj me masat e qeverisë për stimulim fiskal kështu që kjo pati në fakt efekt pozitiv për të kundër balancuar ndikimin negativ të krizës globale ekonomike. Ajo që duhet siguruar në të ardhmen është që deficitet e larta të mos shndërrohen në rritje të konsiderueshme të borxhit të përgjithshëm qeveritar, që tashmë është relativisht i lartë, mbi 50 për qind. Pastaj edhe sektori i komunikacionit dhe madje edhe ai i bujqësisë kanë parë shifra pozitive në dy tremujorët e parë, së këndejmi edhe nëse sektori i industrisë ka treguar një përkeqësim, edhe më tej mendojmë se rritja prej tre për qind është e arritshme.
Ju thoni se Shqipëria pritet të shpëtojë nga kriza globale?
Ne themi se mund të shmang recesionin meqë kemi rritje prej 1.6 për qind të parashikuar për 2010, që mund të jetë pak befasuese në shikim të parë sepse e kemi korrigjuar duke e ulur nga 1.8 për qind siç parashikonim në muajin maj. Por siç u tha edhe në konferencën për gazetarë se nuk do të ketë një ripërtëritje aq të madhe aty ku nuk ka pasur rënie të madhe dhe Shqipëria bie pikërisht në atë kategori, dhe është e qartë se me rritje shumë të madhe në dy tremujorët e parë kjo do të ketë një efekt në shifrat e rritjes për vitin e ardhshëm. Ajo që presim tani, shifrat negative nga industria, si dhe kushtet më të rrepta të dhënies së huave, dhe ulja e remitancave do të kenë efekt në ekonominë në gjysmën e dytë të vitit. Për këtë arsye ne nuk mendojmë se këto ritme të rritjes që kemi parë do të vazhdojnë në disa tremujorët në vazhdim. Pra një rënie në gjysmën e dytë të vitit por pastaj nëse shikoni shifrat nga tremujori në tremujor për vitin e ardhshëm, aty shohim një ripërtëritje, duke filluar me tremujorin e parë të 2010 ndoshta influenca negative e gjysmës së dytë të 2009 do të marrë fund dhe pastaj shohim disa zhvillime pozitive.
A ka mësime për ekonomitë e rajonit apo mos është jomodeste të mendohet ashtu?
Një prej faktorëve me rëndësi që Shqipëria të mund të shmang rënien në recesion është edhe ekspozimi i saj relativisht i ulët ndaj eksporteve. Shtetet e tjera në rajon janë më të ekspozuara sepse janë në një mënyrë edhe më të ndërlidhura me ekonomi të tjera. Por nëse ky është model për shembull - këtë nuk do ta thosha, sepse në afat të gjatë, popujt dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga integrimi i mëtejshëm, për këtë arsye ne edhe e inkurajojmë Shqipërinë të thellojë më tej dhe të diversifikojë tregjet e eksporteve. Por mendoj se ajo që mund të shihet si model për shtetet e tjera janë ndërhyrja shumë me kohë nga ana e Bankës Kombëtare, po ashtu sigurimi i likuiditetit të duhur, masat për parandalimin e transferimit jashtë vendit të likuiditetit në sektorin bankar si dhe përkushtimi shumë i qartë dhe komunikimi i qartë për sa i përket parashikimeve të inflacionit, që mendoj se tashmë ndihmuan Shqipërinë vitin e kaluar kur çmimet rriteshin në mbarë rajonin që të mbante inflacionin në nivel relativisht modest, stabilizimi dhe pritjet e qytetarëve, këto ndihmuan. Dhe mendoj se kjo është shumë pozitive.
Përmendët sistemin e shëndosh bankar të Shqipërisë. Kush duhet të marrë meritat për këtë?
Mendoj se është efekt i kombinuar në rend të parë edhe i gatishmërisë së bankave ndërkombëtare për të investuar në Shqipëri, pastaj kushtet adekuate të vëna nga qeveria për të tërhequr në fakt këto investime, pastaj siç e thashë më lartë, një masë e forcimit të mbikëqyrjes së bankave nga Banka e Shqipërisë. Mendoj se është përpjekje e kombinuar. Por përveç kësaj, rreziqet janë edhe më tej të larta. Kemi parë me këtë rritje të huave të pashlyera brenda afatit, ashpërsimi të kushteve për huadhënie, këto i shohim edhe si rrezik që ndikojnë negativisht për parashikimin tonë për vitin e ardhshëm sepse nëse në fund bankat nuk i japin hua sektorit privat, dhe sidomos ndërmarrjeve të vogla e të mesme që përbëjnë pjesën më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare atëherë kjo mund të shndërrohet në le te themi rrezik që ndikon negativisht për parashikimin tonë pozitiv apo parashikimin mbi zero për vitin e ardhshëm.