Pas sulmit ndaj heqjes së vizave, Ramës i mbetet në politikë veç agjenda e destabilizimit
Aksioni i socialistëve për përdhosjen e shqiptarëve si një popull që s’organizojnë dot zgjedhje të lira e të barabarta ka dështuar. Me deklaratat e djeshme mund të konsiderohet i dështuar edhe përpjekja për ta përjashtuar vendin nga harta e vendeve që do të përfitojnë nga heqja e regjimit të vizave. Tani për Edvinin ka mbetur veç dalja në dritë e agjendës për destabilizimin politik të vendit, agresion që ka nisur dje me përpjekjen për të krijuar një krisje në marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, por edhe me shtete të tjera fqinje
Jo më larg se dje, 7 parti politike në vend, të gjitha të humbura nga zgjedhjet e 28 qershorit, duket se kanë gjetur mënyrën e gabuar për të përfituar kapital politik, duke iu orvatur një çështjeje kombëtare që është kompetencë e agjencive qeverisëse në vend dhe ligjeve shtetërore. Këto pseudo-parti, kanë aktivizuar një nismë dashakeqe, ndaj çështjes së kufirit detar me Greqinë.
Me anë të një nënshkrimi, 7 partitë i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku i kërkojnë asaj që të ndalet ratifikimi i marrëveshjes për ujërat territoriale me Greqinë. Kjo çështje, e shumë përfolur nga mediat e kontrolluara nga Edi Rama dhe qarqet politike të influencuar nga ekstremistë majtistë, humbës në zgjedhje. Lëvizja e fundit vjen pas aksionit marramendës disamujor për të përfshirë vendin në listën e shteteve që s’organizojnë dot zgjedhje të lira e të ndershme, ndërkohë që pas 28 qershorit, kur edhe u çertifikua humbja e Edi Ramës, në krye të agjendës doli krijimi i një vatre destabiliteti politik, i cili do të mundësonte edhe mospërfshirjen e Shqipërisë në planin për heqjen e regjimit të vizave. Pjesë e parë e këtij aksioni ishte bojkotimi i parlamentit dhe raportimi se institucionet e Shqipërisë kishin legjitimitet të cunguar, ndërkohë që nga pozita ekstraparlamentare tashmë ka ardhur edhe lëvizja e dytë e rëndësishme apatride, ajo e apelimit të marrëveshjet për ujërat në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse informacioni i opozitës vijon të mbetet i cunguar, për shkak se deputetët e saj mbahen peng nga Edvini që të vijnë në parlament. Për Ramën kjo është pak e rëndësishme, pasi e rëndësishme i duket prishja e marrëdhënieve të shtetit shqiptar me fqinjtë, një fitore e rëndësishme e qarqeve antikombëtare por edhe një njollosje e krediteve që ka fituar vendi ynë si njëri gna kontributorët kryesorë të stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Ndaj këtyre partnerëve politikë apatridë, Qeveria “Berisha” ka reaguar ashpër duke i hedhur poshtë aludimet dhe të gjitha spekulimet rreth kësaj çështjeje. Me një dalje publike dhe debat të hapur me mediat edviniste, të cilat edhe e kanë sponsorizuar bllokimin e marrëveshjes, ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka cilësuar se polemikat ishin të pabaza e se marrëveshja mbështetej krejtësisht mbi konventat ndërkombëtare. Ai ka sqaruar se për kufirin detar me Greqinë, do të ndiqet rruga me transparencë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe do të sqarohen në mënyrë të plotë të gjitha shqetësimet dhe pretendimet e ngritura, në mënyrë qe t’u jepet fund spekulimeve dhe falsifikimeve mbi të vërtetën e kësaj çështjeje.
Në këtë drejtim, vetëm 2 ditë më parë ministri i Jashtëm, Meta, u shpreh se “për realizimin e kësaj marrëveshje, e cila është një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë që rrjedh nga aderimi i saj në Konventën e Detit, janë angazhuar specialistët më të mirë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve të tjera dhe janë ndjekur në mënyrë strikte të gjitha rregullat dhe procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar”.
Por, përpos këtyre argumente të palës qeveritare, është pala tjetër, që mbjell ksenofobi, duke u përpjekur me çdo kusht që të krijojë konfuzion në mbarë opinionin publik.