Dëshmitë e gjakmarrjes, nën hetim dy kryetarë
Policia e Shkodrës ka nisur hetimin për falsifikim dhe shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Bashkisë së Koplikut, Ramadan Likaj dhe kryetarit të Komunës së Postribës, Faz Shabaj
SHKODËR Alarmi i dhënë pak ditë më parë për shtimin e numrit të personave që kërkonin azil politik për shkak të gjakmarrjes, ka çuar në ndjekje penale ndaj dy kryetarëve të komunave në qarkun e Shkodrës. Sipas burimeve nga policia e këtij qyteti mësohet se ndaj tyre ka nisur hetimi për veprën penale të “falsifikimit”.
Hetimi
Drejtoria kundër Krimit Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër bëjnë me dije se ka nisur procedimin penal ndaj kryetarit të Komunës Postribë, Qarku Shkodër, Faz Shabaj dhe kryetarit të Bashkisë Koplik, rrethi Malësi e Madhe, Ramadan Likaj. Dy krerët e komunave Postribë dhe Koplik akuzohen se, duke shfrytëzuar postet e tyre drejtuese kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara hasmërie.
Shtetasit të cilët përdornin këto dokumente të falsifikuara, duke përfituar nga lëvizja e lirë, pasi kanë shkuar në vendet e zonës “Shengen”, kryesisht në Belgjikë, kanë aplikuar për azil pranë organeve kompetente në këto vende. Kërkesat e tyre për azil kanë qenë të shoqëruara me vërtetime nga komunat Postribë dhe Koplik, ku thuhej se ishin në konflikte dhe në gjakmarrje. Nga hetimet ka rezultuar se këto vërtetime janë lëshuar pa u mbështetur në ndonjë bazë ligjore dhe në shumicën e rasteve të falsifikuara, pasi personat për të cilët ishin lëshuar këto vërtetime nuk figuronin të ishin në hasmëri apo gjakmarrje.
Strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë hetimet për zbulimin e të gjithë personave të implikuar, ndërkohë dy krerët e komunave Postribë dhe Koplik akuzohen se kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe atë të “falsifikimit të dokumenteve”.
Mohimi
Ndërsa dy të akuzuarit, të kontaktuar nga gazeta kanë pohuar se dokumentet e lëshuara prej tyre nuk kanë qenë false. Sipas kryetarit të komunës Postribë, Faz Shabaj, “vërtetimet e lëshuara muajt e fundit nuk janë bërë direkt nga kryetari i komunës, por nga kryetarët e fshatrave që e kanë me ligj për të lëshuar vërtetime të faktit për banorët e tyre. Kryetari i komunës vetëm e ka sigluar vërtetimin, pra ka vërtetuar se kryetari i fshatit dhe personi i përmendur në vërtetim janë emra realë, nuk janë false, por janë persona faktikë, banorë të fshatrave përkatës”. Ajo ka pohuar se në këtë zonë ka shumë konflikte, të cilat në të shumtën e rasteve nuk janë denoncuar në polici, pasi kanë preferuar që problemet t’i zgjidhin personalisht. Madje, përplasjet mes tyre e kanë zanafillën që nga problemet e pronësisë e deri te ngjarje me motive të dobëta. Po kështu edhe kryetari i Bashkisë Koplik, Ramadan Lika ka deklaruar se vërtetimet e lëshuara janë të protokolluara nga institucioni që ai drejton. “Bashkia Koplik ka lëshuar disa vërtetime mbi bazën e të dhënave të çdo qytetari që është paraqitur pranë këtij institucioni. Strukturat e Bashkisë Koplik i kanë marrë në shqyrtim dhe gjithçka është protokolluar”. Në fakt, problemi i gjakmarrjes është goxha i përhapur në Shkodër dhe thuajse të gjitha njësitë vendore që bëjnë pjesë në këtë qark janë të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes.