Shkeljet në qarkullim, rrugorët 100 gjoba në tri ditë
Gjirokastër Gjatë ditëve të fundit me mot të keq, reshje të rrëmbyeshme shiu dhe mjegull të dendur, efektivat e Policisë Rrugore në Qarkun e Gjirokastrës kanë rritur nivelin e kontrolleve në drejtim të respektimit të Kodit Rrugor nga ana e drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në rrugët kombëtare dhe ato dytësore. Sipas burimeve në Inspektoratin e Qarkullimit Rrugor në Gjirokastër, moti i keq dhe shtimi i fluksit të lëvizjes së automjeteve në drejtim të doganës së Kakavijës kanë bërë që të rritet edhe numri i postblloqeve të Policisë Rrugore, të pranishme në rrugën kombëtare Gjirokastër-Kakavijë. “Kujdes në këtë drejtim po tregohet edhe për mbajtjen nën kontroll të qarkullimit të automjeteve, kryesisht në rrugët e brendshme të qytetit të Gjirokastrës apo segmentet kryesore rrugore që lidhin zonat malore të rrethit me qendrën”, - thonë burime në Inspektoratin e Qarkullimit Rrugor. Gjatë tri ditëve të fundit me shira të rrëmbyeshëm dhe mjegull të dendur, efektivat e Policisë Rrugore kanë vendosur rreth 100 gjoba për shoferët që nuk respektojnë Kodin Rrugor apo kanë mangësi në dokumentacionin përkatës “Në këtë situatë kërkojmë nga drejtuesit e mjeteve dhe kryesisht nga emigrantët, që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe kryesisht të shmangin përdorimin e pijeve alkoolike”, - thonë drejtuesit e Policisë Rrugore në Gjirokastër.