Dëshmitë në shtyp pas atentatit në 1931: Franziska Janko, e dashura vjeneze që marrosi Ahmet Zogun

Makina mbi te cilen qelluan dy atentatoret ne Vjene, Mbreti Zog, Ndok Gjeloshi dhe Aziz Cami
Gazetat vjeneze zbardhin jetën dashurore të Mbretit shqiptar.
Artistja 25-vjeçare ishte e bija e një kopshtari të thjeshtë nga Vjena, me shumë fëmijë.
Atentati i 20 shkurtit 1931 mbi Mbretin Zog në të dalë të Operës së Vjenës, ku ai kishte shkuar të ndiqte operën Pagliacci, zbuloi edhe shumë aspekte të tjera të jetës së Mbretit shqiptar. Mediat vjeneze i mbushën faqet e tyre, jo vetëm me ngjarjen e ndodhur në qendër të Vjenës, ku mbeti i vrarë adjutanti i Zogut dhe u plagos një tjetër shoqërues i tij, por edhe me jetën dashurore të Mbretit Zog. Gazeta vjeneze Die Stunde ka investiguar hollësisht mbi të. Sipas kësaj gazete, artikujt e së cilës janë publikuar nga përkthyesi dhe albanologu Robert Elsie, Mbreti Zog asokohe ishte i dashuruar marrëzisht me një 25-vjeçare vjeneze, nga një familje e sërës së ulët, por së cilës ai i plotësonte çdo dëshirë… Quhej Franziska Janko, e vetëpagëzuar baroneshë dhe, ndërsa në hyrje të Teatrit të Operës qëllohej mi Mbretin Zog, ajo, së bashku me të motrën e prisnin në restorant, ku do të darkonin së bashku. al.mi
…vijon nga numri i kaluar
Të dy vrasësit duket se i përkisnin një organizate sekrete

Karikatura mbi atentatin e mbretit Zog në gazetën vjeneze Die Stunde. - Cilat janë të rejat e fundit nga fronti i luftës në Operngase? - Zogu vazhdon të jetë në duart tona
Të dy deklaruan gjatë marrjes fillestare në pyetje, në stacionin policor, se ata kishin për qëllim të vrisnin Mbretin Ahmet Zog, sepse e konsideronin atë një tradhtar të kombit shqiptar. Ata besonin se ai e kishte çuar drejt shkatërrimit vendin e tyre.
Gjeloshi deklaroi se ai kishte qenë pranë operës krejtësisht në mënyrë rastësore natën e kaluar dhe me një shikim të shpejtë kishte fiksuar automobilat që Mbreti po përdorte në Vjenë. Kështu ai arriti në përfundimin se Mbreti ishte në opera. Më tej, ai pohoi se qëndroi në stacionin e tramvajit në udhëkryq dhe priti Mbretin. Pas performancës, kur mbreti u largua nga teatri i Operës, ai nxitoi drejt tij dhe qëlloi disa herë. Ai u përpoq të merrte gjithë përgjegjësinë mbi vete, duke pohuar se ai kishte kryer sulmin, pa kurrfarë marrëveshjeje të fshehtë me askënd tjetër. Gjeloshi insistoi se ai kishte vepruar si rezultat i një impulsi të çastit dhe nuk kishte komplotuar me Aziz Camin.
Pas marrjes në pyetje më gjatë, Aziz Cami nga ana e tij ka pranuar se vendimi për vrasjen e Mbretit Ahmet Zog ishte marrë dy ditë më parë, pasdite. Ai kishte takuar Gjeloshin dhe kishte folur me të për këtë çështje. Natën e kaluar, të dy u takuan rastësisht, panë makinën e Mbretit dhe, duke përfituar nga rasti që u kishte lindur, vendosën të kryenin sulmin.
Pasi Aziz Cami nuk mbante armë, ai u kthye në shtëpinë e tij në Hegergasse me sugjerimin e Gjeloshit dhe u kthye me shpejtësi me revolen e tij. Ishte kjo armë me të cilën u krye sulmi. Aziz Cami, të cilit iu gjet në posedim një revolver 8 milimetër, tha që është me origjinë ruse. Ai përdori gjithë karikatorin. U zbulua se Aziz Cami kishte qëlluar shtatë të shtëna. Gjeloshi kishte një pistoletë dhjetëshe, nga e cila mungonin vetëm dy fishekë.
Pikëpamjet politike të vrasësve
Aziz Cami i përkiste partisë së ish-kryeministrit Fan Noli dhe, sipas fjalëve të tij, është mbështetur financiarisht nga anëtarët e partisë në vendin e tij. Ndok Gjeloshi është një anëtar i grupit të emigrantëve shqiptarë Bashkimi Kombëtar dhe ka mohuar se po mbështetej nga bashkatdhetarët e tij në vendlindje me fonde të cilat i janë dhënë nga shoku i tij, anëtari i partisë Angjelin Suma, gjithashtu me banim në Vjenë.
Policia po heton nëse një vrasës i tretë është përfshirë direkt në përpjekjen për të vrarë Mbretin. U pëshpërit se një njeri i tretë kishte qëlluar mbi makinën e mbretit. Dëshmitë nga dëshmitarët rreth këtij personi të tretë janë kontradiktore. Meqenëse u qëllua nga makina, është e mundur që dëshmitarët okularë kanë ngatërruar Major Libohovën me një vrasës.
Një përshkrim dramatik i atentatit – Raporti i dëshmitarëve okularë

Franziska Janko, e dashura e mbretit Zog, në vitin 1931
Inxhinieri Adolf Alfred Liewers, menaxher i kompanisë së automobilave Mercedes, i cili dëshmoi sulmin ndaj Mbretit Zog dhe, pas ngjarjes, shoqëroi Mbretin nga automobili i tij në Operë, i dha gazetarit tonë detajet e mëposhtme dramatike:
Kompania jonë i kishte dhënë Mbretit shqiptar një automobil dhe një shofer gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Vjenë. Për këtë arsye, unë e njihja Mbretin e Shqipërisë dhe njerëzit që e rrethonin. Unë kam qenë në Operë natën e fundit që u ndoq nga Mbreti Zog dhe isha ulur në radhën e parë të lozhës I. Vetëm pak para përfundimit lashë vendin tim, kur vura re se Mbreti dhe shoqëruesit po largoheshin, dhe dola jashtë ndërtesës nëpërmjet daljes Ring për të takuar Mbretin Zog në dalje të Operngasse. Kur arrita daljen nga salla e Operngasse, pashë që Mbreti sapo kishte hyrë në automobil. Pranë tij ishte administratori i tij Libohova dhe Major Topallaj ishte gati të hipte në makinë. Askush nuk ishte pranë automobilave në atë moment dhe rrugët ishin pothuajse bosh. Ishte vetëm një polic në mes të rrugës dhe pak këmbësorë që po kalonin aty pari. Papritmas një njeri vrapoi në drejtim të automjetit nga drejtimi i restorantit të operës. Unë mendova se donte ti hidhte një sy Mbretit. Një e shtënë u dëgjua më pas. Njeriu kishte nxjerrë një revolver dhe qëlloi të shtënën e parë mbi automjet nga një distancë prej gjashtë metrash. E shtëna e fundit u qëllua nga një distancë prej dy metrash. Major Topallaj, i cili po hipte në makinë, u godit nga të gjitha të shtënat. Ai i kishte të dyja këmbët mbi mbajtësen e këmbëve kur u qëllua dhe ra prapa, jashtë nga mjeti. Një oficer i policisë që ishte aty pranë, dy kalimtarët dhe unë, kapëm vrasësin.
Ndërsa kalimtarët dhe oficeri i policisë ishin duke u përpjekur për të mposhtur vrasësin, me të cilin po përlesheshin, një person i dytë nxitoi në drejtim të automjetit nga i njëjti drejtim. Ai qëlloi të shtënën e tij të parë rreth dy hapa larg nga automobili dhe pastaj qëlloi edhe tri herë të tjera. Në këtë moment, unë nxitova drejt automjetit dhe i thashë Mbretit se duhet të dilte menjëherë nga makina dhe të kthehej përsëri në Operë. Mbreti po mbante një revole në dorë dhe isha me fat që ai më njohu. E ndihmova të dilte nga automjeti dhe e lashë të sigurt në hyrje të sallës. Më pas ula qepenat dhe mbylla dritat. Mbreti Zog u shoqërua në dhomën e zjarrfikësve dhe drejtuesit e Operës dhanë urdhër që asnjë person i panjohur të mos lejohej të hynte e të dilte. Mbreti pastaj u shoqërua në zyrën e drejtorit të përgjithshëm, Shnajderhan. Njëzet minuta më vonë, ai u largua nga opera nga një tjetër dalje.
Inspektimi i automjetit të Mbretit Zog që do të kryhet sot pas