E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabisin kosovarët te Kryqëzimi i Milotit, pranga dy të rinjve

LEZHE – Dy të rinj kanë rënë në prangat e Policisë ditën e djeshme pasi grabitën një familje kosovare në hyrje të Rrugës së Kombit (Durrës-Kukës), në afërsi të Kryqëzimit të Milotit. Damian Prela, 23 vjeç, i njohur edhe me emrin e dytë, Besmir Prela dhe Elvis Alia, 19 vjeç, banues në qytetin e Mamurrasit janë arrestuar në flagrancë vetëm pak orë pas kryen grabitjen. Burimet e Policisë lokale thanë mbrëmjen e djeshme se dy të rinjtë kanë qenë të maskuar dhe mbanin me vete një send të fortë, por për familjen kosovare është menduar se ajo ishte një armë zjarri. Për rrjedhojë, udhëtarët me makinë janë detyruar të ndalojnë. Policia bëri të ditur se Damian Prela dhe Elvis Alia kanë kërcënuar 4 pjesëtarët e familjes kosovare, dy bashkëshortët dhe dy fëmijët e tyre që udhëtonin në drejtim të Prishtinës që të dorëzonin sendet me vlerë. Ata i janë bindur urdhrit të të rinjve, duke dorëzuar tek ta sendet që kishin me vete. Grabitja është parë nga kalimtarë të rastësishëm, të cilët kanë lajmëruar menjëherë në sallën operative në lidhje me ngjarjen. Drejt vendit të ngjarjes janë nisur grupe të gatshme nga Lezha dhe Kurbini, por janë vërejtur nga dy grabitësit, të cilët kanë tentuar të largohen nëpër disa parcela duke përfituar edhe nga rënia e errësirës. Ata kanë mundur t’u marrin 4 pjesëtarëve të familjes kosovare disa sende ari dhe paratë që u ndodheshin me vete. Megjithëse kanë qenë të maskuar, policia është vënë në ndjekje të tyre dhe pasi i ka rrethuar, Prela dhe Alia janë dorëzuar, ndërsa kanë hedhur gjatë largimit maskat dhe sendet e grabitura. Pasi ka vënë në pranga dy autorët, Policia ka arritur të gjejë pas 3 orësh kërkime dy maskat e përdorura për grabitje, si dhe një varëse ari që iu mor nga qafa drejtuesit të mjetit. Këta të fundit janë marrë në pyetje nga Policia, ku është bërë edhe denoncimi përkatës ndaj të rinjve, dhe më pas janë larguar drejt Kosovës. Burime nga Drejtoria e Policisë në Lezhë kanë bërë të ditur se dy të ndaluarit, të cilët janë kapur në flagrancë me sendet e vjedhura, po hetohen për implikime të mundshme në ngjarje të ngjashme edhe më parë. Damian Prela dhe Elvis Alia mendohet se janë përfshirë edhe në vjedhje të tjera të kryera në zonën e Kurbinit, ndërsa do të merren në pyetje nga prokurori i çështjes, me qëllim për të zbardhur aktivitetin e tyre. Grabitja e kryer nga dy të rinjtë nga Mamurrasi është parë edhe nga drejtuesit e tjerë të mjeteve, ndërsa ndaj tyre do të rëndojë akuza e grabitjes me dhunë e kryer në bashkëpunim.                   gj.f

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›