Dëshmo që e do pushtetin edhe për vete, edhe për të majtën
I nderuar “Shekulli”! Kjo është një letër e hapur për kryetarin e LSI-së në grevë urie. Zoti Ilir ka të drejtë që kërkon një përfaqësues në komisionet zgjedhore. Mendimi im si qytetar është ky: Komisionet zgjedhore, ose duhet të jenë krejtësisht të depolitizuar, ose çdo parti të ketë përfaqësuesin e vet. Por, zoti Ilir, unë jam krejtësisht i zhgënjyer lidhur me personalitetin tënd politik brenda së majtës. Je bërë person i padëshiruar nga e majta, sepse e ke përçarë atë.
Në 2005-n, me këtë sjellje u bëre shkaktar që e djathta erdhi në pushtet me shumë më pak vota se e majta. Nëse vazhdon me këtë egoizëm personal, do të jesh përsëri shkaktar që në 2009-n, e djathta të ketë sërish të sigurt fitoren. Unë mendoj, z. Ilir, që ne jemi bërë qesharakë, për nga numri i madh i partive që kemi.
Si i moshuar që jam, të këshilloj: Po deshe pushtet për vete dhe për të majtën, ribashkohu me Partinë Socialiste. Nëse nuk bashkohesh, dëshmon se për të majtën nuk të bëhet vonë, por pushtetin e kërkon vetëm për vete.
Me gër-vëret pambarim, gjatë gjithë këtij viti nuk je sjellë si parti e majtë, ndaj nuk je trajtuar nga PS-ja si i tillë. Nëse vijon kështu, le të kesh sa të duash përfaqësues në komisionet zgjedhore, davanë e ke të humbur. Si ti, si Edi Rama, si individë dhe si parti.