Edhe kur ka patur 13 komisionerë, zgjedhjet keq kanë shkuar
Vendim ekstrem! Kështu e gjykoj veprimin e deputetëve të futur në grevë urie, si presion për shtimin e dy komisionerëve në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore. Mjeti dhe rruga e zgjedhur nuk e justifikojnë qëllimin.
Në retrospektivë kujtojmë se edhe kur i kemi patur komisionet me nga 9 dhe 13 vetë, përsëri zgjedhjet tek ne janë manipuluar dhe kontestuar jo njëherë, por disa herë. Pra, shtimi i komisionerëve nuk është zgjidhja dhe gjetja magjike për marrjen dhe mbrojtjen e votës. Përkundrazi, votat fitohen në fushëbetejën e zgjedhjeve, duke shpalosur ide, vizione dhe alternativa në favor të progresit e të zhvillimit të vendit.
Në sistemin demokratik ka shumë hapësira, rrugë e mundësi dialogimi, debati e ballafaqimi. Debati parlamentar është hapësira dhe forma më demokratike, që deputetët grevistë duhet t’i shfrytëzojnë e konsumojnë.
Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq, pasi ka edhe deputetë nga këta që kanë braktisur parlamentin edhe fizikisht, madje edhe në ato raste kur janë diskutuar probleme jo pak të rëndësishme.
Dhe absurdi është se greva e deputetëve zhvillohet në sallën e parlamentit, duke bllokuar edhe vijueshmërinë normale të seancave parlamentare e duke mbajtur peng parlamentin.
Instikti dhe xhelozia për pushtet janë diçka, por ato nuk mund të zëvendësojnë forcën reale politike në parlament.