Dëshmoj poshtërimin e “trurit” në Shqipëri
Ka kohë që në mjediset e universiteteve publike të vendit, të institucioneve që mbështeten mbi punën intelektuale të të punësuarve, “vijnë rrotull” rregullore të disiplinës në punë, kontrata për detyrime të shkruara dhe të pashkruara, të parashikuara dhe jo të parashikuara në dokumente ligjore të hierarkive më të larta, që gjithsesi duhet të firmosen, jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga të vjetrit, me grada shkencore më të lartat që mund të merren në një sistem kualifikimi. Premtohen në formë vendimesh qeverie dhe udhëzimesh në zbatim të tyre shpërblime për kualifikime të kryera ose jo, të përpiluara për profesorë dhe jo profesorë universitetesh, mbi kritere shumë herë të mjegullta dhe diskriminuese. Në rreshtat e shkresave që bartin rregulloret, kontratat, nuk ndjehet vullneti qeverisës për të nxitur, për të motivuar të qeverisurit dhe për t’i bërë ata pjesë reale të zhvillimit të vendit, zotër të këtij zhvillimi. Përkundrazi, në secilën prej tyre ndjehet një përpjekje e ethshme për vendosjen e një kontrolli formal, më saktë, për vendosjen e një peshe rënduese mbi universitarët, mbi punonjësit kërkimorë shkencorë, mbi punonjësit e kualifikuar në përgjithësi. Një peshë që vetëm tërheq, frenon, nuk shtyn, nuk nxit dhe që në çdo rast ndjehet se është pjellë e një ligësie të paanë, të cilën vështirë të mos e dallosh. Në thelb, i gjithë ky proces përpilimi rregulloresh, kontratash të thata shtrënguese, të kopjuara nga kushedi se ku, konstatohet të jetë një përpjekje për të mbushur zbrazëtinë e krijuar nga mospërdorimi realisht i punës dhe aftësive intelektuale të njerëzve në zhvillimin e vendit me nevojën për konstatimin thjesht formal të ekzistencës së tyre. I gjithë shqetësimi i qeverisjes, në të gjitha nivelet, duket se është reduktuar deri në bërjen çmos që të vihet re kjo ekzistencë, të dalë në vitrinë, që intelektualët janë atje, të punësuar nga universitetet dhe veçanërisht të punësuar nga administrata e qeverisjes së vendit, madje, edhe më veçanërisht: mundësisht të arsimuar diku larg, sa më larg Shqipërisë. Prandaj, të gjitha format e ruajtjes, motivimit, zhvillimit perspektiv “të trurit”, pra, thjesht prova e pranisë në shoqëri të njerëzve të kualifikuar, nuk bëhet duke nxjerrë në dukje produktin e tyre, nuk bëhet duke e blerë atë produkt nga vetë qeveria dhe materializuar në qeverisjen apo zgjidhjen e një problemi të këtij vendi. Përkundrazi, bëhet duke matur orët e punës, praninë në orar, gatishmërinë fizike, numrin e fletëve dhe vulave në kredenciale, njësoj si mund të bëhej me rojën e një dere të ndryshkur konvikti. Në rastet më cinike, bëhet duke gjetur një formë shpërblimi për shkak të kualifikimit, gradës shkencore, që në qoftë se nuk është qesharak, me siguri ndodh të jetë diskriminues.
Ky shkrim ndoshta nuk do të ishte përgatitur, nëse nuk do të kishte një shkak të fortë, tronditës. Aq më shumë, të flasësh sot për kontrata formale apo për shpërblime diskriminuese të njerëzve të kualifikuar, në një kohë kur të gjithë e ndjejmë se jemi të rrethuar nga një mjerim aq mbimbulues, saqë jo vetëm të shtyp, por mbi të gjitha të mjegullon pamjen, kjo nuk është shumë racionale. Ngjarja tronditëse nuk është as atentat, as vrasje masive në një punishte mesjetare municionesh, as shembje miniere që zë poshtë minatorët si “minj të neveritshëm”. Është një kontratë e lëshuar në një universitet të Tiranës, me siguri edhe në më shumë se një universitet, çka mbetet për t’u verifikuar. Vinte e shfaqej pas shumë kontratash të tjera, të cilat ne, që punojmë në universitete, i kemi parë shpesh këto kohët e fundit. Nuk fillonte me detyrimin e atij që ofron kontratën, pra, me detyrimin e universitetit ndaj mësimit dhe mësimdhënësit. Nuk fillonte me kushtet që duhet të plotësohen në një proces mësimor universitar, me laboratorët, tekstet, energjinë elektrike, lehtësirat, pagesën. Është bërë e zakonshme në Shqipëri të mos fillojë kështu një kontratë që ka dy palë, pra është bërë e zakonshme të fillojë e të mbarojë vetëm me detyrimet e mësimdhënësit, saktësisht si në një proces hetuesie, ku të dyshuarit i vihet mbi tavolinë të firmosë atë që ai merr përsipër të thotë, të bëjë, ndërsa roli i tjetrit, d.m.th., i hetuesit, është thjesht ta detyrojë atë që ndodhet para tij të firmosë. Kontrata fillonte si zakonisht me orarin, me detyrimet fizike dhe jo akademike të profesorit. Edhe me këto jemi mësuar dhe nuk na bën më asnjë përshtypje, pra, po të përdornim zhargonin e politikës së sotme, as kjo nuk na impresionon fare. Impresioni, pra përshtypja, vinte befasisht andej nga fundi i kontratës, në një nen përmbyllës, në të cilin thuhej: “Në rast reformimi të institucionit, profesori mund të dalë si i papunë”. Pra, profesori i një universiteti publik duhet të firmoste daljen e tij si i papunë njësoj si firmos një roje magazinash, si një punëtor ngarkim-shkarkimi apo njësoj si firmos një polic trafiku, pasi i thonë që jeni bërë shumë tani. Ka vërtet shumë pyetje për të bërë, përpara se një profesor universiteti të firmosë këtë kontratë, por pyetja më interesante do të ishte: çfarë reformimi qenka ai që nxjerr të papunë një profesor universiteti? Me siguri, në qoftë se do të ekzistonte një reformim i tillë, ai do të ishte as më shumë e as më pak një revolucion tjetër kulturor i mbetur pa ardhur te ne për shkak të rrugës së gjatë nëpër Azi. Që në vitin 1996, universitetet publike të vendit janë inkurajuar që në statutet e tyre, statusi i profesorit të plotë të kishte “tenure”, d.m.th., sigurinë që ai do të mbante këtë titull dhe pozitë deri në daljen në pension, çka do t’i jepte lirinë e nevojshme për të kryer misionin e tij akademik dhe shkencor pa u ndikuar nga faktorë të jashtëm politikë apo administrativë. Madje, në një statut tip të firmosur në vitin 1999 nga ministri socialist i Arsimit të asaj kohe, klasa e profesorëve universitarë përjashtohej nga kontratat, çka do të thoshte që statusi i tyre kishte sigurinë që buronte nga ligji, d.m.th., sigurinë që të plotësonte misionin pa patur frikë se rrezikonte vendin e punës. Prandaj, pyetja tjetër vjen vërtet natyrshëm: ǒështë ky kthim prapa? ǒështë, pra, kjo frymë stepash që na lë ndjesinë e rërës në gojë, duke na kujtuar atë që rëra mbart: mungesën e jetës, tharjen e shoqërisë në një luftë të paprinciptë me kulturën, shkencën dhe kultivuesit e tyre?
. . .
Një kontratë e tillë, si një rast kulmor i poshtërimit të “trurit”, nuk vjen rastësisht, por në fakt është pjesë e një procesi të gjatë poshtërues që ka nisur kohë më parë dhe jo vetëm në arsimin e lartë, por edhe në sektorë të tjerë, ose më mirë, në krejt atë hapësirë ku ndodhen punëtorët e mendjes, aq sa mund të thuhet që është shndërruar në një politikë qeverisëse. Shenja e parë u dha strikt në politikë. KOP nuk ishte thjesht një ripërtëritje e PD, madje nuk ishte fare ripërtëritje. Për shkak të mënyrës se si u krijua, befasisht dhe jashtë të gjitha procedurave të një partie normale demokratike, më shumë se një ripërtëritje, themelimi i KOP ishte një puç brenda partisë, jo kundër kryetarit, por në emër të tij për të larguar njëherë e mirë nga partia njerëzit e pavarur intelektualisht, ata që në fakt i kishin dhënë asaj profilin më të dallueshëm në spektrin politik shqiptar dhe që ishin “shtyrë” e mbajtur larg partisë me njëmijë e një mënyra. Nga ana tjetër, KOP, dhe kjo tashmë është plotësisht e vërtetuar, nuk u krijua për motive ripërtëritje, aq më shumë intelektuale, edhe pse thjesht ishte një mjet për të synuar pushtetin, të cilin KOP-istët e morën shpejt e shpejt mbi bazë të një kontrate të pashkruar, pa zë, pra konspirative, jo me partinë, por vetëm me kryetarin e saj. Kjo kontratë, që nuk ka burrë ta mohojë, sepse është bërë sot një fakt qeverisjeje, është në thelb një koncesion. Hapësira me tepri, jashtë natyrës së një qeverisjeje demokratike, që i jepet pushtetit të kryetarit të partisë në drejtimin e partisë, por edhe në rolin e kryeministrit, bëhet jo vetëm në kurriz të demokracisë në parti, por edhe në kurriz të personalitetit të munguar të KOP-istëve, në kurriz të administrimit të partisë nga intelektualë të lirë, pavarësisht nga kufizimet politike që të imponon vetë partia. Në pikëvështrimin e këtij shkrimi, inekzistenca e intelektualëve që shprehin lirshëm mendimin e tyre, pra, koncesioni që qëndron në themelin e sotëm të PD, nuk është as më shumë dhe as më pak veçse një tharje, një poshtërim i mendimit, “trurit”, në qeverisjen politike të kësaj partie.
Shenja që dëshmojnë poshtërimin e “trurit” janë dhënë pothuajse në të gjitha fushat, por veçanërisht dalluese ato nxijnë në fushën e politikës dhe administrimit të universiteteve. Një shembull tipik, të cilin e kam përmendur edhe më parë në librin tim mbi mungesën e reformimit në këtë sistem, është mënyra se si u ndërtua përbërja e Këshillit të Arsimit të Lartë. “Eksperti” i zhveshur nga njohja historike e universitetit shqiptar, pa asnjë titull akademik, pa asnjë kontribut, por vetëm sepse plotësonte kushtin e kryerjes së shkollës jashtë kufijve të këtij shteti të varfër dhe fatkeqësisht jodinjitoz, “zhvendosi” me ligj profesorin shqiptar nga ky Këshill, nulifikoi eksperiencën dhe kontributin e paçmuar që rri brenda autoritetit të tij. Tipa Lej Fenësh, që u sajuan aty për aty, u bënë pjesë e Këshillit që ndërton politika për një sistem që Lej-Feni s’e ka njohur kurrë. Të tillë nuk ka vetëm në këtë Këshill, metoda të tilla nuk janë aplikuar vetëm në këtë Këshill. Në të gjithë hapësirën brenda kufijve të shtetit jetojmë absurdin e rikthimit në kohën e mohimit të vlerave, absurdin e rikthimit të një snobizmi bosh, që i shkon vetëm një shoqërie të mbyllur. Për rrjedhojë, po rijetojmë edhe njëherë kohën e rikthimit të sundimit të të paaftëve.
. . .
Janë të gjitha faktet për të besuar se qeverisja është përfshirë, vuan nga një kompleks inferioriteti, çka e detyron atë të denatyrojë marrëdhëniet e saj me klasën e intelektualëve, veçanërisht me profesoratin shqiptar. T’i ruajë këto marrëdhënie vetëm formalisht, jo në thellësi, jo në thelb, por në distancë. Kompleksi i inferioritetit e detyron këtë qeveri që të shfaqë interes për “trurin”, jo sepse i duhet, jo sepse ka qëllim ta përdorë atë realisht, jo si një substancë të çdo reforme dhe ndryshimi esencial të vendit, por si stoli, si një dëshmi false të një qeverisjeje kinse moderne, veçanërisht në vitrinën që shohin ndërkombëtarët. Madje, të ndërtojë edhe programe për kthimin në Shqipëri të “trurit” të ikur, duke besuar se ky gjest mund të nënkuptohet si një orientim perëndimor i stilit të qeverisjes. Po të shkosh më në thellësi, bëhet gjithmonë e më e dukshme se angazhimi realist i “trurit” në qeverisjen e vendit, në zgjidhjen e problemeve më esenciale të tij, së paku nuk është pjesë e kulturës qeverisëse të kësaj qeverie. Mosangazhimi i tij, nga ana tjetër, është në fakt një rrugë për të qëndruar larg problemeve reale, larg të vërtetës, për të mos e artikuluar publikisht atë, për ta modifikuar në funksion të interesave politike. Në këtë drejtim funksionojnë edhe kontratat si një mjet presioni, frikësimi. Në këtë drejtim funksionon një sistem i tërë diskriminues shpërblimesh. Në këtë drejtim funksionon nxitimi për të promovuar të rinjtë, jashtë kritereve, zhveshur nga vlerat historike për të improvizuar një ndërrim të zhurmshëm, aspak etik dhe të padrejtë të gjeneratave, çka nuk do të jetë një lojë nesër, por burim i një konflikti tjetër, që do t’i mbivendoset konflikteve jo të pakta të së sotmes.