“Krimi në orën 19:30”
“Indiferenca nuk është fillimi, ajo është fundi. Prandaj, indiferenca është përherë mike e armikut, sepse ajo ndihmon agresorin - kurrë viktimën e tij, dhembja e së cilës rritet, kur ai ose ajo harrohen. I burgosuri politik në qelinë e tij, fëmijët e uritur, refugjati i pastrehë - duke mos iu përgjigjur vuajtjes së tyre, duke mos ua lehtësuar vetminë me një shkëndijë shprese, do të thotë t’i dëbosh ata nga kujtesa njerëzore. Duke mohuar dinjitetin e tyre ne tradhtojmë dinjitetin tonë. Indiferenca, pastaj, nuk është më vetëm mëkat, ajo është edhe dënim. Dhe ky është njëri ndër leksionet më të rëndësishme në eksperimentet e thella me të mirën dhe të keqen në shekullin që po shkon”. Këto fjalë i ka thënë nobelisti Elie Wiesel më 12 prill 1999 në një ligjëratë në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të serisë mbi Leksionet e Mileniumit. Ishte ajo një kohë, kur NATO luftonte për të ndërprerë përpjekjet serbe për gjenocid në Kosovë, një kohë kur kolona të gjata dhe të panumërta njerëzish prisnin për të kaluar kufirin e Maqedonisë, i cili ishte shndërruar në vrimë gjilpëre. Mediet në Beograd, ndërkaq, raportonin vetëm për luftën heroike kundër NATO-s.
Armatosja e nocioneve
Indiferenca ndaj të krimit, madje edhe më keq: nxitja e urrejtjes dhe stimulimi i agresionit, ka qenë lajtmotivi i jo pak medieve gjatë tmerreve në Ballkan në vitet ‘90. Në fakt, periudha e armatosjes së nocioneve dhe “shkëlqimi” i dhëmbëve të verdhë kërcënues filloi që në vitet ‘80, njëkohësisht me ngjitjen në majat e pushtetit të Sllobodan Millosheviçit në Serbi. Shumë media u bënë vegla të pushtetarëve. Për këtë temë, natyrisht, është shkruar shumë viteve të fundit. Libri i publicistit boshnjak, Kemal Kurspahiç, megjithatë, është i veçantë. Fjala është për një autor, i cili ka qenë ndër penat më të njohura të gazetarisë në Jugosllavinë e Titos; në vitet 1988 deri 1994 Kurspahiç drejtoi gazetën legjendare të Sarajevës “Oslobogjenje”. Kjo e përditshme doli edhe në ditët më të rënda të rrethimit të kryeqytetit boshnjak dhe më 1992 u zgjodh gazeta e vitit në botë.
Në një pjesë të rëndësishme të punimit të tij, i cili së pari është botuar në anglisht nga Instituti i Paqes në Uashington, Kurspahiç analizon zhvillimin e tmerrshëm medial në Serbi. Gazeta “Politika”, televizioni i Beogradit, më vonë i Serbisë, shumë revista të tjera u shndërruan në tribuna të kërcënimit, urrejtjes, shpifjeve kundër popujve të tjerë, kundër “separatistëve” shqiptarë, “ustashëve” kroatë, “muxhahedinëve” myslimanë. Kurspahiç me të drejtë thekson se gazetarët u shndërruan në gjeneratorë të terrorit, dhunës dhe dëbimeve, jo në vrojtues kritikë. Sipas tij, ishin gazetarët ata që e krijuan Millosheviçin. Në figurën e liderit të ri ata shihnin një shpëtimtar të kombit serb nga “gjenocidi”. Për të skalitur këtë imazh gazetarët shërbeheshin me ilustrime fantastike. Millosheviçi herë shpërfaqej në horizont si princ mesjetar serb, herë përshkruhej si hero i botës moderne, mishërim i një politikani që Serbinë do ta shndërrojë në utopi, në një vend të madh (Serbia e Madhe!), ku nëpër Danub dhe Savë do rrjedh mjaltë. Në rrugë për të ndërtuar këtë utopi, sipas kësaj mendësie agresive politike, do të duhej të dëboheshin popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë.
“Hani dhe pini!”
Janë të panumërt shembujt që Kurspahiç numëron në librin e tij mbi rolin kriminal të medieve serbe. Lufta fillon me gjuhë, “guha asht nuk ka, po eshna then”, - thonë shqiptarët e moçëm. Kështu në Serbi, në kuadër të mobilizimit nacional për “dasmën e madhe” të gjakderdhjes, shqiptarët në media ishin vetëm “shiptari”, një kualifikim pezhorativ. “Para dhjetë vitesh ma kanë vrarë burrin; para tre muajsh ma kanë vrarë djalin”, - thoshte një serbe nga Kosova. “Kush”, e pyeste gazetari i televizionit të Beogradit. “Shiptari, po kush tjetër”, - përgjigjej ajo. Fjala është për një emision nga shtatori i vitit 1985. Pasuan, më vonë, edhe shumë tekste të tjera raciste, ku nënat shqiptare akuzoheshin si “makina për lindje”, ku boshnjakët diskualifikoheshin si “komb artificial” etj. Kjo atmosferë polli edhe një monstrum – Sllobodan Millosheviçin. Në dokumentarin e BBC mbi shkatërrimin e Jugosllavisë shihet dhe mësohet qartë se me çfarë djallëzie televizioni i Beogradit kishte përgatitur vizitën e Millosheviçit në Fushë-Kosovë më 1987. Përderisa mediet serbe kritikonin policinë e atëhershme krahinore për dhunë ndaj serbëve, të cilët paskëshin dalë t’i ankoheshin Millosheviçit se po hiqnin të zitë e ullirit nën shqiptarët, njëri prej liderëve lokalë serbë, Mirosllav Sholeviç, vite më vonë do t’i thotë BBC: “Atë natë asnjë polic s’ka mbetur pa një goditje”.
Po atë vit, më 1987, Millosheviçi kishte mbledhur në një takim në Igalo, në bregdetin malazez, gazetarë besnikë serbë për një bisedë të rëndësishme. Më parë diktatori i ardhshëm iu kishte thënë gazetarëve: “Hani dhe pini! Nga vjeshta e ardhshme nuk do të keni më kohë për këtë”. Ushtarët me pena në dorë u renditën në shërbim të regjimit mbi një decenie me radhë, duke sulmuar - për shembull - intelektualin kroat Branko Horvat për shkak të librit të tij mbi Kosovën dhe duke madhëruar mitingjet nacionaliste si formën më të lartë të demokracisë. Derisa fundvitet e ‘80 mund të quhen periudhë e ndezjes së urrejtjes ndaj shqiptarëve në mediet serbe, vitet ‘90 (gjatë rezistencës së mosdhunës dhe më vonë luftës së UÇK), janë kohë e kultivimit dhe konsolidimit të urrejtjes.
Shembulli i Goran Miliçit
Natyrisht, në mesin e shpurës së gazetarëve të papërgjegjshëm ka pasur edhe individë të guximshëm, të cilët janë përpjekur të mbrojnë të vërtetën dhe mos t’i fryjnë zjarrit të luftës. Kurspahiç përmend Goran Miliçin, gazetarin e mirënjohur të televizionit të Beogradit. Duke parë propagandën e shfrenuar, Miliç kishte vendosur të shkonte në Kosovë dhe të realizonte së paku një raport pozitiv për shqiptarët. Fillimisht çdo propozim i tij ishte hedhur poshtë nga shefat në Beograd. Herën tjetër Miliç, i cili rridhte nga një familje me traditë partizane nga Dalmacia, kishte ftuar gazetaren e re Linda Abrashi dhe e kishte intervistuar atë gjatë ditarit të TV Beogradit. Abrashi kishte folur në gjuhën shqipe. “Ishte ky një rast i rrallë, në mos i vetmi, që në TV Beograd të emitohej një raport në gjuhën shqipe”, - kishte thënë më vonë Miliç. Gjesti i tij në atë kohë ishte pritur mirë nga shqiptarët. Kur në shkurt të vitit 1989 minatorët e Trepçës hynë në grevë urie për të mbrojtur minatorët, Linda Abrashi, babai i së cilës ishte drejtor i minierës, i kishte telefonuar Miliçit, duke i thënë se i ati i saj dëshironte që ai të vinte dhe të bisedonte me minatorët e ngujuar. Miliç erdhi. Minatorët i dorëzuan atij listën me 10 kërkesa, mes të cilave ishte edhe kërkesa për respektimin e Kushtetutës së vitit 1974. Asgjë antikushtetuese. Miliç i lexoi kërkesat para kamerës. Por, duke ditur se në ditarin e TV Beogradit ai kurrë nuk do të mund t’i emitonte “kërkesat separatiste”, Miliç vendosi që raportin të mos e dërgonte nga Radiotelevizioni i Prishtinës, por nga Shkupi. Me shumë përpjekje Miliç arriti ta emitojë raportin në programin e mëngjesit të TV Beogradit. Pastaj shefat e detyruan të kthehet në Beograd. Ky do të mbetet edhe raporti i tij i fundit për Kosovën, më vonë Miliç braktisi televizionin serb. Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të etabluar televizionin YUTEL, ai në vitet ‘90 punoi në televizionin kroat HTV. Rastet si ky i Miliçit janë të rralla. Gjatë viteve ‘80 në Serbi dominoi gazetaria raciste. Libri i Kemal Kurspahiçit është një dëshmi dhe një arkiv për çdokënd që pretendon të dijë diçka për konfliktet në Ballkan dhe rolin e medieve. Kurspahiç aktualisht është zëdhënës i Kombeve të Bashkuara në Zyrën për Luftimin e Drogës dhe Krimit. Për angazhimin e tij gazetari boshnjak është nderuar me shumë mirënjohje