Dëshmon Ziso Kristopulli, mohon se njihte Arben Sefgjinin
Çështja e Remzi Hoxhës, rrëmbimit dhe zhdukjes së tij ka vijuar sërish dje, kësaj radhe me dëshminë e një prej dëshmitarëve kryesorë të dosjes, Ziso Kristopulli. Dëshmia e tij, e konsideruar si kyçe nga organi i akuzës, është dëgjuar dje nga togat e zeza, prokurori i çështjes, familjarët e viktimës dhe avokatët e të pandehurve, pasi këta të fundit nuk kanë qenë të pranishëm në seancën e djeshme. Gjatë dëshmisë së tij, Ziso Kristopulli rindërtoi edhe njëherë në sallën e gjyqit momentin e rrëmbimit, transportin e tij për në pikën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, torturat çnjerëzore të Budion Meçes dhe Ilir Kumbaros, faktin që kishte parë Remzi Hoxhën, si dhe firmosjen e një dokumenti nën kërcënimin e torturimeve sikur kishte qenë pjesë e planeve për vrasjen e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, trafikut të armëve me Serbinë dhe sabotimin e Kushtetutës. “Jam goditur dhe rrahur vend e pa vend. Në shputat e këmbëve, në bark dhe më pas te gjunjët”, - rrëfeu Kristopulli, një prej të mbijetuarve të rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995. Ai deklaroi për rreth dy orë e gjysmë të gjitha rrethanat e rrëmbimit të tij, mbajtjes peng në Vain të Lezhës dhe torturimin që iu bë përgjatë pesë ditëve nga agjentët e SHIK-ut. Dëshmitari ka akuzuar direkt për dhunën e paprecedentë dy të pandehurit, Budion Meçe dhe Ilir Kumbaro, që sipas tij, e kishin keqtrajtuar në mënyrë çnjerëzore. Kristopulli u tha gjyqtarëve se e njihte Avdyl Loshajn, për shkak se ai kishte bërë pushime në lokalin e tij, kurse për Remzi Hoxhën u shpreh se kishte dëgjuar në dhomat ku ai torturohej dhe se i kishte dëgjuar të bërtiturat. Dëshmitari shtoi se agjentët e SHIK-ut e kishin detyruar me dhunë të firmoste dokumente, në bazë të të cilave akuzohej për trafik armësh me Serbinë, falsifikim të Kushtetutës dhe tentativë vrasjeje të ish-ministrit të Brendshëm në atë kohë, Agron Musaraj. Gjatë marrjes në pyetje nga SHIK, Kristopulli u tha gjyqtarëve se firmosi këto dokumente ngaqë nuk duronte dot më tej torturat çnjerëzore që po i bëheshin, madje duke firmosur që e njihte edhe Remzi Hoxhën me të cilin ishte bashkëpunëtor. I pyetur nga gjykata për secilin nga të pandehurit, Kristopulli tha për Avni Koldashin se nuk kishte asnjë akuzë kundër tij, pasi ishte sjellë shumë mirë me të gjatë transportit për në Vain të Lezhës dhe se i kishte kërkuar të mbulonte kokën, për të mos parë vendin nga do kalonin. Ndërsa, krejt ndryshe nga sa ka deklaruar para prokurorëve, por edhe në intervistat e dhëna në media të ndryshme, dëshmitari mohoi ta njihte Arben Sefgjinin. Më tej, procesi gjyqësor ka vijuar me dëshmitë e tre vëllezërve të të zhdukurit Hoxha, të cilët kanë rrëfyer me detaje si morën vesh zhdukjen e vëllait të tyre, përpjekjet që bënë për gjetjen e tij, si dhe ku bazoheshin dyshimet e tyre. Në përfundim të dëshmive të tyre, seanca e radhës u shty për në javët e ardhshme.