E Shtunë, 31 Tetor 2026

PAMECA III merr misionin e radhës në Shqipëri

Me një plan zbatimi trevjeçar dhe një buxhet prej 5.5 milionë eurosh, misioni ndërkombëtar policor i BE-së, PAMECA, ia ka lënë dje vendin misionit të saj të tretë, PAMECA III. Gjithçka është prezantuar nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili drejtoi gjatë paradites së djeshme takimin e parë të bordit të palëve të interesuara të Misionit të Asistencës Policore të Komunitetit Evropian në Shqipëri (PAMECA)III. Duke zëvendësuar misionin paraardhës, kjo e fundit do të synojë forcimin e ligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të garantimit të sigurisë publike nëpërmjet një bashkëpunimi të plotë me organet e drejtësisë, duke rritur kështu në mënyrë progresive besimin dhe pjesëmarrjen e komunitetit në këtë proces.

Gjatë fjalës së tij, ministri Nishani është shprehur se “Kontributi i dyanshëm i kontraktorëve dhe përfituesve ka në themel respektin ndaj taksapaguesve evropianë, që kanë vënë në dispozicion të agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri mundësinë për të çuar më tej arritjen e standardeve, nëpërmjet të cilave vendi ynë do të bëhet një partner serioz dhe real i familjes së madhe evropiane”.

“PAMECA III, e cila do të vijojë në proces realizimet e suksesshme të gjeneratave të saj të mëparshme, plotëson misionin e saj, duke realizuar kështu detyrimet dhe angazhimet e pasqyruara në Marrëveshjen e Partneritetit me Bashkimin Evropian”, - ka thënë Nishani. Ndërkohë që sipas tij, “me gjithë investimet dhe transformimet e bëra deri tani, lufta kundër krimit të organizuar është sfida jonë e përbashkët, sfidë të cilën nuk mund ta përballojmë pa pjesëmarrjen dhe angazhimin serioz të të gjithë aktorëve institucionalë të shtetit, të politikës së vendit, partnerëve evropianë, shoqërisë civile”.

Ndërkohë, sipas përfaqësuesve të PAMECA III, projekti synon të kontribuojë në forcimin e ligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të garantimit të sigurisë publike nëpërmjet një bashkëpunimi të plotë me organet e drejtësisë, duke rritur kështu në mënyrë progresive besimin dhe pjesëmarrjen e komunitetit në këtë proces.

Në takimin e parë të bordit të palëve të interesuara të PAMECA III ishin të pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.

Nishani

Duhet bashkëpunim i ngushtë institucional

“Optimizmi i vlerës së këtij projekti, i mbështetur plotësisht nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, do të arrihej vetëm nëpërmjet sigurimit të një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional, si dhe realizimit të një partneriteti të ngushtë me komunitetin”. Kështu është shprehur gjatë fjalës së tij kreu i Ministrisë së Brendshme, Bujar Nishani, i cili theksoi gjithashtu se “në këtë mënyrë ne do të bëjmë të mundur dhe sigurojmë që objektivat e këtij projekti të përkthehen në realitet operacional dhe rezultate të standardeve të kërkuara”.

Brusa

Do fuqizojmë kapacitetet profesionale në polici

Drejtori i Zyrës së Veprimeve të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, z. Luigi Brusa, në takimin e djeshëm të bordit PAMECA III shprehu angazhimin e plotë për përmbushjen e objektivave të misionit. Brusa ka theksuar ndërkohë rëndësinë e konsolidimit të zbatimit të ligjit dhe përqendrimin e asistencës në arritjen e standardeve në këtë drejtim. Gjithashtu, përfaqësuesi i PAMECA tha se ky mision do të ndihmojë në orientimin drejt suksesit dhe fuqizimit të kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit.

PAMECA III vjen me një plan zbatimi trevjeçar dhe një buxhet prej 5.5 milionë eurosh.

Prençi / Do bashkëpunojnë ngushtë me PAMECA-n

Pasi ka vlerësuar kontributin e misioneve të mëparshme të asistencës policore të Komisionit Evropian, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, vlerësoi dhe shprehu bindjen për një bashkëpunim të suksesshëm në vijim. Gjatë fjalës së tij, Prençi përmendi si objektiva kryesore përmirësimin e punës për menaxhimin e burimeve njerëzore, financiare e teknike, të punës së Akademisë së Policisë, të funksionimit dhe përdorimit të teknologjisë së informacionit, caktimin e prioriteteve afatmesme, rritjen e sigurisë publike dhe përmirësimin e punës së strukturave policore të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›