Bogdani: Rama po hedh baltë mbi Shqipërinë
Partia Demokratike dënon qëndrimin antikombëtar të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili nëpërmjet gazetës "Zëri i Popullit", po hedh baltë mbi Shqipërinë. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, akuzoi dje "pikërisht në ditën në të cilën Banka Botërore shpall Shqipërinë si vendin e dytë në botë për reformat ekonomike për periudhën maj 2007- maj 2008, kryetari PS-së, Rama, sikur të ishte qytetar i Abkazisë dhe jo i Shqipërisë, nëpërmjet gazetës së tij hedh baltë në mënyrë të papërgjegjshme mbi Shqipërinë''. Sipas tij, ''nga dashakeqësia, fletushka e Ramës deklaron se Shqipëria është në vendin e 136 nga 178 vende, ndërkohë që raporti i Bankës Botërore tregon se është përmirësuar nga vendi i 135 në vendin e 86, dukë lënë prapa vende fqinje si Serbia, Greqia , Mali i Zi apo Kroacia".