Kryeprokurorja Rama nuk ndihet e kërcënuar nga ligji
Kryeprokurorja ka deklaruar dje se nuk ndihej e kërcënuar nga ligji i ri për prokurorinë dhe e sheh atë si një zhvillim pozitiv. “Nuk ndihem e kërcënuar në lidhje me imunitetin tim. Gjithsesi, për të mbajtur një qëndrim rreth një ligji nuk mendoj se ky është vendi i përshtatshëm. Mendoj se duhet të ulesh të arsyetosh dhe të japësh argumente”. Ky është qëndrimi që kryeprokurorja Rama ka mbajtur ditën e djeshme para mediave në një aktivitet të organizuar PAMECA lidhur me mendimin që ajo ka për projektligjin e prokurorisë.
Në të njëjtën kohë kryeprokurorja Rama ka bërë me dije se institucioni që ajo drejton ka ngritur një grup pune për të shqyrtuar më tej këtë projektligj të iniciuar nga Ministria e Drejtësisë. Sakaq, Prokuroria e Përgjithshme ka lënë të kuptohet se e përkrah projektin e një ligji mbi prokurorinë, por për detaje të tij do të ketë një qëndrim final vetëm pasi grupi i punës që është ngritur në PP të ketë përfunduar shqyrtimin. Ndër të tjera kryeprokurorja Ina Rama shtoi se “projektligji sapo na është vënë në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë dhe u është shpërndarë prokurorëve dhe Këshillit të Prokurorisë të cilët pas shqyrtimit do të japin dhe mendimin e tyre. Pasi të realizohet ky proces, do të vijë edhe mendimi institucional mbi këtë projekt”. Pyetjes nëse ligji parashikon një ndryshim të nenit mbi imunitetin e prokurores së përgjithshme, Rama i është përgjigjur: “Nuk është paraqitur një ndryshim i tillë”.
Projektligji i paraqitur nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në prokurori ka ngjallur reagime të ashpra nga opozita, por gjithashtu edhe nga vetë prokurorët, ndërsa Ina Rama duket se nuk e sheh atë si një zhvillim problematik. Kundërshtarët e projektligjit në fjalë thonë se ai parashikon heqjen e imunitetit të prokurorëve duke e cilësuar këtë si shkelje. Por prokurorja e përgjithshme nuk është shprehur në lidhje me këtë çështje.
Disa ditë më parë, pas paraqitjes së projektligjit, Shoqata e Prokurorëve reagoi ashpër nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të saj, Shkëlqim Hajdarajt, i cili u shpreh: “Ky është një nen i çuditshëm, sepse prokurorët përditë përplasen me interesa nga më të ndryshme kriminale dhe është krejt normale që segmente të krimit të organizuar, të njerëzve që janë objekt i punës së prokurorisë të gjejnë kurajon dhe të bëjnë një kallëzim kundra një prokurori për një ngjarje dhe të paqenë. Dhe mbas interpretimit të këtij projektligji, i bie që çdo prokuror ndaj të cilit ka një kallëzim, të pezullohet automatikisht”.