E Diel, 1 Nëntor 2026

Lazarati nën “shënjestër”, kontroll i rreptë makinave që hyjnë në fshat

Një javë pas bllokimit të parë të automjeteve që shërbenin për vaditjen e lëndëve narkotike në fshatin Lazarat, policia e Gjirokastrës duket se ka mbajtur fjalën duke vazhduar me ritme të larta operacionin “Siguria e jetës” duke kryer kontrolle të rreptë të automjeteve.

Deri më tani, numërohen të bllokuara plot 20 automjete tip kamionë, autobote apo kamionçina që dyshohet se shërbenin për vaditjen e hashashit në fshat, ndërsa 61 të tjera janë dërguar në komisariat pasi është parë që ato nuk dispononin asnjë dokument përkatës.

Shifrat janë bërë publike një ditë më parë nga zëdhënësi i kësaj policie, Gentian Mullai, i cili ka bërë bilancin për javën e parë të operacionit të ndërmarrë që më 2 shtator nga Sektori i Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës në bashkëpunim me komisariatin e policisë, mbështetur edhe nga forcat e FNSH-së.

Sipas të dhënave, në rrugën nacionale Gjirokastër – Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhocë, nga forcat e policisë janë bllokuar 6 bote uji, 5 kamionë dhe 9 kamionçina të cilët kishin cisterna metalike dhe plastike që shërbenin për transport uji në drejtim të fshatit Lazarat. Policia tha se këto mjete ishin pa dokumente në momentin që janë kontrolluar dhe janë transportuar në pikën e bllokimit në Dragot të rrethit Tepelenë dhe në ambientet e komisariateve përkatëse. Ndërkohë që nga postblloqet e policisë janë bllokuar 61 autovetura të cilat qarkullonin pa dokumentacionin përkatës dhe janë transportuar në pikën e bllokimit .

Po kështu, janë hequr xhamat e zinj 36 autoveturave dhe janë shoqëruar me masa administrative. Ndërsa janë vendosur 612 masa administrative me vlerë 410.350 lekë.

Gjatë operacionit janë arrestuar 3 shtetas nga fshati Lazarat, ku 2 prej tyre kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë në vendin e quajtur Kordhocë gjatë bllokimit të boteve të ujit dhe 1 për armëmbajtje pa leje. Në këtë kuadër, Mullai tha se janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër 15 shtetas nga fshati Lazarat pasi kanë kundërshtuar forcat e policisë gjatë kontrollit të automjeteve të tyre në postblloqet e policisë të cilët në përfundim të proceduarave ligjore janë lënë të lirë duke u gjobitur. Veç këtyre, të dhëna zyrtare nga policia e qytetit jugor thanë se operacioni do të vazhdojë edhe ditët në vijim në akset rrugore dhe në rrethet e këtij qarku.

Gjatë operacionit:

6 bote uji

5 kamionë

9 kamionçina, të bllokuara që shërbenin për transport uji për në Lazarat

61 autovetura, të bllokuara në komisariat

36 autovetura, u hiqen xhamat e zinj

612 masa administrative me vlerë 410.350 lekë

3 persona të arrestuar

15 të tjerë të shoqëruar në komisariat

Të arrestuar

Oldian Proko, 20 vjeç

Xhemali Mahmuti, 46 vjeç

Urim Mahmuti, 20 vjeç, i biri

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›