Dëshmoni profesionalizëm dhe integritet në zbatimin e ligjit

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani takon drejtuesit e policisë në Vlorë dhe Fier
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani vijoi dje në Fier dhe Vlorë turin e takimeve me strukturat policore në kuadër të përgatitjeve dhe masave që po ndërmerren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zgjedhjet vendore të 8 majit. Nishani ndau detyrat për drejtuesit e Policisë, duke kërkuar prej tyre profesionalizëm dhe integritet, në mënyrë që në 8 maj të garantohet një proces i lirë dhe i ndershëm zgjedhor. “Në këto zgjedhje duhet të dëshmoni profesionalizëm dhe integritet të lartë në zbatimin e ligjit, e po kështu të jeni shembullorë në etikën tuaj personale në komunikimin me qytetarët”, porositi ministri Nishani.
Duke sjellë në vëmendje përvojën e fituar në zgjedhjet e mëparshme, trajnimet e kryera dhe legjislacionin në fuqi për Policinë e Shtetit dhe rolin e saj në zgjedhje, ministri Nishani shprehu bindjen se punonjësit e policisë do të dinë të përmbushin detyrat e përcaktuara për garantimin e një klime të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët. “T’u përcjellim qytetarëve mesazhin se Policia e Shtetit është e angazhuar totalisht për të garantuar lirinë dhe ushtrimin e të drejtës së votës nga qytetarët, si dhe për të dëshmuar standardet më të larta ndërkombëtare në sjelljen e shërbimit policor gjatë procesit zgjedhor”, tha ministri Nishani.
Pasi vlerësoi arritjet e deritanishme në goditjen e veprimtarive kriminale, trafiqeve të paligjshme, kultivimit të bimëve narkotike etj, ministri Nishani porositi drejtuesit e strukturave policore të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin me institucionet e tjera ligj zbatuese me qëllim rritjen e efikasitetit të luftës kundër kriminalitetit. Në këto takime, Ministri Nishani u kërkoi gjithashtu drejtuesve të strukturave policore që të trajtojnë me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur kallëzimet dhe shqetësimet e qytetarëve sepse kjo i shërben në mënyrë të drejtpërdrejtë parandalimit të veprave kriminale dhe forcimit të rendit e sigurisë në vend.