E Diel, 1 Nëntor 2026

“Po ndërtojmë me mund Europën që kërkojmë, 4 viteve të ardhshme ndërtohet rruga e Arbrit”

03-05-2011 / Gazeta 55

Berisha prezanton në Burrel, kandidatin për kryetar bashkie, Skënder Lleshi

Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka prezantuar dje kandidatin saj për Bashkinë e Burrelit, Skënder Lleshi. Në këtë takim merrte pjesë edhe kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha, i cili shprehu mbështetjen e tij të plotë për kandidatin demokrat në Burrel.
Nga ana e tij, Skënder Leshi ka qenë në krye të bashkisë së Burrelit për dy mandate dhe garon për mandatin e tretë. Kryeministri ka falënderuar matjanët për mbështetjen e dhënë ndaj qeverisë dhe mazhorancës duke prezantuar kandidatin për kryetar të Bashkisë, Skënder Lleshi, punën e së cilit në 8 vite në krye të Bashkisë së Burrelit e ka cilësuar të suksesshme.
“Unë vij sot te ju për të paraqitur kandidat për kryetar të Bashkisë suaj, kryetarin aktual të Bashkisë zotin Skënder Lleshi. Njëri nga qeveritarët vendorë më të suksesshëm, njërin nga personalitetet  më të vendosura më kompetente të qeverisë vendore të Partisë Demokratike. Skënder Lleshi, është intelektuali, është matjani, është familjari, është qytetari i përkushtuar, siç ishte dje ndaj fëmijëve tuaj, sot ndaj qytetit tuaj, ndaj qytetarëve të këtij qyteti. Me Skënder Leshin, do të rrisim investimet në Mat. Duke bërë Matin dhe Burrelin të zhvilluar. Qeveria do të financojë çdo projekt. Gjatë këtyre viteve kemi bërë investime të shumta në këtë zonë. Premtoj se do të bëjmë investime më të shumta në vitet që vijnë”, tha kryeministri.
Me tej ai vijoi me rrugët që do të ndërtohen vitet e ardhshme për rrethin e Matit.
Berisha përmendi ndërtimin e rrugës së Arbërit që prek edhe rrethin e Matit. 
“Po ju garantoj  se katër vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë të Matit, nga qendra e Burrelit në kufi me Mirditën, me Tiranën, me Krujën. Katër vitet që vijnë do të asfaltohen rrugët e mëdha Rrëshen-Klos, Urakë-Klos, do të asfaltohet rruga Selishtë-Macukull-Muhërr, do të asfaltohet rruga Komsia-Qafë-Shtamë, do të hapet tuneli i Qafës së Murrizit dhe do të finalizohet rruga e Arbrit. Katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë ujësjellsat dhe kanalizimet për 24 orë ujë në çdo fshat, në çdo lagje të këtij vendi. Do të ndërtojmë gjimnazin tjetër në Burrel dhe do të ndërtojmë shkolla të reja, kopshte të reja në mbarë vendin. Katër vitet që vijnë do të vendosim në Mat sistemim  më modern të vaditjes dhe do të subvencionojmë mijëra hektarët tokë dru frutorë dhe sera. Katër vitet që vijnë ne do të shpalosim para jush dhe do të kthejmë në vlera për ju pasuritë e mëdha të këtij rrethi, potencialet e tij të madh minerar, potencialin e tij të madh turistik, potencialin e tij të madh ujor, dhjetëra hidrocentrale do të ndërtohen në ujërat e rrethit tuaj”, garantoi kryeministri.
Po ashtu ai përmendi investimet në sektorin e bujqësisë, duke vendosur një sistem modern ujitje. Kryeministri deklaroi se do të kthejmë në vlera pasuritë e këtij rrethi. Do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë në gjithë vendin.
“Këto 20 vite në liri, ne njerëzit e lirë, po ndërtojmë më mund Europën”, tha kryeministri. Berisha shtoi më tej se Shqipëria këtë vit u shpall e bukura e dheut, ndaj ne jemi Europë.
“Sot ne jemi më evropian se kurrë, se pse lëvizim ët lirë në mbarë vendet e Europës. Sot Shqipëria është një nga vendet me klimën më të mirë për biznesin në Europë. Kjo është rruga jonë, alternativa e qytetarit, e bazuar në djersën në mundin dhe në besimin që keni në reformat tona”, tha Berisha.
Por, kryeministri do t’i referohej edhe propagandës majtiste që bredh me mashtrime dhe sharje nëpër Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë, “rruga e vetme” e Edi Ramës është nxjerrë nga veprat e Enver Hoxhës. “Rruga tjetër e nxjerrë nga veprat e Enver Hoxhës, si e vetmja rrugë, është rruga e sharjeve e trillimeve”, theksoi më tej, kryeministri Berisha. Ai i ftoi matjanët të votojnë Skënder Lleshin, për të lartësuar me tej Matin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›