E Diel, 1 Nëntor 2026

James Berisha vazhdon lobimin

Nga Express më 29 janar 2011 në ora 21:30

Piloti shqiptaro-amerikan James Berisha gjatë fushatës së tij për njohjen e Kosovës, deri më tash ka lobuar në 26 vende afrikane, ndërsa do të vazhdojë rrugëtimin edhe në 30 shtete tjera. Kështu kanë thënë në një konferencë për media, të shtunën, përfaqësues të Flying for Kosovo, të cilët kanë shpalosur ecurinë e lobimit të pilotit shqiptaro-amerikan nëpër vendet e kontinentit afrikan.

Arbion Idrizi ka theksuar se në Afrikë, Berisha prezanton shtetin e Kosovës dhe falë lobimit të tij, qindra miliona afrikanë tashmë janë të njohur më për së afërmi me çështjen kosovare.

“Ai në këtë udhëtim po takon popullin e Afrikës zyrtarisht përmes medieve, apo edhe direkt për të shpërndarë mesazhin e paqes dhe miqësisë, dhe për të përcjellë thirrjet e popullit të Kosovës për njohje sa më të shpejtë”, ka thënë Idrizi.

Përfaqësuesja e Flying for Kosovo, Lumnie Gashi, ka thënë se piloti Berisha së shpejti do të mbushë tre muaj qëkur është nisur në misionin e tij në Afrikë.

“Sot është në shtetin e 26-të, Nigeri. Përveç këtyre 26 shteteve, edhe 30 shtete janë gjithsej që përfundojë kontinenti i Afrikës”. Sipas saj, shtetet që i kanë premtuar Berishës për njohjen e Kosovës janë Togo, Republika e Afrikës Qendrore, Kameruni dhe Guineja.

Berisha, 38-vjeçar nga Brestovci i Rahovecit, i cili prej vitit 1995 jeton në SHBA, para nisjes pat bërë të ditur se lobimi, i cili do të zgjasë katër deri në pesë muaj, do të jetë i njëjtë sikurse ai që ka bërë në Amerikën Latine.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›