E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështim i turpshëm, fajtor Hani dhe lojtarët

Shqipëria humbi thellësisht me Danimarkën, e dyta humbje rresht pas asaj me Hungarinë. Kombëtarja jonë nuk fiton prej pesë ndeshjesh, 450 minuta pa shënuar gol

Dash Frashëri

Shqipëria e trajneri Ari Han dëshmuan se janë një ekip i lodhur e i vockël për të përballuar me dinjitet një edicion eliminator, pas humbjes së pastër 3-0 me Danimakën në “Parken Stadium”, e dyta ndeshje rresht pas asaj me Hungarinë, katër ditë më parë, në “Qemal Stafa”.

Një ekip sërish i zbehtë, pa forcë goditëse, për më tepër pa fantazi në fazën ofensive, duke mos rrezikuar asnjëherë portën daneze të mbrojtur nga 32-vjeçari Tomas Sorensen. Edhe pse
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte në tribunën “Vip” dhe 2 mijë tifozë mbështetën lojtarët në stadium, kuqezinjtë nuk e gjetën asnjëherë frymëzimin e ritmin e duhur për të dhënë të paktën një shenjë të vetme se janë pjesë e futbollit europian.

Me Altin Lala, që nuk arriti të rikuperohet, si dhe me Ervin Skelën, për herë të tretë kapiten i Shqipërisë, trajneri Ari Han i besoi rolin e plejmejkërit të dytë Dorian Bylykbashit, në paraqitjen e tij të tretë me përfaqësuesen.

Sulmuesi danez Soren Larsen, autori i dy golave kundër Shqipërisë në fitoren 3-1 të eliminatoreve të Botërorit 2006, u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 8-të, pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj qendërmbrojtësit të Kombëtares sonë, Debatik Curri.

Dy minuta më pas, Denis Romehdal i shpëtoi mbulimit të Ansi Agollit, duke dalë i vetëm në zonën tonë, por ndërsa e kishte gjithë pasqyrën e 16-shit tonë krejt të hapur, sulmuesi i Nec Najmgen në Holandë preferoi të pasonte horizontalisht për shokët e tij. Mbrojtja jonë ndërhyri, duke pastruar zonën.

Romehdal rrezikoi sërish seriozisht portën tonë në minutën e 15-të, por sulmuesi 30-vjeçar (ndeshja e tij e 86-të me përfaqësuesen daneze) lëvizi në mënyrë të gabuar, duke i dhënë mundësinë mbrojtësit tonë, Kristi Vangjeli (ndeshja e 17-e tij), të devijonte topin në goditje këndi. Një punë e bukur e mbrojtësit të Arsit të Selanikut.

Leon Andersen goditi fuqishëm me të djathtën nga një distancë prej 25 metrash, por Isli Hidi reagoi mirë, duke mbyllur çdo diskutim të mëtejshëm. Mikael Jakobsen pati një rast të mirë në minutën e 20-të, por diagonalja e tij brenda zonës sonë përfundoi fatmirësisht jashtë.

Një goditje predhë nga një distancë e largët, rreth 30 metra, e mesfushorit të Hanoverit, Leon Andreasenit, dhe Isli Hidi jo i përgatitur, edhe pse prek me duar topin, e drejton atë drejt rrjetës në minutën e 31-të, duke “lejuar” edhe pësimin e golit të parë nga ana e formacionit të Morten Olsenit. Një gafë e Hidit në ndeshjen e tij të 10-të me përfaqësuesen. Goli i dytë me Kombëtaren daneze në 15 ndeshje për 25-vjeçarin Andersen.

Pa kaluar as pesë minuta, në të 37’, Curri dhe Agolli nuk merren vesh me njëri-tjetrin, duke i dhënë mundësi më pas Soren Larsenit të shënojë golin e dytë të Danimarkës në këtë takim dhe të tretin personal ndaj Shqipërisë, përfshirë edhe ata të shënuar ndaj kuqezinjve tre vjet më parë. Pesë gola në këto eliminatore dhe 11 gola në 15 ndeshje për Larsenin me fanellën e kuqe daneze.

Në pjesën e dytë, një tjetër gafë e Isli Hidit, në një dalje të pastudiuar, por dhe përgjumja e mbrojtjes sonë, i dha mundësi Kristian Poulsenit të shënojë golin e tretë të Danimarkës, por dhe të pestin personal në 63 aktivizime të tij me nordikët.

Dy gafa që kushtuan shumë, por që sollën edhe humbjen e dytë rresht e të tretën në shtatë ndeshjet e zhvilluara këtë edicion. Kjo ishte edhe humbja e gjashtë në shtatë takime të zhvilluara kundër Danimarkës, nga ballafaqimi i parë në vitin 1963, të përfunduar 4-0.

Edhe pse i provoi në sulm si Besart Berishën, Hamdi Salihin e në dhjetë minutat e fundit edhe Migen Memellin, Shqipëria që nuk fiton prej pesë takimesh nuk arrin dot të gjejë rrugën e golit në pesë ndeshjet e fundit. Tashmë, duket se mosthirrja e Bogdanit i ka kushtuar shumë trajnerit Ari Han, i cili së fundi bëri edhe një tjetër gafë kur futi mbrojtësin Elvin Beqiri në minutat e fundit dhe në rolin e një mesfushori.

Pas kësaj ndeshjeje, e ardhmja e Ari Hanit në krye të Kombëtares është në rrezik, aq më tepër kur në tri ndeshjet e fundit do të përballemi me Danimarkën e Portugalinë në Tiranë e Suedinë në Stokholm.

Hungaria fitoi 3-0 me Maltën dhe kështu si Danimarka, ashtu dhe formacioni hungarez, kanë në kuotën e 13 pikëve, me 7 pikë më shumë se Portugalia, Suedia e Shqipëria.

TOPI

Tifozi “VIP” i Kombëtares shqiptare në “Parken Stadium” të Kopenhagenit ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare në Danimarkë. Kreu i shtetit, i fokusuar nga kamerat me një shall futbolli në qafë, shoqërohej edhe nga deputeti i Peqinit, Dash Sula, njëherësh edhe zëvendëspresidenti i Shkumbinit, si dhe nga disa zyrtarë të tjerë të lartë.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›