E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëndrimi ndaj Kosovës, kritikohet kryeministri spanjoll Zapatero



Vendimi i Spanjës për tërheqjen e ushtarëve nga Kosova vazhdon të trajtohet ende nga mediat spanjolle. Gazeta e njohur “El Mundo”, në një koment të sajin, kritikon kryeministrin spanjoll Hose Luis Zapatero për shkak të Kosovës dhe kërkon nga ai të pushojë duke nxjerrë Spanjën qesharake para botës ashtu siç bëri në rastin e Kosovës. “Zapatero duhet të pushojë së vepruari ta nxjerrë Spanjën qesharake para botës, ashtu siç ndodhi me rastin e Kosovës kur Spanja mori vendim të tërheqë nga atje trupat ushtarake në kuadër të NATO-s”, - shkruan në një koment të vetin gazeta spanjolle “El Mundo”. Gazeta njofton se pas këtij vendimi të pamatur, kryeministrit Zapatero i është dashur në fundjavë të bëjë një rrugë të gjatë 22 mijë kilometra, të qëndrojë 32 orë në aeroplan, për të takuar në Kili, ku ndodhej për vizitë, nënpresidentin amerikan Xho Bajden, për t’i dhënë llogari për vendimin spanjoll. “E gjithë kjo rrugë dhe gjithë kjo lodhje për një gjysmë ore takim me nënpresidentin amerikan për t’i kërkuar atij falje për këtë çështje”, - shkruan “El Mundo”. “Bajden u tregua zemërgjerë duke i thënë Zapateros se SHBA-të tregonin mirëkuptim për vendimin spanjoll për tërheqjen e ushtarëve nga Kosova”, - citon më tej gazeta.

Zgjedhjet në Maqedoni, DASH vlerëson procesin

Shtetet e Bashkuara kanë uruar Maqedoninë dhe qytetarët e saj për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe lokale të 22 marsit. Mesazhi u lexua nga zëdhënësi në detyrë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Robert Ud: “Populli i Maqedonisë meriton të lavdërohet për pjesëmarrjen e lartë në votime. Vlerësimi i parë i ODIHR-it është se zgjedhjet plotësonin angazhimet dhe standardet e OSBE-së dhe Këshillit të Europës për zgjedhjet demokratike. Ato u administruan mirë dhe nuk u shoqëruan me dhunën që errësoi zgjedhjet parlamentare të 2008-s”. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë dhe autoriteteve të tjera përkatëse në Maqedoni të vazhdojnë përpjekjet këtë javë, në mënyrë që edhe raundi i dytë i zgjedhjeve të dielën, më 5 prill, të mbahet në kushte të sigurta, të lira dhe të ndershme. Më 22 mars, në Maqedoni u votua për zgjedhjen e presidentit të vendit, i katërti pas pavarësisë nga Jugosllavia më 1991. Votimi ishte me rëndësi kritike për të ardhmen e këtij vendi ballkanik dhe riafirmoi se Maqedonia qëndron në rrugën e integrimit euroatlantik, gjë që populli i saj e meriton.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›