Skulptura prezantohet para publikut me rastin e hyrjes së Shqipërisë në NATO
Një monument i ri do të shfaqet papritur në mes të sheshit “Nënë Tereza”, në Tiranë, me rastin e kremtimit të hyrjes së Shqipërisë në NATO. Nuk është ende e qartë nëse kjo skulpturë do të qëndrojë aty në formë të përhershme apo provizore dhe as detaje të tjera të tipit se sa ditë vepra do të ekspozohet kjo vepër, si është marrë vendimi përkatës dhe kush e ka marrë, cilat janë kriteret e përzgjedhjes? Gjithsesi, agjencia e lajmeve ATSH bën të ditur mes të tjerash se me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në qendër të sheshit “Nënë Tereza” do të prezantohet para publikut një nga instalacionet e viteve të fundit të bëra nga artistja Najada Hamza. Skulptura titullohet “Nato+N” dhe sjell si imazh një grup grash shtatzëna, të cilat janë të veshura me flamuj kombëtarë, ndërkohë që barku i tyre mbetet i zbuluar. Me anë të kësaj pamjeje, artistja kërkon të japë idenë se pavarësisht ngjyrave që kemi, ardhshmëria është e njëjtë. Kjo vepër, që do të jetë në përmasa të mëdha, përkon edhe me nismat paralele në vendet e tjera të Europës gjatë momentit të pranimit të tyre në NATO. Njëherësh bëhet e ditur se vepra në fjalë do të jetë simbol i përfaqësimit të ngjarjes së rëndësishme politiko-historike për vendin tonë. Në lidhje me këtë punë shprehet edhe pedagogu i Akademisë së Arteve, Ardian Isufi, i cili thotë: “Për herë të parë në Shqipëri do të bëhet një ndërhyrje e tillë artistike në një ngjarje politike, e cila do të simbolizojë ardhmërinë dhe pozitivitetin që duhet të kenë njerëzit me njerëzit dhe kombet me kombet”. Kështu pra, skulptura, që do të vendoset në qendër të sheshit “Nënë Tereza”, do të zbulohet për shikuesit më 5 prill, ditën kur do të organizohen edhe aktivitete të ndryshme për festimin e anëtarësimit tonë në NATO. Skulptura e Najadës nuk ekspozohet për herë të parë për publikun pasi ajo është paraqitur edhe në të kaluarën (viti 2005) në konkursin “Bienale” të Selanikut.
2 Prill 2009