Lala: “Shkojmë në Botëror nëse e kthejmë kokëposhtë renditjen”
“Nuk ka kurrë dy pa tre”. Kështu e përmbledh në pak fjalë aktualitetin ndërkombëtari Altin Lala, i cili ishte i ftuari special i faqes zyrtare të FIFA-s, fifa.com. Në moshën 33 vjeç, kapiteni shqiptar po përjeton fushatën e tij të tretë kualifikuese në Kupën e Botës me “Kuqezinjtë”.
KOMBËTARJA
Në dy tentativat e para shqiptarët dështuan, por tani ekipi i drejtuar nga Ari Han ndodhet në vendin e parafundit të grupit të tij. “Pas debutimit premtues, ku u arrit një barazim i shquar 0-0 kundër Suedisë e një fitoreje 3-0 me Maltën, përfaqësuesja ballkanike dha menjëherë shenja lodhjeje”, - shkruhet në hyrjen e intervistës së Lalës. “Shqipëria ka një seri të trishtueshme me katër ndeshje pa fitore (dy humbje e dy barazim). Megjithatë, asgjë nuk duket e humbur përfundimisht. Nëse Danimarka e Hungaria (10 pikë) ndodhen në krye të grupit, Portugalia, Suedia e Shqipëria (6 pikë) qëndrojnë në pritë”.
BOTËRORI
Lala, që prej 11 vitesh vesh ngjyrat e Hanoverit, nuk e fsheh se nuk dëshiron të heqë dorë prej ëndrrës që një ditë të luajë në një fazë finale të Kupës së Botës. Lala u rikthye në Kombëtare pas një mungese të shkurtër kundër Maltës, pikërisht në ndeshjen e humbur me Hungarinë. “Shanset tona u kompromentuan me barazimin kundër Maltës e humbjen përballë Hungarisë”, - thotë Lala në lidhje me shanset e një kualifikimi të mundshëm të Shqipërisë në Botërorin e Afrikës së Jugut, që e justifikon me faktin se Shqipërisë kundër Maltës e Hungarisë i munguan disa lojtarë të rëndësishëm. “Çfarë duhet të ndryshojë Shqipëria për të qenë vitin e ardhshëm në Afrikën e Jugut? Nuk e di..., ndoshta duhet të kthejmë përmbys renditjen”, - i është përgjigjur me të qeshur gazetarit të FIFA-s, Altini.
SHQIPËRIA
Për Lalën, kualifikimi i Shqipërisë për herë të parë në një Kampionat Europian apo Botëror do të ishte një gjë shumë e fortë, por Altini shton se gara në kontinentin europian po bëhet gjithmonë edhe më e ashpër. “Edhe ne kemi bërë progres në këto vitet e fundit”, - theksoi kapiteni i Kombëtares shqiptare. “Por Shqipëria duhet të ndryshojë shumë gjëra. Kampionati ynë është shumë i brishtë. Nuk ka mjaftueshëm lojtarë të mirë”, - dha argumentet e tij “xhuxhi”, i cili shton se në Shqipëri futbolli është popullor. “Të gjithë e ndjekin në tv dhe në disa familje thuajse nga mëngjesi në darkë”.
REKORDI
Altin Lala me 71 ndeshje ndërkombëtare, shumë shpejt do të thyejë edhe një rekord kombëtar në planin personal, si lojtari shqiptar me më shumë ndeshje me përfaqësuesen në historinë e futbollit shqiptar, një rekord që aktualisht mbahet nga Foto Strakosha (73 ndeshje). Por, çfarë efekti krijon kjo te vetë futbollisti? “Do të jetë një nder i madh, por më duhen akoma dhe dy ndeshje”, - përgjigjet në mënyrë lakonike Lala.
E ARDHMJA
Lala luan te Hanoveri që nga viti 1998 dhe kontrata e tij përfundon në fund të sezonit aktual. “Do të më pëlqente shumë të qëndroja, por kjo nuk varet vetëm nga mua. Ka pasur disa propozime nga klube të tjera thuajse çdo vit, por unë jam ndier mirë në Hanover. Dëshiroj me të vërtetë ta mbyll karrierën time atje. Dua të luaj edhe dy vite të tjera përpara se të var këpucët në gozhdë. Kam hapur një dyqan në Shqipëri, në bashkëpunim me një firmë produktesh biofarmaceutike, por nuk llogaris të qëndroj atje”.
HANOVERI
Mesfushori luftarak është aktualisht 33 vjeç dhe një lojtar me përvojë të madhe. Por, a ka ndonjë gjë që Altini duhet të përmirësojë akoma. “Kam ende nevojë të mësoj se si shënohen golat”, - thotë me të qeshur. Skuadra e tij, Hanover 96, ndodhet në pjesën e poshtme të renditjes në Bundesligën gjermane. Ka disa gjëra që nuk shkojnë te Hanoveri. “Në fakt, ka shumë shpjegime. Nuk jemi kursyer nga dëmtimet. Nuk kemi mundur të luajmë rregullisht me një ekip bazë. Kjo na ka penguar të gjejmë dhe golat”.
BUNDESLIGA
Altini bën edhe një parashikim për atë që mund të ndodhë në Bundesligën gjermane. “Besoj se Hamburgu do ta përfundojë kampionatin në krye. Përsa i përket Hanoverit, duhet që shumë shpejt të krijojmë një distancë me zonën e rënies një kategori më poshtë e të fillojmë përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Shpresoj se kjo do të na lejojë të jetojmë një sezon 2009-2010 më pak problematik”.
2 Prill 2009