E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi i dosjeve kriminale, Prokuroria i shpall “luftë” Gjykatës

Analiza e Prokurorisë së Apelit përfundon në analizë gjykatash

Thimi Samarxhiu

TIRANË – Nis në distancë “lufta” mes Prokurorisë dhe Gjykatës. Shkëndija e parë është dhënë ditën e djeshme gjatë analizës së Prokurorisë së Apelit, ku drejtuesi i kësaj Prokurorie, Shkëlqim Hajdari ka akuzuar Gjykatën për neglizhencën që kjo e fundit ka në drejtim të prokurorëve, duke pranuar vetëm 11% të apelimeve të bëra prej saj. Gjatë shqyrtimit të punës 1-vjeçare të këtij institucioni janë nxjerrë në pah probleme, për të cilat është shkarkuar përgjegjësia tek gjykata e të njëjtit nivel.

Problemet
Gjatë analizës vjetore në Prokurorisë së Apelit u bë e ditur se në bazë të statistikave, nga 290 apelime për çështjet e themelit, gjykata ka pranuar vetëm 34, ose 11% të tyre. Hajdari shprehet se strategjia e organit që ai drejton, për të goditur me forcë kriminalitetin ka rezultuar e pambështetur nga Gjykata. Politika e dënimit e kërkuar nga prokurorët, nuk i është përgjigjur nga Gjykata në nivelin e duhur shqetësimeve që ka shoqëria ndaj kriminaliteti. “ Gjatë vitit 2009 kemi konstatuar se, në disa raste, gjykimet janë bërë pa pasur prokurorët në dispozicion kohën e mjaftueshme për studimin e dosjeve. Mjafton të përmendim faktin se mbi 700 çështje themeli janë gjykuar gjatë muajve qershor-korrik dhe dhjetor. Për këto arsye, kemi qenë të detyruar të marrim pjesë në gjykimin e çështjeve, pasi rrezikonin që të pandehurit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të dilnin nga burgu, për shkak të humbjes së afateve të gjykimit në apel.” – deklaron Hajdari. Me tej, ai vazhdon, duke u shprehur se nga Gjykata nuk vihen në dispozicion të prokurorëve brenda afatit 30 ditor vendimet, gjë kjo që sipas drejtuesit të Prokurorisë, tregon mungesën e transparencës dhe vështirësitë ligjore për të dërguar ligjërisht në Gjykatën e Lartë këto vendime. Sipas Hajdarit, kjo gjë ka bërë që rekurset e ushtruar nga ana e tyre, të jenë të paargumentuara plotësisht nga ana ligjore. Lidhur me këto probleme të paraqitura, drejtuesi i Prokurorisë së Apelit, kërkon ndërhyrjen e drejtuesve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Ministrisë së Drejtësisë, për të eliminuar këtë “konflikt” që është shkaktuar midis Prokurorisë dhe Gjykatës.

Statistikat
Prokuroria e Apelit të Tiranës, ka përfaqësuar në Gjykatë 1202 çështje themeli me 1410 të pandehur dhe 417 masa sigurie. Krahasuar me vitin 2008, ku janë përfaqësuar në 718 çështje, konstatohet një rritje prej 484 çështjesh më shumë, ose 40% më shumë. Prokuroria e Apelit për nga numri i çështjeve, është më e madhja në Shqipëri, pasi shqyrton 50% të të gjithë dosjeve të vendit. Statistikat tregojnë sa nga 290 apelimet për çështjet e themelit, Gjykata kas pranuar vetëm 34 prej tyre. Edhe për sa i përket masave të sigurisë, është e njëjta situatë, ku nga 54 apelime, rezulton të jenë mbështetur nga Gjykata vetëm 10 prej tyre.

20 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›