E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani, kërkesë Bodes: Ndryshoni kushtet e daljes në pension



Laureta Rryçi

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, kërkon ndërhyrjen në ligjin për pensionin e pleqërisë. Kërkesa është bërë në rrugë zyrtare për ministrin e Financave, Ridvan Bode, dhe kërkohet që të ngrihet një grup pune për të riparë edhe njëherë kushtet e daljes në pension për të gjithë personat që kanë përfituar pensionin e pleqërisë në vitet 1994 dhe 1995. Avokati i Popullit ka shpjeguar se shkak për këtë rekomandim janë bërë ankesat e shumta të qytetarëve, të cilët ankohen se e ndiejnë veten të diferencuar në mënyrë të padrejtë përkundrejt pensionistëve të tjera. Dobjani, në lidhje me këtë çështje, ka dhënë alternativën për ngritjen e një grupi pune në mënyrë që të kryhet një studim për të vendosur se ku duhet të bëhen ndërhyrjet në legjislacion.
Ankesat
Pranë institucionit të Avokatit të Popullit kanë paraqitur ankesë disa qytetarë në lidhje me diferencimin e masës së pensionit të pleqërisë që ata gëzojnë. Sipas shpjegimeve të parashtruara në letrën e tyre, ky grup qytetarësh ka dalë në pension në vitet 1994 dhe 1995 dhe masa e pensionit të pleqërisë që ata gëzojnë ka diferenca me të tjerët që për kushte të njëjta pune kanë dalë në pension në periudhën 01.10.1993 deri më 31.12.1993. Kërkesa e tyre është që të përmirësohet legjislacioni ekzistues për llogaritjen e pensioneve dhe duke qenë se deri tani nuk është zgjidhur problemi i tyre, kanë kërkuar ndihmën e Avokatit të Popullit. Me depozitimin e ankesës komisionerët e këtij institucioni kanë proceduar me kërkesën duke i kërkuar fillimisht informacion Ministrisë së Financave. Në përgjigje të kërkesës, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas porosisë së drejtorisë së Përgjithshme së Politikave Makroekonomike dhe Fiskale pranë Ministrisë së Financave, dërgon informacionin e mëposhtëm.
Përgjigjja
Sipas specialistëve të Sigurimeve Shoqërore, kësaj kategorie pensionistësh, pensioni i është llogaritur sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, i cili ka hyrë në fuqi me datë 01.10.1993. Sipas VKM Nr.605, datë 31.12.1993 “Për rritjen e pensioneve dhe të ardhurave nga papunësia”, pensionet gjendje deri më 31.12.1993 u rritën me 15% dhe përveç rritjes në masën e pensionit, u shtua në formë granti një shumë prej 494 lekësh, që përfaqësonte kompensimet nga rritja e çmimit të disa artikujve ushqimorë dhe të bukës. Këtë rritje dhe shtesë sipas VKM-së së sipërcituar nuk e përfituan ata pensionistë që si datë fillimi të pensionit kishin datën 01.01.1994 e në vazhdim. Kjo për faktin se si rritja, ashtu dhe granti kanë qenë të aplikuara në pagë dhe në masën e pensionit bazë. Kështu, si pasojë e përfshirjes së pensionit bazë të rritjes dhe të shtesës (grantit), dy persona me të njëjtat kushte, por që kanë data të daljes në pension, njëri para 31.12.1993 dhe tjetri pas datës 01.01.1994, në llogaritje rezultojnë me masa pensione të ndryshme, me një diferencë prej 5.6%. Për shkak të mosindeksimit të pagës neto dhe të rritjes së diferencuar të pensioneve në harkun kohor 1994-2002 është konstatuar një ngjeshje e pensioneve drejt nivelit të pensioneve minimale. Kjo mënyrë indeksimi ka sjellë ndikime negative dhe për këtë kategori përfituesish. Për të mënjanuar këtë dukuri negative në masat e pensioneve, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave janë zbatuar pesë faza të ngushtimit të diferencave në masat e pensioneve. Në fazën e tretë të ngushtimit të diferencave në masën e pensioneve, zbatuar në vitin 2002, kanë përfituar dhe personat e kësaj kategorie, por ende ka raste të veçanta mospërputhjesh, të cilat kërkojnë një studim të plotë, për të realizuar një ndërhyrje me dispozite, duke ndryshuar kushtet e daljes në pension të kësaj kategorie, pra duke lejuar që dhe këtyre t’u lindë e drejta për të marrë grantin prej 494 lekësh”.
Rekomandimi
Pas marrjes së kësaj përgjigjeje nga specialistët e Sigurimeve Shoqërore, Dobjani i rekomandon ministrit Bode marrjen e masave për ngritjen e një grupi pune për realizimin e një studimi për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për të ndryshuar kushtet e daljes në pension të grupit të pensionistëve që kanë dalë në pension në periudhën 01.01.1994 – 31.12.1995. Pas këtij rekomandimi Avokati i Popullit është në pritje që brenda 30 ditëve ministri i Financave të përgatisë një përgjigje zyrtare mbi këtë kërkesë.

20 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›