Udhëzimi, si mund të përfitojnë kredi për shtëpi të pastrehët
Ndryshojnë procedurat për të pastrehët që mund të përfitojnë kreditim për blerjen e një banese nga shteti. Ministria e Punëve Publike, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka bërë disa ndryshime në mënyrën e procedurave të përfitimit të kredisë. Këto të dhëna MPPTT-ja i ka sqaruar në një udhëzues të posaçëm, të cilin gazeta “Albania” e publikon sot. Sipas këtij udhëzuesi, të gjitha ato familje që duan të marrin kredi preferenciale për të blerë shtëpi me kosto të ulët duhet të garantojnë një kolateral që të mbulojë 140 për qind të vlerës së apartamentit të blerë. Pavarësisht se për këto familje norma e interesit që do të paguhet është vetëm 3 për qind dhe me afat maturimi 30-vjeçar, kushtet për ta përfituar kredinë fikse nuk janë të njëjta si për apikuesit e tjerë. Sipas MPPTT-së, në udhëzues përcaktohet se: diferenca që rezulton midis vlerës së banesës dhe shumës që krediton banka duke u paguar në mënyrë të menjëhershme nga familja. “Për secilën familje, banka llogarit shumën totale të përafërt të subvencionit për të gjithë jetëgjatësinë e projektit, e cila i njoftohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100 për qind e vlerës së banesës së blerë”, - thuhet në udhëzim. Qeveria ka vendosur që për çdo qytet, kufiri maksimal i kreditimit që mbulohet nga faza e parë e projektit do të jetë sipas strukturës së familjes. Në rast se familja kërkon të kreditohet për një vlerë më të madhe, diferenca e kredisë paguhet me interesin e bankës. Ndërkohë, sipas udhëzimit të qeverisë, e drejta e shlyerjes së kredisë nuk mund t’i kalojë një personi tjetër.
Kredia
Në rastin kur familja gjen një apartament me një strukturë më të vogël nga ajo që i takon, vlera korresponduese e kredisë i referohet vlerës faktike të apartamentit që gjen familja. Kështu, nëse apartamenti që ajo ka gjetur në treg vlerësohet 3 500 000 lekë, ajo përfiton një kredi në masën prej 2 250 000 lekësh. Cilat janë mundësitë e saj? Familja vë në hipotekë apartamentin dhe përfiton një kredi prej 2 250 000 lekësh; familja vë në hipotekë një pasuri tjetër (p.sh. apartamentin e prindërve) më të lartë dhe përfiton një kredi në masën prej 3 000 000 lekësh. Kjo familje nuk mund të pretendojë për një kredi në masën që do t’i takonte sikur të blinte një apartament me strukturë 2+1. Në të gjitha rastet masa e kredisë llogaritet si përqindje ndaj vlerës faktike të apartamentit të blerë në treg. Niveli minimal i të ardhurave mujore të familjes është indikativ dhe është në varësi të shumës së kredisë dhe kushteve specifike me të cilën negociohet me bankën. Kështu, nëse familja gjen një apartament me vlerë më të vogël nga kufiri maksimal i përcaktuar për vlerën e banesës, edhe niveli minimal i të ardhurave do të ulet. Tashmë ky proces ka nisur dhe pritet që brenda këtij viti një pjesë e familjeve që kanë aplikuar të përfitojnë kredi.
Procedura
Në rast se familja, për shkaqe të papritura, nuk mund të vazhdojë më shlyerjen e kredisë, njofton brenda një muaji nga krijimi i situatës së paparashikuar bankën dhe bashkinë përkatëse. Për çdo rast bëhet vlerësimi i shumës së shlyer nga familja, subvencionit që ajo ka përfituar nga shteti dhe pjesës së ngelur të kredisë. Në marrëveshje midis bankës, familjes dhe bashkisë mund të jepet njëra prej zgjidhjeve. Së pari, familja mund t’i kalojë të drejtën e shlyerjes së kredisë një familjeje tjetër, që është në listën e bashkisë dhe përmbush të njëjtat kritere për përfitimin dhe shlyerjes së kredisë.
Vlera
Me vlerë banese kuptohet vlerësimi që bëhet sipas procedurave të bankës. Vlera e banesës mund të ndryshoje nga çmimi me të cilin është ofruar për shitje. Çmimi maksimal me të cilin një familje mund të blejë banesën në tregun e lirë.
Monedha
Përfituesit do ta marrin kredinë vetëm në lekë. Ndërkohë që për këtë kredi do të paguhet komision angazhimi në masën 1% dhe norma e interesit është bono thesari 12-mujore + 2.2% (nga të cilat, qytetari paguan vetëm 3%).
Evidentimi nga pushteti vendor i familjeve në nevojë
Bashkitë, për menaxhimin e programeve të strehimit, kanë për detyrë që të identifikojnë nevojat për strehim sipas programeve të hartuara për popullsinë në juridiksionin territorial të tyre. Banesat me kosto të ulët ndërtohen me fondet e buxhetit të shtetit, me fondet e bashkisë dhe nga donacionet private. Çmimi i shitjes së banesave me kosto të ulët përcaktohet në bazë të vlerës së objektit që ndërtohet. Vlera e objektit përcaktohet në bazë të kostos së ndërtimit të banesës, çmimit të tokës, kostos së infrastrukturës, vlerës së projektit dhe shpenzimeve për administrimin e procesit dhe të shpërndarjes. Familjet që klasifikohen për t'u trajtuar me banesa me kosto të ulët janë:
familjet që në çastin e paraqitjes së kërkesës pranë zyrës përkatëse të bashkisë nuk kanë në pronësi një banesë; familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit; familjet që kanë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar në ligjin për banesat sociale. Administrimi i kërkesave për këto banesa bëhet nga zyrat përkatëse të bashkive.
Projektet e reja, mënyrat e shfrytëzimit nga banorët
Specialistët e Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PIU), bëjnë të ditur se katet e para të ndërtesave do të jenë në funksion total të qytetarëve që do të strehohen. Të gjithë familjarëve që janë të papunë do të mund t’u sigurohet punësim në bizneset apo shërbimet që do të jenë në katet e para të ndërtesave të pallateve. Kështu, Bashkia do të mund t’u sigurojë punësime me një pagë të konsiderueshme familjeve në nevojë dhe pa të ardhura mujore, të cilat do të shërbejnë për të paguar kredinë apo për të mundësuar sigurinë e jetesës për nevojat e familjes. Edhe në rastin e punësimit, familjarët do të përzgjidhen nga Bashkia e Tiranës. Nga ana tjetër, banorëve u është vendosur një kufi i limituar qëndrimi në banesa, i cili do të detajohet më vonë nga specialistët. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve, apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit. Kategoritë që do të përfitojnë janë të gjitha shtresat në nevojë, që do të seleksionohen nga Drejtoria e Strehimit Social dhe më pas nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Pagesa mujore që do të bëjnë qytetarët nuk është përcaktuar ende. Por, të gjithë banorët që do të strehohen nëpërmjet këtij projekti kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e banesës në bazë të pjesëtarëve të familjes dhe hapësirës që duan të kenë. Ndërsa pjesa tjetër i takon Drejtorisë së Strehimit, e cila, përveç kërkesës së banorëve, do të bëjë seleksionimin, duke u dhënë hapësirë banimi më të madhe familjeve të mëdha dhe anasjelltas.
20 Shkurt 2010