Financat u heqin Transporteve 10 miliardë, preken edhe projektet e Berishës
Ervin KOÇI
Ministria e Financave dashur pa dashur i ka “plasur bombën në dorë” kryeministri Berisha. Në një kohë kur ky i fundit shpalli nismën për një fushatë të gjerë ndërtimi rrugësh, ministri i Financave, Ridvan Bode, mbase pa dashur, e ka “nxierrë bllof” shefin e tij. Duke u përpjekur që të bëjë “nikoqirin” me fondet e qeverisë për vitin 2010, ministri Bode ka shkurtuar jo pak, por 10 miliardë lekë fonde pikërisht nga ato që ishin programur për tre projektet e reja të akseve kombëtare. Kjo gjë e cila fillimisht duket se ka kaluar pa u kuptuar, ka shkaktuar jo pak debate mes ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi dhe kreut të Financave, Ridvan Bode. Ky i fundit mësohet se për këtë çështje ka pasur polemika edhe me vetë kryeministrin Berisha, pasi shkurtimi i fondeve është deklaruar vetëm një ditë pasi kreu i qeverisë deklaroi nisjen e projekteve të tre akseve nacionale gjatë vitit 2010. Burime nga MF-ja bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se, “në planin e rishikimit të buxhetit të këtij viti, preket edhe MPPTT-ja, të cilës do t’i reduktohen fondet me të paktën 10 miliardë lekë”. Sipas të njëjtave burime, “MF-ja po përgatit tabelat e shpenzimeve, sipas planit të ri, me 20 për qind shkurtime. Ulja e shpenzimeve do të jetë me të paktën 25 miliardë lekë, ku gjysma i takojnë MPPTT-së, institucioni që mbulon investimet e mëdha në vend, si rrugët dhe ujësjellës-kanalizimet”.
Shkurtimet
Ende pa hyrë në fuqi plani i shkurtimeve, MPPTT-ja ka një buxhet prej rreth 52 miliardë lekësh, ku 36 miliardë i takojnë ndërtimit të rrugëve, nga të cilat 12 miliardë me fondet e shtetit dhe të tjerat me borxhe. Me këto të dhëna dhe duke parë tabelat e investimeve të infrastrukturës rrugore, fondet nuk mjaftojnë. Situata bëhet më e rëndë nëse vihet në zbatim plani i reduktimit të fondeve me të paktën 10 miliardë lekë. Detajimi i buxhetit të ri nuk ka përfunduar ende, por planifikohet një shkurtim fondesh mesatarisht 30 për qind për çdo ministri, ku më e goditura është dikasteri i Olldashit. Plani i Financave “tradhton” në një farë mënyrë Kryeministrin, i cili në mbledhjen e fundit të qeverisë, renditi një sërë aksesh rrugore që do të marrin zgjidhje këtë vit. Por edhe nëse nuk do të kishim ulje fondesh, sërish rrugët e premtuara nga Kryeministri nuk gjenin zbatim, pasi buxheti aktual është i pamjaftueshëm.
Problemet
Tjetër problem jo pak serioz për qeverinë janë shpronësimet, të cilat ngadalësojnë procesin e investimeve. Shumë projekte rrugore mbesin peng i procedurave të gjata të identifikimit të pronarit dhe kompensimit, ndërsa nuk mungojnë problemet me çmimin e kompensimit. Për këtë zë janë parashikuar rreth 1 miliard lekë, ndërsa 4.1 miliardë lekë janë për mirëmbajtje, asfaltim dhe riveshje. Rreth 55 për qind e investimeve në rang vendi zhvillohen nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, kurse te rrugët, mbështetja më e madhe (rreth 57 për qind) vjen nga bankat dhe institucionet e huaja financiare.
BOX////////////////////////////
Rrugët e reja, mungojnë fondet në buxhetin e shtetit
Kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria nuk do të tërhiqet nga tri projektet e mëdha infrastrukturore, “Rruga e Arbrit”, autostrada Tiranë-Elbasan dhe ajo Berat-Tepelenë. Sipas deklarimeve të herëpashershme, por ende pa konfirmuar zyrtarisht një shifër, qeveria parashikon që ndërtimi i rrugës Berat-Tepelenë të kushtojë rreth 410 milionë euro, segmenti tjetër i Boshtit të Jugut, Tiranë-Elbasan e ka koston e përafërt rreth 170 milionë euro dhe po kaq do të kushtojë segmenti me një tunel të Rrugës së Arbrit. Pra një parashikim që tenton të kapë shifrën prej rreth 1 miliard eurosh dhe afati fundor i paracaktuar për përfundimin e tyre është viti 2013. Por çështja tashmë shtrohet se ku do të gjenden paratë për financimin e tyre. Me gjithë premtimet e qeverisë për të mos i prekur këto projekte, në buxhetin e shtetit ende nuk është përcaktuar se sa do të jenë fondet që qeveria do të japë në vitin 2010 për to. Buxheti aktual nuk të jep asnjë sinjal se financimet e parashikuara aty në zërin e investimeve kapitale do të jenë të mjaftueshme për këto tri vepra të mëdha. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, në vitin 2010 fondi për ndërtimin e rrugëve ka rënë me 30 për qind dhe nga 52.7 miliardë lekë që ishte vitin e kaluar është ulur në 36.9 miliardë lekë, duke përfshirë edhe financimet e huaja. Me këto shifra edhe nëse qeveria do t’i përqendrojë të gjitha paratë e investimeve në këto tri projekte, sërish nuk do t’ia dalë t’i financojë ato brenda afateve. Ndaj në këtë pikë, shpresa e vetme mbeten sërish kreditë nga donatorët, të cilat do të lehtësonin disi koston e buxhetit, por duket e vështirë tashmë që Shqipëria nuk përfiton dot më nga kreditë e buta dhe nuk e ka më luksin për të rritur borxhin, që është sakaq në nivelet më të larta.
Biznesi: Kuvendi të miratojë ngritjen e Gjykatës Administrative
Biznesi si asnjëherë më parë lëshon ultimatum për krijimin e Gjykatës Administrative. Tridhjetë e katër organizata që përfaqësojnë komunitetin e biznesit kanë kërkuar dje në një takim miratimin e këtij ligji. Sipas komunitetit të biznesit, “ngritja e Gjykatës Administrative, po mbahet peng nga mungesa e kartonëve në parlament”. Të grupuar në një koalicion përfaqësues të bizneseve kryesore në vend, vazhdojnë t'i bëjnë thirrje opozitës, të japë kontribut në zgjidhjen e ngërçit për krijimin sa më parë të Gjykatës Administrative. Sipas Gjergj Buxhukut, Administrator i “Konfindustria”-s, "Krijimi i një sistemi modern të gjykatave do të mundësoje zgjidhjen e drejtë dhe efektive të mosmarrëveshjeve administrative”. Ndërsa Ilir Zhilla, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë thotë se, "janë rreth 400 milion dollarë të bllokuara në procese gjyqësore me biznesin”. Rreth një vit më parë, shoqatat e biznesit vendas filluan një fushatë sensibilizuese për t'i hapur dritën jeshile miratimit të projektligjit të Gjykatës Administrative, që megjithëse shkoi në parlament para 29 qershorit të kaluar, votimi u braktis nga opozita. Miratimi i këtij projektligji do t’i hapë rrugën ngritjes së sistemit të këtyre gjykatave të cilin bizneset shqiptare po e kërkojnë që prej 6 vitesh. Ngritja e këtij sistemi gjyqësor do të trajtoj çështjet që kanë të bëjnë më Tatimet, regjistrimin e bizneseve apo me dhënien e licencave.
Haxhinasto: Konsumatorët duhet të përfitojnë kompensim për tarifat e ujit
Qeveria ka në plan të kompensojë tarifat e reja të ujit që pritet të rriten nga Enti Rregullatorë i Ujit. Sipas zëvendësministrit të Punëve Publike, Edmond Haxhinasto, është e nevojshme që të bëhet një studim për familjet që do të përfitojnë nga kjo skemë, e cila do të jetë e ngjashme me skemën e kompensimit të energjisë elektrike. Bëhet fjalë për ti ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, të cilat nuk do të përballojnë rritjen e tarifave të ujit. Sipas Haxhinastos, të gjitha drejtoritë e ujësjellësve do të ristrukturohen, me qëllim që të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët. Drejtoria e Ujësjellësit të Tiranës ka aplikuar për të dyfishuar tarifat e ujit të pijshëm në kryeqytet. Enti Rregullator i Ujit duket se do të miratojë këtë kërkesë, pasi këto drejtori në të gjithë vendin dalin me humbje.
Interesat bankare
Banka e Shqipërisë
Përditësimi i fundit: 18.02.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.14%
12M 12-mujor 7.70%
6M 6-mujor 6.59%
3M 3-mujor 5.59%
1M 1-mujor 5.19%
1Ë njëjavor 5.03%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.75%
1Ë njëjavor 6.30%
o/n njëditor 5.90%
12M 12-mujor 9.38%
6M 6-mujor 8.10%
3M 3-mujor 7.16%
20 Shkurt 2010