E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, shtyhet seanca për të tretën herë radhazi



Shtyhet seanca gjyqësore për tragjedinë e rëndë të Gërdecit në Gjykatën e Tiranës. Shkak është bërë mungesa e njërit prej anëtarëve të trupit gjykues. Gjyqtarja Fatmira Hajdari nuk është paraqitur dje në sallë duke justifikuar mungesën e saj me probleme familjare. Kjo është seanca e tretë e cila nuk zhvillohet. Në dy seancat e mëparshme, shtyrja është shkak është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurve, të cilët ngrenë pretendimet se nuk e përballojnë dot ngarkesën e zhvillimin e seancave dy herë në javë. Në një kohë që gjyqi i Gërdecit kërkon angazhim të plotë, avokatët janë shprehur se kanë edhe çështje të tjera që duhet t'i ndjekin. Çështja “Gërdeci” është një nga proceset më të mëdha në historinë e Gjyqësorit shqiptar, me rreth 300 dëshmitarë dhe 29 persona të marrë si të pandehur, shumë nga të cilët ish-funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë.

Avokati: Ekspertim psikik ndaj Dritan Dajtit

Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ia ka dalë mbanë të nisë procesin në ngarkim të Dritan Dajtit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Erges Xhoxhi dhe Mariglen Muçaj. Shtatë muaj pas vrasjes së katër policëve dhe një civili në qytetin e Durrësit, Gjykata nuk po arrin të komunikojë me të pandehurin kryesor Dritan Dajti, i cili mbahet në Spitalin e Burgut. Megjithëse për çdo seancë Gjykata dërgon fletë-thirrje për ta njoftuar për datën e gjyqit, e vetmja përgjigjeje që vjen nga Spitali i Burgut përshkruan në një letër reagimin e të pandehurit. Oficerët firmosin se tentojnë ta njoftojnë për seancën, por i pandehuri refuzon me shenja, çka ligjërisht e vë në dilemë Gjykatën ta nisë gjyqin apo jo. Kjo pasi avokati i tij, Arben Qeleshi, pretendon se klienti i tij është i sëmurë dhe nuk mund të niset gjyqi pa dijeninë e tij. Megjithëse Gjykata dyshon se kjo është një strategji e mbrojtjes e ndodhur në këto kushte, ajo s’ka të bëjë tjetër përveçse të përsërisë njoftimin për të pandehurin. Ndërkohë, prokurori i çështjes kërkoi shpalljen në mungesë të të pandehurit dhe vijimin e procesit. Gjykata pritet që në lidhje me kërkesën e avokatit të shprehet seancën e ardhshme.

20 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›