E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i djathtë në Parlamentin Europian kërkon t’i jepet fund bojkotit në Shqipëri



Partitë Popullore Europiane, të kryesuara nga Ualburga Habsburg Douglas, mbajtën dje një deklaratë të posaçme mbi zhvillimet politike në Shqipëri. Në këtë deklaratë, grupi i djathtë në Parlamentin Europian ka shprehur “shqetësimet për situatën politike të krijuar pas zgjedhjeve demokratike të mbajtura qershorin e vitit 2009”. Deklarata që vjen në kuadër të takimit të dimrit të Vjenës i kërkon Partisë Socialiste të ndalë bojkotin menjëherë dhe të futet në Parlament. “PPE i kërkon Partisë Socialiste në opozitë të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji Elektoral i Gjykatës së Apelit dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare vëzhguese; dënon bojkotin parlamentar të Partisë Socialiste në opozitë dhe kërkon përfundimin e menjëhershëm të tij”, - theksohet në deklaratë. Ndërkohë, PPE dhe grupi i të njëjtit mendim në OSBE, të kryesuar nga Ualburga Habsburg Douglas, e konsideron të papranueshme qëndrimin e partisë në opozitë për të rihapur procesin elektoral, duke krijuar kështu shqetësim në implementimin e reformave të nevojshme dhe urgjente ekonomike dhe demokratike. Deklarata po ashtu u kërkon dy partive kryesore politike të fillojnë procesin e bashkëpunimit për të krijuar një konsensus të fortë dhe efikas në lidhje me reformat për Bashkimin Europian. “Raporti përfundimtar i OSBE-së mbi zgjedhjet në Shqipëri i shpall ato të lira, të drejta dhe demokratike dhe konsideron të papranueshme çdo pikëpyetje mbi këtë raport të pavarur”, - shkruhet në këtë deklaratë. Më tej PPE kërkon edhe që “hetimi parlamentar duhet të zhvillohet në respekt të plotë ndaj Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”.

20 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›