Ministria: “Pasaportat biometrike, aplikuan gjysmë milioni shqiptarë”
TIRANË – Më shumë se gjysmë milioni shqiptar kanë aplikuar për pasaportë biometrike. Këto janë shifrat më të fundit që bëhen publike nga ana e Ministrisë së Brendshme. Me anë të një njoftimi për shtyp, kjo ministri ka informuar se deri më 18.02.2010, numri i aplikimeve për pasaporta biometrike arriti shifrën 501 mijë. Ministria e Brendshme kujton qytetarët se marrja e pasaportës së re biometrike “do të shoqërohet me bërjen të pavlefshme të pasaportës në përdorim nga shtetasi në momentin e paraqitjes pranë zyrave të “Aleat” në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në qarqe”. Nga ana tjetër ministria fton gjithë qytetarët të vendit që të ndjekin shembullin e 501 mijë personave për të t’u pajisur të gjithë me dokumente të nivelit të lartë të sigurisë. “Duke shprehur kënaqësinë për ritmin e shpejtë dhe suksesin e këtij procesi, Ministria e Brendshme gjen rastin të përgëzojë të gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për t’u pajisur me pasaporta biometrike, këtë dokument të standardeve evropiane”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Brendshme.
Grabitja e bankës
Masat. Policia dhe kompanitë e sigurisë kërkojnë ndryshimin e ligjit
TIRANË - Grabitja e bankës disa ditë më parë, ka vënë në alarm strukturat e Policisë së Tiranës, duke kërkuar nga policitë private, angazhimin maksimal për parandalimin e rasteve të tilla. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, gjatë një takimi me përfaqësuesit administrativ dhe drejtuesit teknik të shoqërive të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike ka kërkuar marrjen e më shumë masave për sigurinë e Bankave. Në vendimet e marrë në këtë takimi është rënë dakord që veç ndryshimeve në ligjin përkatës të shtohet numri i armeve që mbanë personeli sigurisë në banka dhe të bëhet një zgjedhje më e mirë e rojeve të sigurisë. Vendimi i parë ka të bëjë me ndryshime në Ligjin Nr. 8770 datë 19.04.2001 “Për Shërbimin e Ruajtjes dhe të Sigurisë Fizike”. Gjithashtu, shërbimet e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, si dhe Policia e Tiranës duhet të marrin me shumë masa organizative, operacionale e teknologjike, me qëllim rritjen e masave të sigurisë në banka. Pika e tretë e vendimit ka të bëjë me përzgjedhjen e personelit të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë, po kështu edhe atij të sigurimit të brendshëm të bankave. Ndër të tjera u ra dakord që të zgjidhen dhe problemet që kanë të bëjnë me llojin dhe administrimin e armëve nga ana e personelit që shërben, për sigurimin e bankave. “Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, u shpreh angazhimi për mbështetjen e Shërbimit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, si dhe për trajnimin e personelit të sigurisë që shërben në sigurimin e bankave të nivelit të dytë. Nga strukturat e Policisë së Tiranës, janë marrë masa dhe përcaktuar detyra konkrete për mbajtjen nën kontroll të bankave dhe filialeve të tyre, që ushtrojnë aktivitet në juridiksionin e qarkut Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Bllokohen 200 kg Cannabis, në kërkim pronarët
SARANDË - Policia kufitare e Sarandës ka sekuestruar dje një sasi të konsiderueshme prej 200 kilogramë Cannabis e cila po trafikohej në Greqi. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se lënda narkotike është sekuestruar në fshatin Çiflik të Sarandës.
Dhjetë thasë të mbushur me kanabis ishin lënë në afërsi të kufirit shqiptar-grek vetëm 1 kilometër larg. Mësohet se droga ishte paketuar në dhjetë thasë e pesë çanta me qëllim trafikimin e saj për në Greqi. Policia e ka zbuluar tentativën e trafikimit në kohën kur zotëruesit e drogës po tentonin kalimin e saj në kufi nga vija e gjelbër. Sapo kanë pikasur ndërhyrjen e policisë, trafikantët u larguan nga vendi i ngjarjes duke i shpëtuar arrestimit.
Bastisen zyrat e G99, vidhen 2 laptop
TIRANË – Bastisen zyrat e Partisë G99 në kryeqytet. Lajmi është konfirmuar për mediat nga vetë kreu i kësaj force politike, Erjon Veliaj, i cili ka denoncuar aktin e vjedhjes pranë organeve kompetente të policisë. Sipas kryetarit Erion Veliaj, janë grabitur vetëm 2 laptop-ë që gjendeshin në zyrë dhe asgjë tjetër nuk është prekur. Ngjarja ka ndodhur rreth pasdites së djeshme dhe menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë. Nuk bëhen ende të ditura motive e ngjarjes, ndërkohë që grupi hetimor është vënë në lëvizje për ta zbardhur atë, duke mbledhur të gjithë elementët e nevojshëm si dhe duke marrë në pyetje vetë përfaqësuesit e Partisë G99.
Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 17-vjeçarit
TEPELENË - Që prej 3 ditësh ende nuk ka asnjë gjurmë të Kristo Gjokës, 17 vjeçarit të mbytur në ujërat e lumit, në fshatin Peshtan të Tepelenës. Gjatë dy ditëve të fundit janë zhvilluar kërkime, ku kanë ardhur nga Tirana edhe ekipet e zhytësve, pjesë e forcave speciale të RENEA-s. Gjatë ditës së djeshme tre zhytës kanë nisur kërkimet përgjatë shtratit të lumit Zagorie, deri në derdhje të Vjosës. 17-vjeçari Kristo Gjoka ra në lume, në vendin e quajtur “Monike”, ditën e mërkurë, teksa po priste një pemë bashkë me shtetasin Edmond Malaj, i cili mbeti i plagosur rëndë. Për 3 orë specialët e RENEA-s kanë kërkuar gjatë gjithë gjatësisë së lumit Zagorie, në një distancë rreth 1.5 kilometra deri në bashkimin me lumin Vjosë. Zëdhënësi i policisë thotë se lumi vazhdon të jetë i rrëmbyeshëm, duke sjellë në shtratin e tij drurë dhe gurë, ç’ka e ka vështirësuar shumë punën e ekipeve të kërkimit. Rreth orës 15:00, kërkimet nga ana e polumbarëve janë ndërprerë për shkak të lodhjes së tyre dhe afrimit të natës. “Kërkimet për gjetjen e trupit të Kristo Gjokës do të vijojnë përsëri edhe gjatë ditës së sotme”, - thotë zëdhënësi i Policisë së Qarkut Gjirokastër.
20 Shkurt 2010