E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri inauguron përfundimin e punimeve të rrugës Tale - Lezhë, investim i buxhetit të shtetit

Brenda vitit 2010 nuk do të ketë më rrugë të paasfaltuar plazhi

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Tale-Lezhë, me gjatësi 10 km, një investim i buxhetit të shtetit, se qeveria do të bëjë të mundur që brenda vitit 2010, në vend nuk do të ketë rrugë apo rrugicë të paasfaltuar. “E gjithë përpjekja jonë është përpjekje për të kthyer kombin për së mbari dhe, për së mbari është kombi që shikon nga deti. Në mënyrë absolute, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë që të çon drejt detit, të pa asfaltuar. Ne jemi angazhuar të kompletojmë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe t’u kthehemi edhe zonave malore, në mënyrë që edhe atje të ecim drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri Berisha e konsideroi rrugën Tale-Lezhë, si shumë të rëndësishme në rrjetin infrastrukturor në vend, i cili synon ta kthejë kombin drejt detit. “Kjo është një nga drejtimet më kryesore të qeverisë. Në këtë mënyrë, ne nxisim edhe njëherë zhvillimin e kombit në brigjet e detit. E gjithë përpjekja jonë është përpjekje për të kthyer kombin për së mbari dhe, për së mbari është kombi që shikon nga deti”, tha Berisha.

Kryeministri u ndal në projektet e tjera shumë të rëndësishme në infrastrukturë që priten të inaugurohen në vijim si rruga Mamurras - Patok, unaza e qytetit të Laçit dhe fillimi i punimeve për stadiumin, inaugurimi i rrugës së Patokut, inaugurimi i 2 loteve të rrugës së Arbrit, që zbresin deri në Klos, etj. “Nga Velipoja, deri në Ksamil, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë që të çon drejt detit, të paasfaltuar”, theksoi kryeministri Berisha.

Kryeministri siguroi se qeveria është tërësisht e angazhuar të kompletojë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe t’u kthehet edhe zonave malore, në mënyrë  që edhe atje të ecet drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit.

Gjithashtu, kryeministri garantoi se 4 vitet e ardhëm do të jenë vitet e ndërtimit të ujësjellësve dhe të garantimit të  ujit të pijshëm 24 orë. Do të jenë gjithashtu vitet e ndërtimit të një sistemi modern ujitjeje, ndër më bashkëkohorët, në mënyrë që fermat shqiptare të jenë konkurruese dhe të qëndrojnë denjësisht krahas fermave më të zhvilluara evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›