E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në PS po drejton mungesa e arsyes. Edi Rama shpalli Ruçin si socialistin e ri

Kreu i qeverisë ka komentuar dje situatën politike në PS dhe kryetarin pa mandat Edi Rama, duke përsëritur se tek një pjesë e së majtës po mbizotëron mungesa e arsyes dhe enverizmi. “Zoti e faltë Edi Ramën se ai nuk di ç’bën!”, tha Berisha

Nga qyteti i Lezhës ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve të disa veprave publike, investime të buxhetit të shtetit, kryeministri Sali Berisha, i është referuar sërish situatës politike në PS dhe kryesisht rolit të Edi Ramës, duke e cilësuar këtë të fundit si njeri që trembet nga vetja dhe që duke ndaluar mediat të merrnin pjesë në asamblenë kombëtare të partisë socialiste, bëri që kjo mbledhje të ishte plenum i komitetit qendror. Kreu i qeverisë tha se ajo që ndodhi me Partinë Socialiste ishte mundësia më e mirë që të gjithë të rinjtë të kuptojnë se PS u rikthye në historinë e Partisë së Punës të Shqipërisë. “Ajo që mund të them për ta, është, ‘shih e shkruaj’. Ajo që ndodhi me ta, për shumë të rinj që patën fatin e madh e të mirë që të mos përjetonin asnjë ditë në diktaturë, mund të kalojë si një gjë e parëndësishme. Por për ne, që kemi përjetuar për dekada diktaturën, ai ishte rikthimi i të shkuarës më të zezë të historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, me një emër të ri. Pas 18 vitesh, u mblodhën në errësirë, në terr informative dhe, nuk lejuan kamerat të marrin qoftë edhe një pamje të vetme e t’u tregonte shqiptarëve se çfarë po ndodhte. Errësira është kriteri i tij, terri është kriteri i vërtetë i tij. Ai ishte një atavizëm i atij që ka frikë nga vetja e tij, ka frikë nga rrezja e dritës”, tha kryeministri.

Sipas kreut të qeverisë, pas 9 orë takimi të fshehtë, sikur të ishte plenum i Komitetit Qendror, Edi Rama zgjodhi për fytyrë të re për të komunikuar me publikun, ish-Ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçin. “Më lejoni këtu, që, në emrin tuaj, t’i deklaroj z. Rama se ne respektojmë plotësisht Partinë Socialiste dhe çdo forcë tjetër politike, si një pasuri të madhe të pluralizmit të vendit. Por disa rregulla dhe standarde janë të detyrueshme. Ne nuk merremi me faktin se kush vjen e kush rri në krye të partisë, nuk merremi me faktin nëse iu pre apo jo mandati ndokujt, sepse ato janë probleme të statutit të tyre. Por, ne merremi me transparencën dhe me disa standarde, sepse nuk mundesh që ta përdorësh lirinë për të zhytur në errësirë një forum të tërë, nuk mundesh të vesh mure komunikimi me publikun”, u shpreh kryeministri.

Shefi i ekzekutivit theksoi se “megjithatë, meqenëse ai është në panik dhe në dëshpërim të madh, tek e fundit, le t’ia falim edhe kësaj here, sepse nuk di se ç’bën. “Falja Zot se nuk di se ç’bën”, kaq mund të themi për të”.

Duke e lënë mënjanë situatën e kolapsit në Partinë Socialiste, që tashmë është kthyer në një ngrehinë të rrënuar politike, kryeministri Berisha nënvizoi se qeveria që ai drejton do të vazhdojë punën, jo me fjalë, por me vepra, duke theksuar se këtë verë vazhdojnë dhjetëra e dhjetëra inaugurime. “Shënkolli evropian, Lezha evropiane, Shqipëria evropiane, janë zotimi ynë”, tha kryeministri Berisha.  ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›