Rrufeja godet 38-vjeçarin, me bagëti
TIRANE - Rrufeja godet për vdekje një 38-vjeçar nga fshati Murriz i komunës Zall-Bastar në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 të së martës kur viktima, Florian Hoxha ndodhej ende me bagëtinë. Ai po i afrohej fshatit kur papritmas moti u përkeqësua dhe nisi një rrebesh shiu që shoqërohej me vetëtima. Familjarët e tij kanë nisur kërkimet në orët e darkës kur bagëtitë kishin mbërritur të vetme në kasolle. Pas kërkimeve ata e gjetën trupin e 38- vjeçarit të karbonizuar. Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe policia e sinjalizuar më parë. Grupi i hetimit konstatoi se shkak i vdekjes së të ndjerit kishte qenë natyrore, nga rrufeja. Mësohet se Hoxha ishte i pamartuar. Ai merrej gjithnjë me mbarështimin e bagëtive. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në kohën kur në Tiranë nisi një rrebesh i fortë me vetëtima të rrezikshme. e.d