Fshatrat turistikë, paratë e trojeve për ish-pronarët
BLEDAR HOTI
Të gjithë ata shtetas që disponojnë vilat e tyre mbi trojet e palegalizuara duhet të blejnë atë mbi bazën e vlerës së tregut. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë hodhi poshtë çdo mundësi që personat që kanë marrë vilat në fshatrat turistikë të kenë mundësinë që t’i hipotekojnë ato mbi bazën e legalizimeve, por vetëm mbi bazën e vlerës së tregut. “Vendimi jonë është së pari ligji për privatizimin, pasi nuk mund të bëjmë fjalë për legalizim të fshatrave turistike. Borgjezia e re duhet që në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën që vilat e tyre kanë zënë në fshatrat turistike dhe këto fonde kalojnë për pronarët. Në këtë mënyrë, ata do t’i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre gjatë fundjavës”, deklaroi Berisha. Kryeministri vuri në dukje se “statusi i këtyre fshatrave nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit”. “Statusi i fshatrave turistike është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t’i japim përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët. Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi kemi të bëjmë realisht me atë që unë e quaj borgjezi e re, por që, në fakt, nuk ka ndërmend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj. Ky vend kaloi në shekullin e ri dhe ende nuk ka dalë dikush të thotë unë jam borgjez, madje edhe miliarder po të jetë”, theksoi Berisha. Së shpejti Ministria e Drejtësisë, Ekonomisë, Turizmit, duhet të punojnë së bashku në lidhje me hartimin e këtij projektligji që do të parashikojë procedurat që do të ndiqen për kalimin në pronësi të trojeve dhe banesave që disponojnë. Projektligji “Për privatizimin e fshatrave turistik”, parashikon që fondet që do të krijohen të shkojnë në llogari të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për tu përdorur për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Muaj më parë kreu i Ekzekutivit kishte mendimin që trojet që kishin në përdorim kjo kategori personash, të përfshihen në shitjen e trojeve mbi bazën e vlerës së tregut. Ishte parashikuar që të nxirrej një vendim i Këshillit të Ministrave, por me kalimin e kohës është menduar se kjo çështje të zgjidhet mbi bazën e një ligji të veçantë.