E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bizneseve me borxhe nuk do i rimbursohet TVSH-ja

 

Fabiola Çela

Bizneseve që kanë borxhe, qeveria ka vendosur që të mos u rimbursojë TVSH-në. Vetë kreu i qeverisë ka deklaruat se duhet të krijohet një regjistër me detyrimet që sipërmarrësit i kanë njëri-tjetrit.
Borxhet
Vetëm pak kohë më parë qeveria miratoi një vendim përmes të cilit, nëse administrata tatimore nuk i rimbursonte TVSH-në biznesit brenda një afati kohor të caktuar, atëherë biznesit i lindte e drejta që të mos paguante detyrimet ndaj shtetit. Por në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha deklaroi se nuk do t’u rimbursohet TVSH-ja biznese borxhlinj. “Ata që nuk paguajnë atë që i ka borxhin me dokumente, nuk do ta marrin TVSH-në, derisa të vënë në rrugëzgjidhje çështjen e borxhit, ndonëse jo menjëherë, se çdo borxh rishqyrtohet dhe skedulohet”, u shpreh dje kreu i qeverisë, Sali Berisha. Në një situatë të tillë, Kryeministri tha se duhet të krijohet regjistri i borxheve që kanë sipërmarrësit me njëri-tjetrin. “Duhet të krijohet sistemi i njoftimit të bankave. Kjo ka rëndësi të posaçme. Nuk mundet që për shkak të borxhlinjve të falimentuar, të rritet krediti jo i mirë. Ashtu siç ekziston regjistri i kredive kombëtare dhe për rrjedhojë aty janë edhe kreditë jo të mira, duhet të ekzistojë edhe regjistri i borxheve jo të mira dhe ky regjistër administrohet nga bankat. Natyrisht ky është një problem delikat, por ka praktika të konsoliduara evropiane, të cilat kanë stadet e veta, paralajmërimin e parë, të dytë dhe herën e tretë afishohesh në një listë, e bankat nuk të japin më kredi. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm për funksionimin e lirë të tregut, sepse tregu funksionon mbi bazën e iniciativës dhe suksesit të saj, por edhe të mossuksesit dhe falimentimit. Në qoftë se ‘mbush thesin’ me borxhe, në këtë mënyrë falimenton edhe të tjerët”, është shprehur kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›