Durrës-Kukës, i shtohet dhe një tunel projektit
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
Projektit të korridorit Durrës-Kukës i është bërë ndryshimi më i fundit, duke i shtuar edhe një tunel tjetër si dhe dy ura. Tashmë ky projekt bëhet me dy tunele, ai i Kalimashit që është edhe më i madhi, 5.6 kilometra si dhe ai i Kukësit, i cili do të ketë një gjatësi modeste krahasuar me të parin, vetëm 250 metra. Ndërsa dy urat do të ndërtohen mbi liqenin e Kukësit, përkrah asaj ekzistuese të Drinit të Zi. Një studio projektimi, e autorizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, e ka gati projektin dhe shumë shpejt do të mblidhet KRRT-ja e Këshillit të Qarkut për të bërë miratimin e lejeve të ndërtimit. Sipas këtij projekti, hyrja e qytetit të Kukësit, kur vjen nga Tirana do të ketë tre ura gjigante mbi liqen. Pra, do të ndërtohen edhe dy ura të mëdha me dy kalime me gjatësi 285 metra secila dhe lartësi 60 metra. Akset e urave do të jenë nga 26 metra secila me dy kalime, në të djathtë të urës ekzistuese, e cila është ndërtuar në vitin 1975, në bazë të një projekti kinez. Ura e parë fqinje me të vjetrën do të jetë 8 metra larg saj. Këto dy ura do të bëjnë dhe lidhjen e autostradës që vjen nga Kalimashi dhe futet poshtë qytetit të Kukësit. Ato do të përfundojnë më pas në dy galeritë (tunele) poshtë qytetit të Kukësit, të cilat do të jenë me gjatësi afro 250 metra secila. Ndërtimi i dy tuneleve u bë si domosdoshmëri për të devijuar autostradën nga një kthesë. Kalimi nga ura e vjetër kishte një kthesë 90 gradë, e papranueshme për kushtet teknike të ndërtimit. Tunelet do të jenë më dy korsi dhe do të kenë një thellësi në tokë prej 50 metra, fillimisht në një masiv shkëmbor dhe më pas në një tokë të butë.
Kështu në Drinin e Zi në pjesën jugore bëhen tre ura gjigante me nga dy korsi, në pjesën veriperëndimore është ura e Drinit të Bardhë, 50 më e lartë dhe 200 më e gjatë. Në pjesën veriore, në fshatin Përbreg, ngjitur me qytetin e Kukësit, janë dy ura të tjera të mëdha, njëra më e madhja e gjithë korridorit 360 metra e gjatë dhe 60 metra e lartë.