E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi i radhës i OSBE/ODIHR

• Agron AlibaliKur përfaqësuesit e ODIHR-it me seli në Varshavë ftuan vetveten për të vëzhguar zgjedhjet kuvendore të tetorit 2007 në Poloni, Ministria e Jashtme polake u kujtoi atyre se, “sipas procedurës standarde i takon vendit që bën zgjedhjet për të ftuar vëzhguesit e OSBE-së, pra në këtë rast OSBE-ja bëri një hap të gabuar (faux pas)” Por sa hapa të gabuar ka bërë në Shqipëri OSBE-ja, dhe sidomos Zyra e saj e Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut e quajtur ndryshe ODIHR? Sa për fillim, nuk mund të mos përmendim se ishin katër juristë të talentuar shqiptarë që në vitin 1991, pa ndihmën e ODIHR-it, hartuan Ligjin për Zgjedhjet, i cili mundësoi zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme deri në vitin 1996, përfshirë referendumin për Kushtetutën. E thënë ndryshe, Shqipërisë nuk i mungojnë as burimet njerëzore dhe as tradita për të kryer vetë një reformë zgjedhore cilësore.Shqipëria – kjo kavie eksperimentaleNjë nga rrjedhojat negative të krizës së mëpasme në Shqipëri ishte hapja e portave ndaj ndërhyrjes së pashembullt të OSBE/ODIHR-it në reformën kushtetuese e institucionale të vendit.  Rrjedhimisht, Shqipëria u kthye në një farë kavieje eksperimentale, ku ekspertë e pseudo-ekspertë të ndryshëm lejoheshin të shartonin gjithfarë modelesh juridike të huazuara nga vendet e tyre, por krejt të huaja e të papërshtatshme për Shqipërinë. Për shembull, një nga shembujt më flagrantë të ndërhyrjes së dëmshme në Kushtetutë ishte shkatërrimi i imponuar i strukturës së pushtetit vendor, duke eliminuar rrethet dhe duke krijuar kantonet, të quajtura edhe rajone apo qarqe. Po ashtu, sot është e vështirë që të mbash mend se sa herë është hartuar, ndryshuar, përmirësuar a përkeqësuar Kodi Zgjedhor, i cili vazhdon të prodhojë “dushqe e gogla”. E pra, duke mos harruar përgjegjësinë e politikës vendase, a mund të mohohet përgjegjësia e OSBE/ODIHR-it në këtë rrëmujë juridike zgjedhore?Nuk mund të mos kujtojmë këtu shkurtin e vitit 2005, kur mbi qeverinë shqiptare ishte vënë kushti dhe afati i radhës “për kryerjen e reformës zgjedhore” dhe sidomos për caktimin e zonave zgjedhore. Një takim i rëndësishëm në Bruksel mund të dështonte nëse shqiptarët nuk dëgjonin urdhrat e ODIHR-it!! Mirëpo deformimin skandaloz të zonave zgjedhore në Shqipëri e imponoi askush tjetër përveç ekspertit të kudondodhur të zgjedhjeve të ODIHR-i, z. Nikollai Vullçanov. Dhe falë z. Vullçanov, sot Shqipëria ka një hartë jo-kompakte, gjarpëruese dhe të pandershme të zonave zgjedhore, çka të kujton planin manipulues të guvernatorit të Masaçusetsit, Elbrixh Gerri, në fillimet e shekullit të 19-të, plan i cili hyri në fjalorin juridik-politik si gerrymandering, ose ndryshim i kufirit të zonës zgjedhore në favor të një partie ose grupi të caktuar.Vullçanov – mbështetës i sistemit spanjollSikur të mos mjaftonte ky dështim, z. Vullçanov për habi del sërish në skenë, kësaj radhe siç duket për të imponuar sistemin zgjedhor spanjoll, të quajtur ndryshe “proporcional rajonal”. Në mes të shkurtit 2008, ai erdhi përsëri në Tiranë si përfaqësues i ODIHR-it dhe si gjithnjë, takimet i kreu jashtë vëmendjes së publikut dhe të mediave.Por na duhet të falënderojmë Fondacionin Soros në Tiranë për një informacion shumë interesant, ku sqarohet përfundimisht roli i z. Vullçanov në zbatimin e sistemit spanjoll në Shqipëri. Përkiturazi me vizitën e tij në Tiranë, më 15 shkurt 2008, Fondacioni Soros shpalli një dokumentin “Praktika Zgjedhore & Reforma”, i tetorit 2007. Edhe një lexim i shpejtë i tij të lë të kuptosh se kemi të bëjmë me një përkthim të çalë nga anglishtja në shqipe, të kryer jo kurdoherë në përputhje me rregullat e standardit të shqipes. Këtu nuk është fjala vetëm për përdorimin dymbëdhjetë herë të gabuar të fjalës “rol” në trajtën “rrol”.  Rekomandimi VIII në faqen 9-10 është më tipiku, qoftë në formë, për shqanglishten e zbatuar dukshëm, dhe qoftë në përmbajtje, për hedhjen zyrtarisht në treg të “sistemit proporcional rajonal”. Për sqarim, shqanglisht është një fjalë e krijuar nga gazetari dhe studiuesi Arben Kallamata për të treguar përdorimin e çalë dhe gjysma-gjysma të shqipes, të përzierë me fjalë dhe ndërtime sintaksore të anglishtes. Lexuesi mund të provojë vetë nëse është në gjendje të kuptojë në shqip “rekomandimin” në fjalë pa ditur paraprakisht anglisht. Dhe ja se ç’shkruhet aty: “Interesi i përfaqësuesit për të fituar në zgjedhjet e radhës do të ishte një nxitje më se e mjaftueshme për të, që të shprehte kudo dhe në çdo rast interesat e komunitetit që përfaqëson. – Në përmbushje të kësaj kërkese, si zgjidhje mundet të ishte një sistem zgjedhor mazhoritar i pastër, ose një sistem proporcional me listë hapur, rajonal” [www.soros.al].Bashkautor i këtij grumbulli eklektik rekomandimesh nuk është tjetër veçse Vullçanovi i ODIHR-it, i cili si “ekspert” falënderohet “në veçanti” për kontributin e dhënë në “gjetjet e këtij Dokumenti”. Dhe z. Vullçanov këtu paraqitet çuditërisht si “ish-konsulent i ODIHR-it”…Angazhimi i hapur politik i z.Vullçanov në këtë rast shtron disa pyetje që lidhen me etikën profesionale dhe përplasjet e interesave të punonjësve ose konsulentëve të OSBE/ODIHR-it.Së pari, cili është funksioni i tij në strukturat e ODIHR-it? A është ai ende përfaqësues zyrtar i ODIHR-it, sikurse shfaqet në Tiranë në shkurt 2008, apo “ish-konsulent” i tij, sikurse paraqitet në tetor 2007?Së dyti, çfarë tagri ka z. Vullçanov që të imponojë një sistem të caktuar zgjedhor në Shqipëri? Më konkretisht, sa përputhet sjellja e z. Vullçanov me Udhëzimet e ODIHR-it të 1 janarit 2001 “Për Shqyrtimin e Kuadrit Juridik të Zgjedhjeve”, që është njëfarë kodi mirësjelljeje i konsulentëve të huaj? Një nga kanonet e këtij udhëzimi është se konsulenti që shqyrton legjislacionin “nuk duhet të jetë mbështetës i një sistemi apo praktike të caktuar”. Mirëpo si i bëhet që z. Vullçanov mbështet fare haptas sistemin spanjoll?Sistem zgjedhor shqiptar dhe jo spanjollMirëpo z. Vullçanov e ka shumë të qartë se sistemi spanjoll nuk mund të zbatohet në Shqipëri për arsyen e thjeshtë se Shqipëria është krejt e ndryshme nga Spanja. Shqipëria është një vend i vogël, homogjen, me histori e traditë të veçantë, është shtet unitar dhe republikë parlamentare. Kurse Spanja është një monarki kushtetuese me sipërfaqe dhe popullsi përkatësisht rreth 20 herë dhe 10 herë më të madhe se sa Shqipëria. Spanja ka sistem shtetëror federal me kuvend qendror të përbërë prej dy dhomash. Ajo ka 17 rajone autonome, me vetëqeverisje të gjerë legjislative dhe ekzekutive. Atje ka të paktën tre grupe etnike dhe fliten rreth 12 gjuhë a dialekte të ndryshme. Madje, një prej arsyeve që Spanja kundërshton pavarësinë e Kosovës është pikërisht frika nga separatizmi. Eshtë e kuptueshme që sistemi spanjoll apo “proporcional rajonal” është krejt i papërshtatshëm për Shqipërinë.Por sistemi spanjoll do të shkelë edhe Kushtetutën e Shqipërisë, pasi shkel njërin prej parimeve themelore të saj, dhe pikërisht karakterin unitar të shtetit [Neni 2.1] Kushtetuta nuk është llastik, ku nga njëra anë të mund tërheqësh parimin e karakterit unitar të shtetit, kurse në tjetrën të nxisësh federalizmin e tij.Përse atëherë z. Vullçanov dhe ndonjë tjetër përpiqen t’ua imponojnë atë shqiptarëve, edhe pse kjo nuk përmbahet në rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe vetë standardet profesionale të ODIHR-it e ndalojnë një sjellje të tillë?Përsëri për rekomandimet e ndërkombëtarëvePor le të ndalemi pak te rekomandimet e ndërkombëtarëve. Katër janë burimet dokumentare që përbëjnë këto rekomandime: dy Raportet Përfundimtare të zgjedhjeve të 2001-shit dhe 2005-ës me autorësi OSBE/ODIHR-in, dhe dy Opinionet e Përbashkëta të Komisionit të Venecias bashkë me OSBE/ODIHR-in të vitit 2004 dhe 2007. Pa dyshim, Opinioni i Përbashkët i vitit 2007 [Opinionin 435/2007] është dokumenti më i freskët dhe me mbështetje më të gjerë. Po si e vlerëson sistemin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe çfarë rekomandon konkretisht ky dokument i rëndësishëm?Së pari, Opinioni analizon Nenin 64 të Kushtetutës, i cili përcakton sistemin zgjedhor të sotëm. Neni 64.2 thekson parimin e përpjesëtueshmërisë, ose me fjalë të tjera, të përputhshmërisë “sa më të afërt”, midis votës së popullit dhe shpërndarjes së mandateve të 140 deputetëve. [Paragrafi 40, faqe 9]. Së dyti, Opinioni kritikon shkeljen e këtij parimi, që ka sjellë si pasojë shpërndarje mandatesh përtej vendeve që caktohen përpjesëtimisht sipas votës popullore [Paragrafi 41, faqe 9].Së treti, Opinioni kritikon ashpër formulën e përdorur për shpërndarjen e mandateve, të parashikuar në nenet 65-68 të Kodit Zgjedhor, e cila “është bërë edhe më e ngatërruar dhe e vështirë për t’u kuptuar se ç’ka qenë, qoftë për votuesin, qoftë për vëzhguesin”. “Ndryshimet në Kod – thuhet më tej aty – e kanë ndërlikuar edhe më tej një sistem që ishte gjithsesi mjaft i ngatërruar…” ,…[Paragrafi 42, faqe 10].Së fundmi, Opinioni i Përbashkët përmban këtë Rekomandim të vetëm lidhur me sistemin zgjedhor. “OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias rekomandojnë sërish ndryshimin e Kodit Zgjedhor me qëllim që të vendoset një sistem zgjedhor më i thjeshtë, i cili të jetë transparent, lehtësisht i zbatueshëm dhe i qartë dhe plotësisht i kuptueshëm prej votuesve”. [Paragrafi 43, faqe 10].Kaq.Ajo që kërkohet janë vetëm ndryshime teknike të Kodit Zgjedhor dhe sidomos të formulës së shpërndarjes proporcionale të mandateve. Nuk kërkohet as ndryshim i Kushtetutës, as i sistemit zgjedhor, dhe aq më pak, nuk rekomandohet sistemi spanjoll, apo ai proporcional rajonal.Jo trysnisë së palejueshme të ODIHR-itDuke krahasuar rekomandimet e mësipërme me zhvillimet e fundit në vend, dalin në pah disa pyetje të tjera të rëndësishme:E para, pse në vjeshtën e 2007 disa ekspertë anonimë të OSBE/ODIHR-it injoruan këto rekomandime, duke sjellë për shqyrtim para politikës shqiptare katër variante sistemesh të ndryshme zgjedhore, siç ishin ai spanjoll, grek, bullgar etj.?E dyta, pse procesi i asistencës zgjedhore të OSBE/ODIHR-it është kryer pa kurrfarë transparence ndaj votuesve shqiptarë? Për shembull, në dallim nga deklaratat për “transparencë” apo “gjithëpërfshirje” të zyrës së OSBE-së, një kërkesë e të nënshkruarit për më shumë informacion ndaj “katër varianteve” drejtuar Oficerit Kombëtar të Reformës Zgjedhore pranë Pranisë së OSBE-së në Tiranë, nuk mori asnjëherë përgjigje…Trysnia e fundit e OSBE/ODIHR-it për të zbatuar në Shqipëri eksperimente të inxhinierisë zgjedhore duke imponuar modele të huaja për traditën dhe kushtet e vendit, përbën një zhvillim aspak pozitiv dhe tejet shqetësues.  Kryetari i radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm i Finlandës, z. Kanerva, duhet të ndërhyjë menjëherë që puna dhe veprimtaria e OSBE/ODIHR-it në Shqipëri të përputhet me misionin, qëllimin, parimet dhe normat e organizatës, dhe të mos bjerë pre e synimeve të dyshimta apo preferencave personale të ndonjë zyrtari apo këshilltari të tyre. Aq më pak, ajo duhet të mos diskreditojë imazhin dhe emrin e vetë organizatës, sikurse ka ndodhur shpesh në të kaluarën.  Po ashtu, Drejtori i ODIHR-it, ambasadori Strohal, por dhe ambasadori Bosch, duhet të marrin masa ndaj zyrtarëve të OSBE/ODIHR-it që, duke ndërhyrë si kasapë në Kushtetutën dhe reformën zgjedhore në Shqipëri, shkelin kompetencat dhe tejkalojnë autorizimet e rekomandimet e organizatës lidhur me reformën zgjedhore në Shqipëri. Përndryshe, reforma e tashme zgjedhore nuk do të jetë veç dështimi i radhës i OSBE/ODIHR-it në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›