Dita e Verës, nis festa madhështore
• ELBASAN – Panairi “Dita e Verës 2008” ka hapur dje dyert për edicionin e 11-të të tij duke paraprirë festën madhështore të 14 marsit.Aktivitetet me rastin e Ditës së Verës startuan dje në mesditë në qytetin e Elbasanit me hapjen e këtij panairi në ambientet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani”. Nën himnin e interpretuar nga banda frymore “Afërdita”, kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini, së bashku me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut të Elbasanit Veli Kazazi kanë prerë shiritin e hapjes së edicionit të këtij viti të panairit, i kthyer tashmë në një traditë. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë përfaqësues të pushtetit lokal si dhe shumë qytetarë elbasanas. Në fjalën e tij kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kazazi, ka uruar biznesin elbasanas, kombëtar, por edhe atë ballkanik për pjesëmarrjen në këtë eveniment, duke e vënë theksin te ruajtja e traditës shumëshekullore që ka qyteti i Elbasanit. Edhe kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, në urimin e tij ka falënderuar të gjithë bizneset pjesëmarrëse në këtë panair, i cili ka treguar vlerat e veta në të 11-të edicionet. Në panairin “Dita e Verës 2008” këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, kanë marrë pjesë 45 firma të ndryshme, 12 prej të cilave marrin pjesë për herë të parë në panair, si dhe 7 të tjera të cilat janë firma të huaja ballkanike. Bashkia e Elbasanit ka akorduar një fond prej 2.5 milionë lekësh për dekorin e qytetit si edhe për aktivitetet e zhvilluara mbrëmjen e djeshme, si edhe për aktivitetet që priten të zhvillohen sot. Atmosfera festive ka shoqëruar popullsinë e qytetit të Elbasanit mbrëmjen e së enjtes me organizimin e një koncerti të përbashkët të Elba-Folk dhe Selanikut, i cili u vijua nga një koncert të madh festiv me pjesëmarrjen e këngëtarëve shqiptarë e të huaj. Ditën e sotme aktivitetet do të nisin në orët e para të mëngjesit me një kros të organizuar nga shkollat 9-vjeçare të qytetit, të cila do të vijohen më pas me aktivitete të tjera si paradë karnavalesh përgatitur nga Qendra Kulturore për Fëmijë, koncert me këngë e valle. Mësohet se policia e rendit dhe ajo bashkiake kanë marrë të gjithë masat e duhura për ruajtjen e qetësisë dhe evitimin e çdo incidenti të mundshëm. a.k