Shtrenjtohet me 10 lekë çmimi i gazit
• Rritet me 10 lekë çmimi i gazit të lëngshëm në vend. Në pikat e pakicës në kryeqytet një litër gaz i lëngshëm kushton 80 lekë. Sipas tregtarëve shkak për këtë rritje është shtrenjtimi i këtij produkti në bursat ndërkombëtare. Në fakt nuk është hera e parë që bursat ndërkombëtare ‘çmendin’ tregjet vendase. Çmimi i karburanteve si dhe ai i drithërave kanë pësuar rritje të ndjeshme dhe shkak për këtë është shtrenjtimi i tyre në tregjet ndërkombëtare. Por kjo rritje çmimesh rrit koston e jetesës për konsumatorët shqiptarë të cilët janë të detyruar të shpenzojnë më shumë para nga buxheti i tyre familjar për blerjen e këtyre produkteve. E gjithë kjo situatë e krijuar ndikon në rritjen e normës së inflacionit. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, në vend inflacioni në muajin shkurt ishte 3.6 për qind. Por duke parë se çmimet e produkteve janë gjithnjë e në rritje niveli i inflacionit pritet të jetë më i lartë në muajin mars. Kësaj i shtohet edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike. Kjo pasi tarifat e reja të energjisë kanë hyrë në fuqi këtë muaj. E thënë ndryshe ky muaj pritet të jetë goxha i kushtueshëm për familjarët sidomos për familjet buxhetore.