Peshkatarët japin licencat: Strehim ekonomik në Itali
• Peshkatarët durrsakë rikërcënojnë qeverinë me një eksod masiv drejt Italisë. “Kjo nuk do të jetë një zgjidhje e qëndrueshme, por një metodë për të demaskuar qeverinë shqiptare në sytë e opinionit botëror”, tha në ditën e parë të grevës kryetari Klodian Kapiti.DURRES/ OERD ULQINI Deklarata e peshkatarëve pasoi dorëzimin e 100 licencave vjetore, pasi asnjë prej tyre, përballë kësaj situate nuk ka pranuar rinovimin e saj. Ndonëse dy ditë më parë u mendua se u gjet zgjidhja, askush nuk e ka pranuar vendimin e qeverisë për t’u rimbursuar me naftën e akcizës. “Ne duhet të presim pas 1 viti për të marrë paratë, pavarësisht sesa fitime do të nxjerrim nga puna”, deklaruan ata. Tepër të irrituar nga pamundësia për të arritur një zgjidhje, ata kanë bërë të ditur se nëse nuk plotësohet menjëherë skema e duhur e karburanteve, 100 anijet do të nisen drejt Italisë, shtet në të cilin peshkatarët durrsakë do të kërkojnë “strehim ekonomik”. Si hap të parë peshkatarët kanë ndërmarrë dorëzimin e licencave, duke i shpallur bizneset e tyre si të falimentuara në Shqipëri. Ata shpresojnë se në Itali, aty ku nafta për peshkatarët kushton 50 cent për litër të gjejnë strehë ekonomike dhe punë, pasi siç thonë ata “qeveria shqiptare dëshiron falimentimin e peshkimit vendas për t’i hapur rrugën monopoleve të importit”. Sipas grevistëve, asnjë nga propozimet e tyre nuk është marrë për bazë. Peshkatarët durrsakë e kanë cilësuar si “mashtruese” skemën e propozuar së fundmi nga Ministria e Financave. “Nuk duam skema të shpikura nga Bode, por skema që përdorin për peshkimin shtete të tilla si Italia, Kroacia apo Greqia”. Peshkatarët dhe marinarët e të gjithë botës e marrin naftën pa akcizë në bazë të konventave ndërkombëtare mbi detarinë dhe peshkimin. Ajo cilësohet si “naftë bordi”, por për Shqipërinë zbatimi i këtij ligji mbetet vetëm një formalitet burokratik, i cili nuk është zbatuar kurrë. Mangësitë e furnizimit me naftë kanë sjellë probleme të vazhdueshme për gjendjen teknike të peshkarexhave. Anijet, të cilat janë pasuria e vetme e këtyre njerëzve po amortizohen dita-ditës. Burime nga greva saktësuan se ditët e ardhshme Durrësi do të presë edhe peshkatarët e Sarandës, Vlorës dhe Shëngjinit, në mënyrë që të përcaktohet qartë një strategji për protestën e bashkuar.