Celularët, “Eagle Mobile” dje realizuan alo-n e parë
• Që nga dita e djeshme në treg operojnë tre kompani celularësh. Operatori “Eagle Mobile” është bërë tashmë pjesë e tregut shqiptar të telekomunikacioneve.fabiola ÇelaSipas drejtuesve të kësaj kompanie aktualisht shërbimet në prefiksin 067 do të ofrohen në zonën Tiranë-Durrës dhe aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza. Ndërsa në fillim të verës sinjali i këtij operatori do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Çmimet e bisedave telefonike që ata ofrojnë janë goxha tërheqëse për qytetarët vendas. I krijuar nën partneritetin e “Çalik Holding, Türk Telekom” dhe Shtetit Shqiptar, “Eagle Mobile” në emblemën e saj përdori katër ngjyrat bazë të jetës, të kuqen, jeshilen, të verdhën dhe blunë. Pjesa më e madhe e punonjësve të kësaj shoqërie janë vendas gati 93 për qind e tyre. Por gjatë muajve në vijim “Eagle Mobile” ka planifikuar që të hapë vende të reja pune, numri i të cilëve pritet të arrijë deri në 1 mijë punonjës. Drejtuesit e saj nuk kanë premtuar vetëm tarifa më tërheqëse por edhe aplikimin e risive teknologjike. Kompania e tretë celulare në vend, me privatizimin e Albtelekomit i kaloi shoqërisë së telekomunikacionit CETEL, e cila është pjesë e grupit “Çalik Holding”. Tashmë 76 për qind të aksioneve i zotëron konsorciumi i përbërë nga Grupi CALIK dhe Turk Telekom. Ndërsa 80 për qind të aksioneve brenda konsorciumit të quajtur me emrin e ri CT Telekom, zotërohen nga CETEL dhe 20 për qind nga Telekomi turk. Privatizimi i Albtelekomit u krye vitin e kaluar duke i dhënë fund kështu kalvarit disavjeçar. Vlera e shitjes së kësaj kompanie ishte 120 milionë euro. Ndërkohë përveç aktivizimit të kompanisë së tretë celulare pak kohë më parë është lajmëruar edhe aktivizimi i lejes së katërt celulare. Deklarata është bërë nga vetë ministri i Telekomunikacioneve Sokol Olldashi pak kohë më parë. Ai është treguar i vendosur për të liberalizuar tregun e telefonisë celulare, duke lajmëruar dhënien e një leje të katërt, menjëherë pas aktivizimit të operatorit të tretë celular, “Eagle Mobile”.