Rama: Qeveria përgjegjëse për ndotjen e ajrit
• Pas deklarimeve të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me mjedisin në kryeqytet, kryebashkiaku Edi Rama reagoi dje duke kërkuar që qeveria të angazhohet me fakte dhe jo me batuta në shfaqjet televizive.Kjo për të përmbushur detyrimet e saj për mbrojtjen e mjedisit. “I bëj thirrje Kryeministrit të mos e zvarrisë më tutje dosjen e propozimeve konkrete që ka prej muajsh në tavolinë, e për të cilat ka rënë publikisht dakord e t’i kthejë këto propozime në masa konkrete ligjore dhe administrative”, tha Rama. Më tej ai shtoi se Kryeministri duhet të angazhohet publikisht me fakte, jo me batuta në shfaqjet televizive të qeverisë. “Qeveria e tij duhet të përmbushë detyrimet e saj për mbrojtjen e mjedisit, jo vetëm në kryeqytet, por në tërë territorin e Shqipërisë, nga njëra anë duke zbatuar legjislacionin në fuqi dhe nga ana tjetër duke ndërmarrë të gjitha ato nisma ligjore që duhet t’i mundësojnë pushtetit vendor rolin që i takon në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Rama. Ai akuzoi qeverinë si përgjegjëse të drejtpërdrejtë për ajrin e ndotur nga makinat, për të cilat s’ka asnjë standard e asnjë rregullim ligjor të përshtatur me ambicien e anëtarësimit në BE. “I bëj thirrje Kryeministrit të mos i zvarrisë më tutje shqiptarët me gënjeshtra të reja për të mbuluar të vjetrat, por ta shfrytëzojë kohën që i ka mbetur në krye të qeverisë, së paku për të penguar degradimin e mëtejshëm të ekonomisë e të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”, nënvizoi Rama.