Dështimi juridik i një hetimi politik
Nga Nebil Çika
Gjykata e Lartë i ka dhënë fund dje përpjekjes së jashtëligjshme të prokurorisë për të shtyrë afatin e hetimit të “abuzimeve”, sipas saj, të tenderimit Durrës -Kukës nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve. Me këtë vendim Gjykata ka zhvleftësuar vendimin e prokurorisë për të ndryshuar cilësinë juridike të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, nga dëshmitar në i pandehur, gjë që detyroi shtyrjen e paligjshme të hetimit prej saj. Në fakt, vetë procesi penal i nisur nga prokuroria për rrugën Durrës - Kukës synonte që në fillim ministrin Basha, si një nga politikanët e suksesshëm të PD-së, dhe vetë rrugën, si një arritje e madhe e qeverisjes “Berisha”. Motivimi politik i këtij procesi ka qenë i qartë që me nisjen e tij. Ai nisi si pjesë e luftës së pandershme politike që opozita ish-komuniste e z. Rama ka manifestuar që në fillim ndaj këtij investimi me përmasa mbarëkombëtare, por edhe ndaj z. Basha si një nga investimet politike më të vlerësuara të PD-së. Edhe vetë prokuroria ishte juridikisht e qartë për fundin e këtij procesi që, siç thamë më lart, nuk synonte shkeljen e ligjit, por diskreditimin politik, publik e elektoral të projektit madhor dhe protagonistëve të realizimit të tij, qeverisë shqiptare dhe ministrit Basha.
Prokuroria luajti politikisht në gjithë procesin, duke e transformuar ndërtimin e kësaj vepre historike dhe autorët e saj në debatin politiko-mediatik nga më të gjatët dhe më të nxehtët. Duhet theksuar se asnjëherë as publikisht e as juridikisht, nuk u soll dot ndonjë fakt apo provë që të penalizonte qoftë edhe moralisht ministrin Basha dhe të akuzuarit e tjerë për këtë çështje. Mirëpo dështimi i paralajmëruar i këtij procesi hetimor nuk mund të kalonte pa pasoja për institucionin e akuzës shqiptare që vërtetonte kështu akuzat e përsëritura për përdorim politik të tij. Duket se porositësve politikë të procesit hetimor të rrugeës Durrës - Kukës nuk u ka konvenuar pamundësia e prokurorisë për të gjetur apo sajuar një akuzë ndaj Bashës, qëllimit politik të këtij hetimi, gjë që ka detyruar akuzën të ndërmarrë një veprim të paligjshëm për të realizuar porosinë me gjithë bindjen se kjo ishte një shkelje e pastër juridike. Prokuroria ka kërkuar vetë një mbyllje “për procedurë” të procesit nga gjykata, pasi një mbyllje e hetimit pa penalizuar Bashën apo një proces gjyqësor me akuza të sajuara do ta çonte akuzën në një diskreditim publik profesional. Kjo mbyllje e detyruar nga shkelja e vetëdijshme e Kodit të Procedurës Penale është perceptuar si e keqja më e vogël nga akuza, përdorimi politik i së cilës edhe kështu është i vërtetuar plotësisht.
Zhvleftësimi i zgjatjes së hetimeve rrëzon menjëherë edhe ndryshimin e cilësisë juridike të ministrit Basha, i cili automatikisht nuk është më i pandehur. Mirëpo nëse në planin juridik çdo gjë mund të duket “ok”, në planin politik gjërat duken krejt ndryshe. Me gjithë përpjekjet për të dalë “e palagur” profesionalisht, duke dështuar procesin, prokuroria nuk mund të shmangë dot përgjegjësinë e përdorimit politik të saj, një akuzë tashmë e vërtetuar edhe juridikisht. Fundi i përpjekjeve të saj për të penalizuar për motive politike Lulzim Bashën, përbën njëherazi edhe fundin e pretendimeve për pavarësi të drejtuesve të këtij institucioni të rëndësishëm dhe mbrojtësve të tjerë të tij. Ky moment përbën natyrisht edhe legjitimimin e çdo akuze që Berisha dhe të tjerë i kanë bërë prokurorisë për shkak të përdorimit politik të saj. Ky moment na kthen natyrshëm edhe në debatin për reformën aq të domosdoshme të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Është detyrë e vëzhguesve ndërkombëtarë, mediave dhe të tjerëve ta theksojnë këtë moment si prova më e pakundërshtueshme e keqfunksionimit dhe keqpërdorimit të institucionit të prokurorisë, që është munduar ta justifikojë këtë në emër të pavarësisë së institucioneve. Në fund të argumentit, secili prej nesh duhet ta mendojë veten se një ditë mund të jetë vetë viktimë e këtij keqfunksionimi të prokurorisë apo edhe institucioneve të tjera. Në këtë situatë distancomi i politikës, shoqërisë civile, mediave e të tjerëve është domosdoshmërisht një detyrim më shumë se profesional. Nuk është thjesht dështimi i një hetimi. Është, fatmirësisht, dështimi i keqpërdorimit, politizimit dhe keqfunksionimit të sistemit tonë juridik, veçanërisht prokurorisë. Ky moment nuk mund të kalojë dot as pa vëmendjen e KLD-së, Parlamentit apo institucioneve të tjera të shtetit shqiptar. Por, ai është gjithashtu edhe një moment i pakalueshëm edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë, reagimi publik i të cilëve ka rëndësi të veçantë. Natyrshëm që prej tyre pritet një qëndrim me të njëjtin standard që kanë manifestuar me reagimet në rastet e konsideruara “ndërhyrje apo presione të politikës në institucionet e drejtësisë” edhe kur drejtësia ndërhyn apo i bën presion politikës. Kjo situatë na jep gjithashtu të gjithë të drejtën të dyshojmë te çdo proces hetimor të nisur nga kjo prokurori, një raport që e ka vendosur vetë akuza shqiptare me standardet e funksionimit të saj, si ky përfundim i turpshëm i hetimit të “abuzimit” të pretenduar me ndërtimin e rrugës Durrës - Kukës - Morinë.