Kujtesa e “frikshme” e Berishës
Nga Basir Çollaku
Një politikan kosovar para pak ditësh, kur e pyeta se sa vlen për ta rruga Durrës-Kukës-Morinë, dhe a shpresonin se mbaron në qershor të këtij viti, m’u përgjigj duke psherëtirë thellë: “Me dashtë Zoti po, megjithëse ne në anën tonë nuk po mundim me ecë sa duhet, fort ngadalë, ma shumë pare i kemi përqendru te zgjedhjet”. Duke dyshuar në atë që kuptova nga përgjigja e tij, e pyes përse me dashtë Zoti, se ajo, pra rruga, sikur ka marrë metrat e fundit, a nuk mjafton ajo që ka bërë qeveria shqiptare për këtë investim? E ai, sikur ta rrokte atë që nuk kisha thënë unë, ma kthen duke qeshur disi: “Ndaj të thashë me dashtë Zoti, që të vazhdojë Berisha sërish këtë punë dhe pas qershorit, se kemi besim se është njeriu i duhur për ta kryer këtë mision”. Me pak fjalë, nuk shkova më tej për aq sa thuhej, mision ishte fjala qe me la me kuptu sa duhej, megjithëse thashë e kam tepruar me pyetje. Por në zanatin tonë krejt e lehtë është të shkosh më larg se duhet me pyetje, se nuk ka pyetje të çmendur, por përgjigje të tillë.
I rashë disi gjatë kësaj historie besimi për t’u tkurrur krejt shpejt brenda kufijve. Kryeministri Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, mund të jetë nga njerëzit e pazakontë sa i përket energjisë e përkushtimit serioz në sipërmarrjet e tij politike dhe ekzekutive. Kështu, ai, si një shembull vërtet i pakrahasueshëm, njëherësh dhe zilie, ka shpërndarë aksione brenda Partisë Demokratike, që drejton, duke prodhuar sikur të ishte kompani e mirorganizuar mediatike emra dhe personalitete që janë rritur e shumëzuar falë bursës së buruar prej tij e më pas kanë ideuar mbijetesë dhe ndryshe. Ku me zë e ku pa zë ata që janë, ata që kanë ikur, ata që janë rikthyer, ata që kanë qëndruar, nuk kanë mundur më vete apo bashkë, qoftë edhe ndryshe të ngrihen e ringrihen dhe të kenë pushtet e ndikim, nëse nuk kanë marrë aksione nga kryetari i partisë, Sali Berisha. Ashtu si kam përmendur në një shkrim pak kohë më parë, si në një parti të madhe, edhe në PD, ku Berisha shërben si bursë politike, loja ka funksionuar herë hapur e herë fshehur dhe lojtarët kanë dëshiruar jo pak raste të jenë faktorë të tregut politik.
Jo vetëm në arkivin e jetës politike të vendit tonë, por dhe më tej, vështirë se ka shembuj ku ringritja e modelit të Berishës njeh një grafik si ai shqiptar. Ata që e dinë më së miri mundohen të jenë të kujdesshëm dhe të matur që të ndërthuren e të zhurmojnë me njëri-tjetrin një kat më poshtë sesa dëgjon lideri i mazhorancës. Nuk janë të pakët drejtorë, ministra, pushtetarë që kur ka ardhur rasti të kryejnë ndonjë nder ose thjesht të punësojnë dikë me dy mendje, kanë thënë paturpësisht se po ndihmoj këta të opozitës që ta kem mirë me ta kur të vijnë në pushtet. Nuk janë të paktë ministrat apo zyrtarët e lartë të administratës së qeverisë “Berisha” që nuk përmenden asnjëherë nga vullnetarët e Edi Ramës, si u thonë ndryshe mjaftistët dhe G99. Kjo rehati e pamerituar ndodh pikërisht për llogari të këtyre ndereve të bëra që ka sjellë mjaft herë mërzi në PD. Zëra të veçuar mund të quhen dy apo tre deputetë të Partisë Demokratike që e kanë përmendur këtë shqetësim dhe ata pjesërisht kur janë larguar nga pushteti që kishin, sepse kur ishin, nuk djersitën aspak për të marrë në punë specialistë, ekspertë, të shkolluar të zotë mjaft nga të djathtët. Sikur të mos mjaftonte gërryerja dhe konsumi i pushtetit të fituar nga PD-ja, por që u konsumua keq nga aleatët edhe ajo pjesë që menaxhoi Partia Demokratike la për të dëshiruar fort pasi flirtimet me të majtët e nesërm dëmtuan. E gjatë shumë është lista po të rendisësh drejtorët e majtë që në fushatën e 2005-s janë përmendur nga deputetë e ministra si shërbëtorë të Nanos dhe të Ramës e që më pas janë marrë në kabinete sikur të ishin shefa shtabi të deputetëve të Partisë Demokratike. Të gjitha këto krijesa të pashëndetshme për demokratët konsumojnë në mënyrë të pamerituar pushtetin, aksionet e dhuruara nga Kryeministri dhe kryetari i mazhorancës, Sali Berisha. Këta të pamerituar kanë nisur prej afro dy apo tre muajsh të shkrihen, të lënë shëndetin e zemrës për PD-në për t’u kuotuar sërish dhe përsëri shkojnë pas Berishës që të fshihen pas aksioneve të tij, se të tyret i kanë harxhuar pa filluar fushata. Një fatkeqësi e vogël në këtë teatër elektoral është vetëm një detaj, që zgjuarsia e tyre mbase do të ketë mësuar se Berisha ka një kujtesë të frikshme që kalon çdo bibliotekë, por ka dhe një mision për të kryer. Pjesën më të madhe e ka bërë. Kaq mjafton për ta. Nëpunës në Pallatin e Ëndrrave ka boll, mjafton të dalë dielli këtejpari.