Vrasja e dy policëve, pas kontrollit të makinës së autorit
Kontrolli i dokumenteve të automjetit të Afrim Hasanit ka qenë edhe motivi i lindjes së konfliktit që çoi në vrasjes e dy inspektorëve të Qarkullimit, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. 34-vjeçari ishte shndërruar në person problematik për fshatin, ndërkohë që konsumonte edhe pije të shumta alkoolike. Më datë 17.03.2009, i ndikuar edhe nga konsumimi i tepërt i alkoolit, kishte shkaktuar rrëmujë duke dëmtuar disa karrige dhe pasqyra të lokalit. Për të normalizuar situatën, kanë shkuar policët Dobrushi e Hila.
Por gjatë ndërhyrjes, policët kanë hasur në rezistencën e Hasanit, i cili është përleshur me dy policët duke i kundërshtuar. Punonjësit e policisë janë tërhequr për momentin, ndërkohë që autori i vrasjes ka hipur më pas në automjetin e tij.
Dy policët e Qarkullimit Rrugor i kanë ndërprerë rrugën automjetit, duke e bllokuar atë, ndërkohë që edhe kësaj radhe kanë hasur në rezistencën e Afrim Hasanit. Të nesërmen policia ka bërë një kontroll në shtëpinë e tij, por Hasani nuk ndodhej në shtëpi. Policët kanë bërë kallëzim ndaj tij, ndërsa Prokuroria e Kukësit ka nisur procedimin penal, ndërkohë që Afrim Hasani është shpallur person në kërkim. Afrim Hasani me anë të personave të tjerë u kishte thënë dy inspektorëve që të tërhiqnin padinë ndaj tij, ose ai do t’i vriste.
Por, dy inspektorët nuk janë tërhequr, ndërkohë që Hasani ishte shpallur në kërkim. Ai i ka parë ata ndërsa ishin në një lokal dhe me një automatik në dorë u është afruar, duke i qëlluar me breshëri dhe duke i vrarë ata.
Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila po përgatiteshin që të merrnin shërbimin në aksin rrugor Shënmëri - Qafë-Shllak. Rreth orës 21:00 ata kanë hyrë në lokalin e Isa Dobrushit për të pirë kafe, në pritje të marrjes së shërbimit në orën 22:00. Ekspertët mjeko-ligjorë kanë bërë të ditur se Shkëlzen Dobrushi ishte goditur me katër plumba, një në kokë dhe tre në gjoks, ndërsa Ramadan Hila ka qenë i goditur me një plumb në kokë. 34-vjeçari është larguar me shpejtësi dhe është kapur nga policia 12 orë më vonë. Arrestimi i tij u krye në mesditën e ditës së martë rreth orës 12:30. Afrim Hasani u gjet i fshehur në një pyll pak kilometra larg qytetit të Kukësit, afër fshatit të tij. Në operacion morën pjesë dhjetëra forca policie të qytetit të Kukësit, Hasit, Pukës si dhe forca speciale të RENEA-s të mbërritura nga Tirana. Operacioni i arrestimit u drejtua nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ndërsa ndoqën nga afër operacionin edhe zv.ministri i Brendshëm, Genti Strazimiri, si dhe drejtori i Antikrimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Nikolin Bala. Policia kërkoi gjatë gjithë natës për të bërë të mundur gjetjen dhe arrestimin e autorit të vrasjes.