E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thuaj nëntëdhjetenëntë, i ke thënë të gjitha!



Nga Zamir Gjurgji

Në fjalorin e gjuhës shqipe, 99-n mund ta gjesh të shpjegohet si: "të nëntëdhjetenëntat - të bësh të gjitha punët e këqija, gjithfarë punësh të pandershme, të mos lësh gjë pa bërë". E kur e thotë populli, vështirë që populistët ta hedhin poshtë. 99-shat do të duhej të ishin skrupulozë në lançimin publik si një forcë realisht progresiste, që, bashkë me moshën e re, do të sillte edhe frymën e ndryshimit për mentalitetin e kohës, si një katalizator ky i procesit të ndarjes nga e kaluara, të stakimit nga mendësitë që ushqejnë totalitarizmin, komunist apo nazi-fashist. Kësisoj, fjala demokraci nuk do të mbetej thjesht një katërrokësh gjerësisht i gërmëzuar, por do t'i jepej kuptimi i mirëfilltë edhe në jetën e përditshme, pa e thjeshtëzuar me fjalëpërkthimin kronik literal dhe anakronik mental, 'pushteti popullor' - ashtu siç është shpërdorur pamasë nga paraardhësit dhe pararendësit e majtistëve.

Fatkeqësisht, mendësia e ndryshimit në gojën e mendjen e 99-shave tanë duket si një vegim në shkretëtirë. Predikojnë transparencën tek të tjerët, ndërsa për fondet e tyre financuese nuk ka kontabilist t'i kapë; predikojnë vullnetariat publik në politikë dhe për veten notojnë në financime jopublike; predikojnë qëndrimin gju më gju me popullin e pensioneve 100-mijëshe dhe për vete qëndrojnë mbi sedilje fuoristradash 100-milionëshe; premtojnë subvencionim të abonimeve të shtypit të shkruar, ndërkohë që nuk u shkon ndërmend të subvencionojnë 9 euro e 99 cent për capita, për kartat e identitetit - së paku për 5% e elektoratit që ata pretendojnë se u përket; premtojnë dinjitet të kombit dhe dhunojnë simbolin e tij, flamurin; predikojnë identitet dhe natë e ditë klonojnë e klonohen pa kufi - dukuri kjo që nuk la pa e prekur në tela edhe Blushin senior; premtojnë moralin e politikës 'anti-mbërtheckë', ndërkohë që procesvotimin e konsiderojnë si inspirim sensual ("Të votosh, është seksi", ka qenë një nga motot e tyre publike në 2007-n); premtojnë se do të luftojnë Metën, Nanon dhe Berishën e vjetër, duke u dalë në krah të stërvjetërve Dade, Gjinushi apo Dokle. Të premtosh ndryshe dhe të sillesh ndryshe, vërtet që si emërues i përbashkët - edhe për ekspertin e matematikës Kastriot Islami - rezulton ndryshe, por në gjuhën e popullit kjo ka tjetër kuptim, "dallëndyshe, ktheje ndryshe". Të predikosh integrimin e shqiptarëve në vend e kontinent, ndërkohë që vetë vepron me formula sektariste - mbështetur në trininë e shtrenjtë remarkiane "Veliaj-Misha-Xoxa" - është më shumë se hipokrizi, të predikosh kartën "e të riut" Obama si antipod i "të vjetrit" Bush është gati cinike.

Ndërsa materiali i analistit gjerman të "Die Welt"-it, Torsten Krauel - dhe jo vetëm atij - nxjerr në pah ngjashmërinë mes tyre. Karta amerikane, në këtë mënyrë demaskon spekulimin e nëntëdhjetenëntëshave me modelin Obama-i ri, ndryshe nga modeli Bushi-i vjetër. Sot, nuk janë të zotë as t'ia mbushin mendjen vetes me kinezërira të tilla, edhe pse vetë karta kineze të ofron tjetër pamje, nëse e lëviz pak nga pozicioni fillestar. Gjithsesi, kjo ndodh, kur nuk e sheh realitetin në dritë të diellit, por sytë fokusohen vetëm te xhepi i donatorit të radhës. Ngaqë, të lëkundesh majtas-djathtas do të thotë të tregosh mungesë stabiliteti, mungesë integriteti moral, çoroditje mendimesh, anarki idesh, një lloj maverikizmi ky i transplantuar rishtazi në Shqipëri prej kohës së Haxhi Qamilëve, çka më sjell ndërmend edhe një shprehje të analistit Levi në "Jerusalem Post", kur merrte në analizë "një kategori premtimesh dhe premtimtarësh të rinj, që gjithfarë premtimesh nxjerrin nga goja, por vetëm një të tillë jo, ata asnjëherë nuk premtojnë se do të mbajnë premtimet". Dhe rast më flagrant nuk ka kur 'qindëshi dhe 99-shat' rreken t'u mbushin mendjen zgjedhësve se të varfrit nuk mund ta paguajnë kartën, ndërkohë që taksat vjetore të bashkisë, progresivisht në rritje, asnjëherë nuk janë falur për këta 'të varfër'. Por halli i kreut të socialistëve duket të jetë marrja dixhitale e shenjave të gishtave (procedura e kartës së identitetit) sepse gishtat në pajisje do të nxirrnin zbuluar shumë krime dhe kriminelë që kanë mbetur pa u hetuar, vetëm se policia nuk ka se me çfarë mostre t'i krahasojë. E këtu bëhet nami, pa pasur aspak nevojë që drejtësia të hakmerret...

Por ja që 99-shat dhe qindëshin e tyre Rama, nuk i sollëm ne. Ata i gjetëm mes progresistëve të PS-së, si gjaku i ri i Partisë Socialiste, si rripi i transmisionit që do të sillte zhvillimin e munguar në vend, të cilët do të veprojnë me "fair play", me qëllim që në radhët e të rinjve shqiptarë të mos shfaqen ndërlikime dhe kontradikta të padëshiruara. Këta pra, janë 99-shat, që, fshatçe, orvaten të vënë në skenën e publikut shqiptar, më 28 të qershorit, tragji-komedinë "Doktori pacient". E si për ironi të fatit, rrezikon të luajnë inversin, "Pacient te doktori".

Jam më se i bindur në gjykimin tim personal se nëntëdhjetenëntëshat janë aq të aftë, sa të aktrojnë me profesionalizëm rolin e sandwich-man-it. Prandaj, le të nxjerrin nga 'gardëroba' teatrale atë bluzën e stampuar me portretin e Obamës, ta ndryshojnë paksa, duke stampuar në shpinë edhe portretin e Bushit. Le të aktrojnë edhe rolin e zonjës nga qyteti kur jep leksione fshatçe për xhama-larje majtas e djathtas, edhe rolin e fëmijës tekanjoz anglishtfolës, që kur shkon pacient te doktori, s'e hap e s'e hap gojën para tij, vetëm kur ky i fundit ia mbush kaplloqen me "say ninety-nine" (sej najntinajn) thuaj nëntëdhjetenëntë".

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›