Miratohen buxhetet e spitaleve, ndryshon sistemi i shëndetësisë
Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor ka nënshkruar dje kontratat e reja me 39 spitalet e vendit dhe ka miratuar buxhetet e tyre, duke i përfshirë kështu në skemën e re. Kjo skemë do t’u japë spitaleve më shumë autonomi financiare dhe do të krijojë mundësinë e konkurrencës ndërmjet tyre. Ndryshime të rëndësishme ka në planin financiar, ku spitalet do të vetëmenaxhohen, ndërkohë që janë parashikuar masa edhe për abuzimet e mjekëve që kërkojnë pagesa nën dorë.
Ndryshimet
Në bazë të kontratave të reja të nënshkruara me spitalet, është parashikuar një rritje e shkallës së autonomisë. Tashmë spitalet do të planifikojnë dhe blejnë vetë të gjitha mallrat dhe shërbimet që u nevojiten, ndërkohë do të kenë kompetencë ekskluzive detajimi të zërave të buxhetit. E gjithë kjo skemë do të inspektohet nga ISKSH-ja, që ka vendosur standarde të parapërcaktuara, me anë të protokolleve të shërbimit.
Një ndryshim thelbësor ka të bëjë edhe me pagesat nën dorë që kërkojnë mjekët, pasi tashmë ndëshkimet do të jenë shumë herë më të larta. “Kjo është një pikë e rëndësishme e kontratës për të cilën kemi insistuar, pasi më në fund adresohet përgjegjësi në rast të pagesave informale. Në kontratë është parashikuar masa me gjobë deri në 2 paga mujore e deri në shkëputje kontrate individuale”, – tha drejtorja e ISKSH-së, znj. Elvana Hana.
Autonomia financiare
Por ndryshimi më rrënjësor do të jetë në aspektin financiar. Kështu, spitalet jo vetëm do të menaxhojnë vetë buxhetet e tyre, por do të mund të kryejnë edhe ndryshime në këto buxhete. Në këtë mënyrë fondet e papërdorura në vitin pasardhës nga spitali nuk do të digjen, por do të ripërdoren, ndërkohë që të ardhurat shtesë, që vijnë nga pacientët, do të mblidhen nga bordi drejtues i spitalit dhe jo nga ISKSH-ja.
E pyetur lidhur me mënyrën e financimit, drejtorja e ISKSH-së u shpreh se me plotësimin e kushteve të parashikuara në vendimin e qeverisë lidhur me hartimin e protokolleve të mjekimit, miratimin e standardeve të spitaleve dhe treguesve të cilësisë dhe llogaritjen e kostos për çdo shërbim, do të shkohet drejt financimit për shërbim, si rruga më e mirë për financimin e spitaleve.
Somario
Spitalet do të mund të rishpërndajnë fondet për shpenzimet dhe pagat, në masën 2 dhe 5 për qind përkatësisht
Buxhetet sipas spitaleve
Berat 352,610 mijë lekë
Bulqizë 82,080
Delvinë 23,650
Devoll 43,520
Dibër 348,480
Elbasan 497,350
Fier 369,500
Gramsh 134,050
Gjirokastër 236,050
Has 35,250
Kavajë 125,150
Kolonjë 116,890
Korçë 613,300
Krujë 135,500
Kuçovë 56,250
Kukës 237,950
Laç 82,950
Lezhë 228,620
Librazhd 163,500
Lushnje 265,620
M. e Madhe 14,335
Mallakastër 31,270
Mat 167,215
Mirditë 146,645
Peqin 26,740
Përmet 93,110
Pogradec 204,110
Pukë 148,015
Sarandë 179,260
Skrapar 88,180
Shkodër 596,520
Tepelenë 88,350
QSUT 3,969,500
Mat. nr. 1 375,900
Mat. nr. 2 281,500
Sanatoriumi 342,980
Tropojë 118,800
Vlorë 445,300
Spitalet që do të financohen nga ministria
Spitali psikiatrik Vlorë;
Spitali psikiatrik Elbasan;
Shërbimet e shëndetit mendor në rrethe;
Shërbimi i psikiatrisë Shkodër;
Qendra Kombëtare e Riaftësimit, Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve;
Shërbimi kombëtar i transfuzionit;
Ofiçina elektro-mjekësore;
Njësia e transportit me helikopterë
Duhanpirja
OBSH: Merrni masa, Shqipëria, e para në Evropë
Tymosja në mjediset publike, ndonëse e ndaluar me ligj, është diçka më se e zakontë në vendin tonë dhe shqiptarët janë duhanpirësit më të mëdhenj në Evropë, sipas drejtores së përgjithshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Çan. Gjatë takimit me ministren e Shëndetësisë, Anila Godo, Çan u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të marrin masa në luftën kundër duhanit. Ajo deklaroi se vendi ynë është i pari në kontinent për sa i përket nivelit të duhanpirjes, duke vendosur alarmin për situatën e krijuar. Çan është drejtuesja e parë e OBSH-së që viziton Shqipërinë. “Jemi të nderuar për këtë vizitë të këtij niveli të lartë, pasi kjo na bën të ndihemi më shumë të mbështetur në përpjekjet tona për reformimin e sistemit tonë shëndetësor”, – deklaroi ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo. Shqipëria nënshkruan çdo dy vjet Marrëveshjen e Bashkëpunimit me OBSH-së për asistencë teknike e financiare. Marrëveshja e dy viteve të fundit arrin në 1 milion e 750 mijë euro. Vendi ynë ka miratuar përpara dy vitesh ligjin antiduhan, i cili ndonëse ditët e para pati rezultate, më pas u braktis tërësisht.