“Janë tejkaluar afatet, emërimi i kryetarit të Kushtetueses po mbahet peng”
Shkelja e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, reagojnë juristët
Presidenti i Republikës Bamir Topi s’ka dhënë asnjë koment për çështjen e ngritur prej dy ditësh me radhë, lidhur me shkeljen e kushtetutës, duke mos emëruar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ky post vazhdon të mbetet vakant, kur kanë kaluar një muaj e gjysmë.
Denoncimi i gazetës “55”-së ndaj një fakti të tillë dhe argumentet e forta, që e bëjnë Presidentin e Republikës shkelës të qëllimshëm të Kushtetutës dhe mos mbajtje të përgjegjësisë edhe atëherë kur ai duhet të jetë garant i saj, tregojnë se kreu i shtetit s’ka shumë interes apo vëmendje për gjëra të komplikuara, siç është p. sh.:, korrektësia me ligjin dhe respektimi i hallkave të funksionimit dhe mbarëvajtjes së institucioneve kushtetuese. Edhe pse ka pasur reagime të ndryshme nga politika dhe media, presidenti i Republikës, nuk përcolli qoftë edhe komentin më të vogël, për këtë shpërfillje të Kushtetutës, e cila moralisht pse jo edhe ligjërisht përbën shkelje.
Përtej deklaratave politike dhe linjës editoriale të medias, janë juristët ata që ngrenë shqetësimin se presidenti i Republikës, ka shkelur Kushtetutën, duke mbajtur peng emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas juristes, Erinda Ballanca, Kushtetuta parashikon qartë se me mbarimin e mandatit të kryetarit të saj, duhet të kryhet menjëherë emërimi i kryetarit të ri. Ajo thotë se kjo vlen veçanërisht për postin e Kryetarit dhe jo të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët sipas ligjit mund të vazhdojnë të kryejnë atë funksion deri në ripërtëritjen e plotë.
“Kushtetuta flet qartë për këtë çështje. Mandati është 3 vjeçar dhe është një mandat i ndarë nga mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari vazhdon të jetë gjyqtarë deri në emërimin e anëtarëve të rinj. Por, kjo nuk vlen për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj se sipas kushtetutës, mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron me mbarimin e mandatit të tij 3 vjeçar”, tha ajo.
Sipas saj, kjo neglizhencë prish balancat në Kushtetutë dhe njëherazi shpërfill rëndë dokumentin themeltar të shtetit.
Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyre deri në emërimin e pasardhësit të tij.