E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria përgatitet për votim elektronik në zgjedhjet lokale të vitit 2011

Flet Genc Pollo, ministri për Teknologjinë dhe Inovacionin

Ndërsa Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duket se do ta shtyjnë për në shtator zgjidhjen e ngërçit politik i krijuar nga kërkesa e opozitës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, qeveria po punon mbi një projekt pilot për aplikimin e votimit elektronik gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm.
Moszgjidhja e ngërçit politik po mban pezull njëkohësisht edhe hartimin e kodit të ri zgjedhor për të cilin të gjithë bien dakord se duhet përmirësuar dhe projekti i qeverisë duhet të bëhet pjesë e ligjit të ri zgjedhor që të futet në zbatim.
Ministri i për Teknologjinë dhe Inovacionin, Genc Pollo sqaron natyrën e kësaj nisme për votimin elektronik i cili është parashikuar të aplikohet vetëm në disa komuna.
“Për këtë duhet një konsensus me opozitën. Mund të operohet me bashki apo me komuna pilot, por kjo duhet përcaktuar relativisht herët në mënyrë që të përcaktohen shpenzimet”, thotë Pollo.
Në këtë rast lind pyetja se pse ky projekt nuk mund të aplikohet në të gjithë vendin, por vetëm në disa zona të caktuara. “Meqë nuk kemi të bëjmë vetëm me një personel që mund të trajnohet në një afat të shkurtër, por do kemi të bëjmë me gjithë popullsinë që voton, nga më të rinjtë, ata që mbushin moshën për të votuar për herë të parë deri tek më të moshuarit që kanë të drejtë të votojnë ata duhet të mësojnë që votohet në një mënyrë të re, sepse kanë 20 vjet që votojnë me fletë votimi dhe t’i vësh përpara një ekran, një tastierë apo si do gjendet edhe zgjidhja teknike kërkohet kohë përpara që t’i thuhet se do votoni në këtë mënyrë”, u shpreh më tej, Pollo.
Pollo nuk jep detaje se në cilat komuna do të aplikohet projekti pilot i votimit elektronik, por thotë se ky është një hap shumë i rëndësishëm për të rritur akoma më tepër transparencën e procesit më të kontestuar në 20 vitet e fundit në vend, votimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›